Bashkëpunim me Vodafone për të sjellë lojën ndërveprues Play4SDGs në Shqipëri

Kuici Play4SDGs rrit ndërgjegjësimin mbi OZHQ-të dhe nxit veprimin
Shtatë vite që nga prezantimi dhe 8 vite të mbetura për arritjen e tyre, 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) janë shpresa dhe sfida e vazhdueshme për të gjithë ne për të shndërruar botën tonë.
OZHQ-të përbëjnë thelbin e Agjendës së 2030-ës për Zhvillim të Qëndrueshëm. Ato drejtojnë veprimet tona në nivel botëror, kombëtar dhe lokal. OZHQ-të janë një thirrje për veprim për të gjithë. Të gjithë mund të ndihmojnë për të bërë një ndryshim.
Ne në OKB Shqipëri punojmë me të gjithë partnerët qeveritarë dhe të zhvillimit, sektorin publik dhe atë privat, komunitetet dhe individët drejt arritjes së #GlobalGoals.
Këtë vit ne bashkëpunuam me Vodafone Albania në një përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të inkurajuar veprim mbi OZHQ-të. Vodafone zhvilloi një mjet ndërveprues në formën e një kuici të vendosur në aplikacionin kryesor të Vodafone, 'My Vodafone App' - i cili është aplikacioni kryesor që përdoret nga të gjithë klientët për të kontrolluar balancën dhe për të aktivizuar oferta.
Ky kuic është i hapur për këdo që ka një numër telefoni Vodafone, por pritshmëritë janë që do të përdoret kryesisht nga segmenti rinor i shoqërisë me një përllogaritje të të paktën 400 mijë përdoruesve. Përveç kësaj, mjeti do të jetë i përdorshëm në një tjetër aplikacion të Vodafone, në të cilin e gjithë rinia ka qasje - pavarësisht nëse kanë një numër Vodafone ose jo, me një përllogaritje të përdorimit nga 100 mijë përdorues.

Materiali i kuicit #Play4SDGs është informacion mbi OZHQ-të, OKB-në në përgjithësi, arritjet e Shqipërisë mbi OZHQ-të etj. Kuici është i formuar në tre nivele sipas shkallës së vështirësisë dhe Vodafone ofron çmime në formën e megabyte të internetit për ata që e përfundojnë kuicin me sukses.
Nga lançimi në tetor, thuajse 84,000 përdorues kanë luajtur lojën e OZHQ-ve. Shkalla e suksesit të plotësimit të kuicit është një sinjal pozitiv që 'lojtarët' duket të jenë të mirëinformuar mbi 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Vodafone Albania punon me OKB-në në Shqipëri së bashku me partnerë të sektorit privat. Në dy vitet e fundit, Vodafone është zotuar të mbështesë punën e përbashkët për disa OZHQ, si për shembull OZHQ-në 5 mbi "Barazinë Gjinore", një nga OZHQ-të më të rëndësishme, duke përdorur teknologjinë për të ndihmuar viktimat e abuzimit në familje dhe të dhunës me bazë gjinore.
OZHQ-ja 17 është “Partneritet për Objektivat” dhe për të është kontribuuar nëpërmjet partneriteteve që OKB-ja në Shqipëri ka me kompanitë, Vodafone një prej tyre. Përveç lojës së OZHQ-ve, Vodafone ishte dhe mbështetësi kryesor në organizimin e koncerteve publike me rastin e Javës së OKB-së në Shqipëri 2022.