Njoftimi për media

Kombet e Bashkuara në Shqipëri mirëpresin miratimin e Ligjit të ri për Barazinë Gjinore

07 nëntor 2025

Kombet e Bashkuara në Shqipëri mirëpresin miratimin e Ligjit të ri për Barazinë Gjinore.

Ligji i ri përditëson dhe forcon legjislacionin ekzistues për të eliminuar diskriminimin me bazë gjinore. Ai synon të garantojë, mbrojë dhe promovojë barazinë gjinore si një vlerë themelore demokratike. Duke harmonizuar kuadrin ligjor kombëtar me acquis të Bashkimit Europian për barazinë gjinore, Ligji për Barazinë Gjinore përfaqëson një gur themeli në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE dhe zbaton një rekomandim specifik të dhënë për Shqipërinë nga Komiteti i OKB-së për CEDAW.

Ligji i ri riafirmon angazhimin e vendit për të përshpejtuar arritjen e barazisë thelbësore ndërmjet grave dhe burrave, siç është përcaktuar në Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore: ai identifikon masa për të eliminuar diskriminimin gjinor në fusha kyçe si puna, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, teknologjitë e informacionit dhe komunikimit dhe media, bujqësia dhe zhvillimi rural, duke njohur dhe vlerësuar njëkohësisht punën e papaguar të kujdesit. Pa cenuar meritën, ligji nxit pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse dhe të barabartë të grave dhe burrave si në administratën publike ashtu edhe në sektorin privat.

Ligji për barazinë gjinore nuk synon të prezantojë gjini të reja, të rregullojë familjen apo të ndëshkojë burrat. Përkundrazi, duke krijuar kushte për akses të barabartë në mundësi, ai fuqizon si burrat, ashtu edhe gratë, djemtë dhe vajzat, dhe në fund të fundit familjen si shtyllë të strukturës shoqërore të vendit. Ky ligj nuk është vetëm për gratë. Ai është për të gjithë.

Kombet e Bashkuara në Shqipëri dëshirojnë të njohin dhe vlerësojnë të gjithë ata që kanë kontribuar në arritjen e këtij momenti kyç përmes një procesi të gjatë dhe gjithëpërfshirës. Ne shprehim gjithashtu shqetësimin e thellë për faktin se debati publik shpesh është karakterizuar nga dezinformimi, përçarja dhe sulmet personale ndaj aktivisteve të grave dhe nëpunësve civilë ndërkombëtarë.

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

UN
United Nations

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme