Njoftimi për media

Një skaner i ri i teknologjisë së lartë do të ndihmojë mjekët e Spitalit të Traumës të shpëtojnë jetë

20 tetor 2022

Shëndetësi dhe Reagimi ndaj COVID-19

Ndonjëherë, pas një dite të mbushur me takime të shumta, duke zgjidhur problematika pune të panumërta dhe ndryshime të mëdha e të vogla, është e lehtë të anashkalosh pamjen e plotë dhe të harrosh mbi ndikimin që kemi në jetët e njerëzve. Një vizitë në Spitalin kryesor të Traumës në Tiranë, që trajton mbi 500 pacientë emergjence në muaj, të cilët vijnë nga e gjithë Shqipëria, dhe një mundësi për të folur me Kryeministrin, Ministren e Shëndetësisë dhe mjekët që punojnë në spital, na kujtuan se si puna jonë në grup bashkohet për të rezultuar në një ndryshim real dhe të prekshëm në jetët e njerëzve të cilëve u shërbejmë. 

Profesionistët e shëndetësisë nuk mund ta fshihnin gëzimin e tyre kur i treguan Kryeminstrit skanerin e ri CT, të prokuruar në kuadër të projektit të reagimit emergjent ndaj COVID-19, të implementuar nga UNOPS Shqipëri dhe të financuar nëpërmjet një kredie nga Banka Botërore ndaj Qeverisë Shqiptare, të udhëhequr nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. 

“Kjo është pajisja më e re që ka ardhur në spitalin tonë dhe në Shqipëri. Është gjenerata e fundit dhe është e përshtatshme për të gjitha llojet e ekzaminimeve që mbulon ky spital. Me këtë pajisje ne mund të ekzaminojmë saktësisht të gjithë trupin e pacientit në vetëm tre minuta. Dhe tani ne mund të ekzaminojmë 20 pacientë brenda një ore" - nënvizoi Dr. Elvis Veli, Shefi i Departamentit së Imazheri-Radiologjisë.

“Kam parë shumë pacientë emergjence në jetën time. Kam parë shumë njerëz, vecanërisht njerëz të rinj, që kanë humbur jetët për shkak se nuk ishte e mundur t'i diagnostikoje saktësisht dhe në kohë. Por tani, me këtë skaner, mjekët tanë mund të dallojnë me saktësi fraktura apo hemorragji, duke i dhënë shumë njerëzve mundësinë për të mbijetuar" - tha Dr. Admir Mustafa, një mjek Radiologjie.

“UNOPS ka bashkëpunuar vazhdimisht me ne gjatë gjithë kohës, ndërkohë që është punuar mbi infrastrukturën, duke ndërtuar dhomën dhe instaluar pajisjet, duke e modifikuar atë në përputhje me nevojat tona" - nënvizoi Edlira Bode, mjeke otorinolaringologe dhe drejtoreshë e Spitalit të Traumës.

“Deri më tani, ne kemi bërë investimin më të madh në pajisje biomjekësore për shërbimet spitalore dhe ambulatore. Ne do të instalojmë 18 rreze X digjitale (të lëvizshme dhe të instaluara), katër skanera CT dhe një angiografi. Kolegët e UNOPS-it krijuan mundësinë për të realizuar këto investime shumë shpejt, ndërkohë që paralelisht po rinovohet totalisht Klinika e Sëmundjeve Infektive" - tha Ministrja 

Më herët gjatë këtij viti, për të përmirësuar cilësinë dhe shpejtësinë e diagnozës, UNOPS furnizoi tetë spitale në Rrogozhinë, Mallakastër, Përmet, Tepelenë, Tropojë, Pukë, Divjakë dhe Mirditë me rreze X digjitale të një cilësie të lartë, si pjesë e investimit prej EUR 544,704.00 të Bankës Botërore. Përveç prokurimit të pajisjeve dhe përmirësimit të ambienteve, UNOPS ka ofruar trajnime për stafin mjekësor. Pacientët në këto komunitete tani kanë qasje në diagnostikimin me rreze X të cilësisë së lartë.

 

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

UNOPS
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme