Shqipëria prezanton Profilin Kombëtar të Barazisë Gjinore 2025: Janë bërë përparime, por problemet për gratë dhe vajzat mbeten
16 dhjetor 2025
Kombet e Bashkuara, UN Women, Bashkimi Evropian në Shqipëri dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale prezantuan sot Profilin Kombëtar të Barazisë Gjinore për Shqipërinë.
Raporti, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i hartuar në bashkëpunim të ngushtë me institucionet publike, shoqërinë civile dhe akademinë, ofron të dhëna mbi arritjet e fundit dhe sfidat e mbetura me të cilat përballen gratë dhe vajzat në fusha kryesore.
Profili Kombëtar tregon se Shqipëria ka bërë përparim në forcimin e kuadrit ligjor dhe politik për barazinë gjinore, në përputhje me angazhimet globale dhe kërkesat e Bashkimit Evropian. Megjithatë, zbatimi i ligjeve dhe politikave mbetet ende i pabarabartë. Gratë në Shqipëri vazhdojnë të përballen me pengesa në aksesin ndaj mundësive ekonomike dhe janë viktima të formave të ndryshme të dhunës.
Në aktivitet morën pjesë zyrtarë të lartë, përfshirë Koordinatoren e Përhershme të OKB-së, Ingrid Macdonald, Ambasadorin e BE-së, Silvio Gonzato, dhe Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof.Evis Sala, të cilët diskutuan gjetjet e raportit në një panel të përbashkët.
Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, Ingrid Macdonald, theksoi nevojën për të kthyer angazhimet në veprime konkrete:
“Profili Kombëtar i Barazisë Gjinore tregon se, ndërkohë që Shqipëria ka ndërmarrë angazhime të forta, shumë gra dhe vajza vazhdojnë të përballen me pengesa që kufizojnë të drejtat dhe zgjedhjet e tyre, duke minuar kështu përparimin e përgjithshëm social dhe ekonomik të vendit. Prandaj, sot është një moment kyç për veprim të përbashkët për ta avancuar barazinë gjinore. Nëse duam që Shqipëria të përshpejtojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të përfitojë nga reformat e BE-së, është thelbësore të investojmë në sisteme dhe shërbime që promovojnë dhe fuqizojnë në mënyrë të barabartë gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë.”
Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato, theksoi se barazia gjinore është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë dhe aspiratat e saj drejt Bashkimit Evropian:
“Dhuna me bazë gjinore është një nga çështjet më serioze të të drejtave të njeriut në Shqipëri. E drejta për të jetuar pa dhunë është një e drejtë themelore e njeriut dhe një komponent thelbësor i procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Për të arritur ndryshim të vërtetë në shoqëri, nevojitet zbatim efektiv i ligjeve të reja, dhe krijimi i një sistemi efikas dhe mbështetës për viktimat. Po ashtu, duhet të bashkojmë forcat për të ndryshuar mentalitetet që tolerojnë sjelljen e dhunshme dhe stigmatizojnë viktimat, në mënyrë që gratë dhe vajzat të ndihen në Shqipëri të sigurta dhe të mbrojtura.”
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, prof. Evis Sala, theksoi rolin qendror të reformave të fundit ligjore në forcimin e reagimit të Shqipërisë ndaj pabarazisë gjinore dhe në garantimin e mbrojtjes dhe mundësive të barabarta për të gjitha gratë dhe vajzat.
“Ligji i ri për Barazinë Gjinore dhe zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore 2021– 2030, së bashku me buxhetimin e përgjigjshëm gjinor, i cili tashmë përbën 10% të buxhetit kombëtar, tregojnë se Shqipëria po e shndërron barazinë gjinore nga një parim në politika konkrete.”
Profili Kombëtar thekson se rritja e investimeve për zbatimin e Ligjit të ri për Barazinë Gjinore, si dhe për Ligjin e ardhshëm për Dhunën ndaj Grave dhe Vajzave dhe Dhunën në Familje, janë thelbësore për të mbyllur boshllëqet ekzistuese. Për të adresuar këto çështje, raporti përfshin një sërë rekomandimesh, si:
- forcimi i kapaciteteve institucionale për adresimin e dhunës ndaj grave,
- përmirësimi i të dhënave mbi barazinë gjinore,
- investimi në shërbime që reduktojnë dhe rishpërndajnë punën e papaguar të kujdesit,
- si dhe promovimi i kontributit aktiv të grave në ekonomi dhe në vendimmarrje në nivel vendor.
Profili Kombëtar i Barazisë Gjinore është një mjet i rëndësishëm për përpjekje më të gjera dhe të koordinuara për avancimin e barazisë gjinore në Shqipëri. Ndërsa vendi i afrohet procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Profili shërben si udhërrëfyes për harmonizimin e politikave dhe legjislacionit me standardet e BE-së për barazinë gjinore. Gjithashtu ky dokument mbështet përshpejtimin e veprimeve drejt SDG 5, objektivi për barazinë gjinore, në mënyrë që çdo grua dhe vajzë që jeton në Shqipëri të mund të gëzojë plotësisht të drejtat dhe të zhvillojë potencialin e saj.
Disa të dhënat kryesore i gjeni këtu: https://albania.unwomen.org/sites/default/files/2025-12/cgep_infographi…