Shqipëria shënon Ditën e Kombeve të Bashkuara 2025, duke festuar 80 vjetorin e OKB-së dhe 70 vjet anëtarësim
24 tetor 2025
Mesazhi i Sekretarit të Përgjithshëm, angazhimi i të rinjve dhe përkushtimi i Shqipërisë ndaj SDG-ve dhe anëtarësimit në BE në qendër të festimeve në Tiranë
Shqipëria festoi Ditën e Kombeve të Bashkuara 2025, duke shënuar 80 vjetorin e OKB-së dhe 70 vjetorin e anëtarësimit të saj, në një pritje të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në partneritet me OKB Shqipëri.
Ngjarja mblodhi përfaqësues nga qeveria, institucionet shtetërore, trupi diplomatik, organizatat ndërkombëtare, dhe të tjerë bashkëpunëtorë për zhvillim të qëndrueshëm.
Pritja nisi me një video mesazh nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i cili i kujtoi të gjithëve se sfidat globale mund të zgjidhen vetëm së bashku. Ai bëri thirrje që të gjitha vendet të veprojnë në solidaritet, duke theksuar se “ne, popujt” duhet të qëndrojmë së bashku për të përmbushur premtimin e jashtëzakonshëm të Kombeve të Bashkuara.
Mesazhi i tij i dha ton frymëzues aktivitetit, duke nxjerrë në pah rëndësinë e bashkëpunimit, paqes, të drejtave të njeriut dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Alesia Dodaj, Përfaqësuesja e Rinisë së Shqipërisë në OKB, qe moderoi aktivitetin, theksoi fuqinë e unitetit dhe angazhimit të të rinjve, duke bërë thirrje për një të ardhme ku të rinjtë janë në qendër të proceseve demokratike dhe zhvillimore, si në nivel kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar.
Fjalë kryesore mbajtën Zv/Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Vilma Premti, dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald.
Të dyja theksuan angazhimin e Shqipërisë ndaj multilateralizmit, paqes dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), si dhe forcën e partneritetit OKB–Shqipëri.
Koordinatorja e Përhershme e OKB-së Macdonald përshkroi se si agjencitë e OKB-së po ndihmojnë Shqipërinë të fuqizojë përparësitë kombëtare dhe aspiratat për anëtarësim në BE duke përshpejtuar arritjen e SDG-ve. Ajo theksoi katër fusha kyçe të veprimit të përbashkët: zhvillimin e kapitalit njerëzor, rritjen e gjelbër dhe gjithëpërfshirëse, sundimin e ligjit dhe qeverisjen e mirë, si dhe barazinë gjinore. Në kuadër të ngjarjeve të pritshme ajo përmendi pjesëmarrjen e Shqipërisë në Samitin e Dytë Botëror Social në Doha (4–6 nëntor), ku vendi do të angazhohet në nivelin më të lartë për të promovuar përfshirjen, barazinë dhe një kontratë të re globale sociale — duke reflektuar angazhimin për të çliruar potencialin njerëzor në rrugën drejt integrimit në BE.
Pjesëmarrësit gjithashtu panë një dokumentar të shkurtër premierë që reflektonte mbi ndikimin e OKB-së gjatë tetë dekadave. Dokumentari nxori në pah themelimin e organizatës në 1945, miratimin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, krijimin e operacioneve paqeruajtëse, shuarjen epidemies së lisë, përparimin në të drejtat e grave, Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke rrëfyer historinë e OKB-së si një platformë për bashkëpunim, ndërmjetësim dhe përparim global.
Ky aktivitet theksoi përkushtimin e Shqipërisë ndaj multilateralizmit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe solidaritetit ndërkombëtar — vlera që do ta udhëheqin vendin në rrugëtimin e tij drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe një të ardhmeje më gjithëpërfshirëse.
#UNDay2025 #UN80 #AlbaniaUN70 #GlobalPartnership #EUAccession #SDGs #YouthEmpowerment #GenderEquality