Sekretari i Përgjithshëm - Mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara
03 dhjetor 2025
Personat me aftësi të kufizuara po transformojnë shoqëritë — duke udhëhequr inovacionin, duke ndikuar në hartimin e politikave dhe duke mobilizuar për drejtësi. Megjithatë, shumë shpesh atyre u mohohet një vend në tryezat ku merren vendimet.
Deklarata Politike e Dohas, e miratuar në Samitin Botëror për Zhvillimin Social muajin e kaluar, ripohoi një të vërtetë thelbësore: nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm pa përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara.
Personat me aftësi të kufizuara nxisin përparimin që sjell përfitim për të gjithë. Udhëheqja e tyre ka përmirësuar gatishmërinë ndaj fatkeqësive natyrore, ka zgjeruar arsimin dhe punësimin gjithëpërfshirës, dhe ka siguruar që reagimet humanitare të arrijnë tek ata më të rrezikuarit.
Shumë prej inovacioneve që formësojnë jetën tonë të përditshme — nga mesazhet me tekst deri te teknologjia me komandë zanore — kanë filluar si zgjidhje të zhvilluara nga dhe për personat me aftësi të kufizuara.
Megjithatë, pengesat sistemike vazhdojnë: diskriminimi, varfëria dhe shërbimet e paaksesueshme vazhdojnë të kufizojnë pjesëmarrjen e mbi një miliard personave me aftësi të kufizuara në mbarë botën.
Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, le të angazhohemi të punojmë krah për krah me personat me aftësi të kufizuara, në gjithë larmishmërinë e tyre, si partnerë të barabartë.
Kur përfshirja është reale, përfitojnë të gjithë. Së bashku, mund të ndërtojmë shoqëri më të aksesueshme dhe më elastike, ku ne të gjithë të lulëzojmë.