Akademia si katalizator për zhvillimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri
24 tetor 2025
Përfaqësues të shquar nga akademia, qeveria dhe partnerët ndërkombëtarë u mblodhën sot në konferencën “Akademia si Katalizator për Zhvillimin e Kapitalit Njerëzor në Shqipëri” për të diskutuar se si investimi në njerëz mund të nxisë rritjen e qëndrueshme të Shqipërisë dhe të përshpejtojë rrugën e saj drejt integrimit në BE.
Në konferencën e mbajtur në Aula Magna pranë godinës Liria në Qytet Studenti morën pjesë Silvio Gonzato, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri; Ingrid McDonald, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri; Massimiliano Paolucci, Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë; Federica Mogherini, Rektore e Kolegjit të Evropës; dhe Olta Manjani, Zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Kryetare e Grupit të Menaxhimit të Politikave të Integruara për Kapitalin Njerëzor, si dhe akademikë shqiptarë dhe ekspertë të zhvillimit të kapitalit njerëzor.
Konferenca u bashkëkryesua nga Delegacioni i Bashkimit Evropian, Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri dhe Zyra e Bankës Botërore në Shqipëri, duke evidentuar angazhimin e tyre të përbashkët për avancimin e kapitalit njerëzor si prioritet i përbashkët kombëtar dhe ndërkombëtar.
Konferenca theksoi rolin kryesor të akademisë në formësimin e agjendës për kapitalin njerëzor të Shqipërisë. Akademikët pjesëmarrës evidentuan nevojën për bashkëpunim më të fortë midis universiteteve, sektorit privat dhe politikëbërësve për të siguruar që sistemet e arsimit dhe formimit të pasqyrojnë më mirë nevojat e tregut të punës. Ata vunë në dukje se ky bashkëpunim është thelbësor për të ulur nivelin e papunësisë tek të rinjtë dhe për të nxitur kulturën e inovacionit. Diskutimet trajtuan tema kyç si rëndësia e investimeve publike në arsim dhe punësimi i të rinjve, miratimi i praktikave inovative të mësimdhënies dhe të nxënit, si dhe zhvillimin e strategjive për të kapërcyer hendekun midis akademisë dhe tregut të punës. Po ashtu, pjesëmarrësit nënvijëzuan rëndësinë e sistemeve të mbrojtjes sociale si instrumente për fuqizimin e familjeve dhe komuniteteve dhe për të garantuar që të gjithë qytetarët mund të përfitojnë nga progresi i Shqipërisë drejt rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.
Silvio Gonzato, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, theksoi se investimi në njerëz nuk është kosto, por një investim që sjell përfitime të mëdha për shoqëritë dhe ekonomitë tona. Procesi i integrimit të Shqipërisë në BE po përshpejtohet dhe në qendër të këtij rrugëtimi qëndron zhvillimi i kapitalit njerëzor. Për më tepër, ai përbën edhe një nga kriteret për vlerësimin e përgatitjes së Shqipërisë për anëtarësimin në BE. Prandaj, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Shqipërinë në këtë rrugëtim duke investuar në njerëz, duke fuqizuar komunitetet e cenueshme dhe duke ndërtuar së bashku një të ardhme të bazuar në vlera dhe mundësi të përbashkëta.
Ingrid Macdonald, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri u shpreh: “Investimi në njerëz është në qendër të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ardhmes evropiane të Shqipërisë. Kombet e Bashkuara do të vazhdojnë të shërbejnë si integrues dhe katalizator duke përafruar investimet, duke ndarë ekspertizën dhe duke siguruar që njerëzit të vazhdojnë të jenë në qendër të reformës. Akademia është një element kyç i këtij rrugëtimi- për dëshmi, të dhëna, njohuri dhe aftësi. Sipas Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, detyra jonë e përbashkët është e qartë: të ndërtojmë një shoqëri ku asnjë fëmijë nuk rritet në varfëri, asnjë punëtor nuk lihet pas dore dhe ku çdo person mund të arrijë potencialin e tij të plotë.”
Massimiliano Paolucci, Menaxheri i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, vuri në dukje rëndësinë e investimeve të qëndrueshme në arsim, inovacion dhe zhvillimin e aftësive, për të zhbllokuar potencialin afatgjatë të rritjes dhe konkurrueshmërisë së Shqipërisë.
Olta Manjani, Zëvendësministre e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Kryetare e Grupit të Menaxhimit të Politikave të Integruara për Kapitalin Njerëzor, theksoi se duke modernizuar sistemet e arsimit, duke promovuar të nxënit gjatë gjithë jetës dhe duke përshtatur aftësitë me nevojat e tregut të punës, do të mund të krijojmë një fuqi punëtore që është produktive, e aftë, konkurruese dhe gati për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Federica Mogherini, Rektore e Kolegjit të Evropës, reflektoi mbi rëndësinë e zhvillimit të kapitalit njerëzor si një nga shtyllat, ndoshta të nënvlerësuara, por jetësore, të procesit të integrimit evropian. Zhvillimi i njohurive dhe kapaciteteve të popullsisë është thelbësor dhe Kolegji i Evropës do të kontribuojë aktivisht për këtë.
“Momente të tilla harmonizimi janë të rralla. Le ta shndërrojmë konvergjencën e sotme në ndryshim të qëndrueshëm të sistemeve. Së bashku, qeveria, BE-ja, OKB-ja, Banka Botërore, shoqëria civile dhe akademia mund të bëjmë të mundur që çdo fëmijë shqiptar të arrijë potencialin e tij të plotë. Ky është zhvillimi i kapitalit njerëzor që Shqipëria meriton, dhe ky është themeli mbi të cilin do të ndërtohet Shqipëria evropiane.”
Diskutimet pasqyruan tema më të gjera të partneritetit dhe përgjegjësisë së përbashkët në avancimin e agjendës së zhvillimit të Shqipërisë. BE-ja, OKB-ja dhe Banka Botërore në Shqipëri konfirmuan edhe njëherë angazhimin e tyre të përbashkët për të mbështetur politikat dhe investimet që fuqizojnë njerëzit dhe forcojnë qëndrueshmërinë, përfshirjen dhe kapacitetin e vendit për inovacion. Ata gjithashtu nënvizuan se koordinimi i fazave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) është një mundësi të mirë për të nxitur reforma të bazuara në prova dhe me në qendër njerëzit që do të garantojnë që askush të mos mbetet pas.
Përpara konferencës, të tre institucionet publikuan së bashku një artikull me titull “Investimi në Kapitalin Njerëzor të Shqipërisë: Një Partneritet Strategjik për Integrimin në BE dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”. Artikulli theksoi se forca më e madhe e Shqipërisë dhe çelësi i së ardhmes së saj qëndron te populli i saj, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë. Artikulli bën thirrje për investime strategjike në edukimin në fëmijërinë e hershme, kompetencat digjitale dhe tregjet gjithëpërfshirëse të punës si hapa thelbësorë drejt forcimit të kapitalit njerëzor të Shqipërisë dhe sigurimit që integrimi në BE të sjellë përfitime të prekshme për të gjithë.
Lexoni artikullin në anglisht: https://albania.un.org/en/303643-albanias-human-capital-investment-stra…
Lexoni artikullin në shqip: https://albania.un.org/sq/303643-investimi-n%C3%AB-kapitalin-njer%C3%AB…