Njoftimi për media

UNOPS forcon kapacitetet e Prokurorisë në Shqipëri përmes iniciativës EU4DigitalJustice financuar nga Bashkimi Evropian

24 prill 2026

Lajme nga UNOPS Shqipëri

Bashkimi Evropian i dhuroi sot pajisje rrjeti IT Prokurorisë së Përgjithshme, duke mbështetur dixhitalizimin e sektorit të drejtësisë në Shqipëri. Investimi, me vlerë 240,000 euro, përfshin furnizimin me pajisje, konfigurimin dhe instalimin, garancitë dhe shërbimet e mbështetjes teknike dhe do të modernizojë dhe forcojë infrastrukturën e rrjetit të Prokurorisë së Përgjithshme dhe zyrave të ndryshme të prokurorisë në të gjithë vendin.

Infrastruktura e përmirësuar e rrjetit do të rrisë besueshmërinë e sistemit, sigurinë kibernetike dhe performancën e përgjithshme. Këto përmirësime krijojnë themelin për Sistemin e ri të Menaxhimit të Çështjeve që do ta bëjnë procesin e drejtësisë më të shpejtë dhe më transparent, do të mundësojnë shkëmbimin e sigurt të të dhënave midis institucioneve dhe do të sigurojnë vazhdimësinë operative në të gjithë sistemin e prokurorisë.

Olsian Çela, Prokuror i Përgjithshëm i Shqipërisë, tha me këtë rast : “E vlerësoj si shumë të mirë ecurinë e procesit deri më tani. Janë respektuar plotësisht afatet e vendosura, ashtu siç është për t’u vlerësuar maksimalisht cilësia e punës së realizuar nga UNOPS. Ne mbetemi të angazhuar si institucion në mbështetjen e këtij projekti me të gjitha kapacitetet tona”. 

Cinzia Tarletti, Drejtore e Seksionit të Qeverisjes së Mirë dhe Sundimit të Ligjit në Delegacionin e BE-së në Shqipëri, tha: “Ky investim shënon një hap të rëndësishëm drejt ndërtimit të një sistemi drejtësie dixhital më të qëndrueshëm dhe efikas në Shqipëri. Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur Shqipërinë në forcimin e sundimit të ligjit përmes transformimit të qëndrueshëm dixhital. Ne besojmë se këto pajisje do të përdoren në mënyrë efektive, duke i ndihmuar qytetarët të përfitojnë nga një sistem drejtësie më i aksesueshëm dhe efikas.”

Sabine Kania, Drejtore e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në Shqipëri dhe Kosovë, tha: “Përmes projektit EU4Digital Justice, ne po mbështesim transformimin digjital të sistemit të drejtësisë duke forcuar ndërveprueshmërinë, përmirësuar efikasitetin dhe thjeshtuar proceset. Në brenda pak më shumë se një vit janë arritur pika të rëndësishme, nga bërja bashkë e aktorëve dhe nënshkrimi i udhërrëfyesit për digjitalizimin, deri te miratimi i kërkesave për një sistem të ri të menaxhimit të çështjeve. Kjo është arritur falë një bashkëpunimi shumë të mirë me Prokurorinë e Përgjithshme dhe mbështetjes së vazhdueshme nga Bashkimi Evropian. Ndërsa në një reformë kaq komplekse sfidat mbeten, ambicia jonë është të kontribuojmë në ndërtimin e një sistemi drejtësie më modern, më efikas dhe më të aksesueshëm për Shqipërinë.” 

Investimi është pjesë e projektit EU4Digital Justice të financuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatuar nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS), duke u ofruar profesionistëve ligjorë, publikut dhe shoqërisë civile shërbime drejtësie më të shpejta, më transparente dhe më të arritshme.

Shënim për Redaktorët

Rreth EU4Digital Justice

Projekti EU4Digital Justice, i zbatuar nga UNOPS dhe i financuar nga Bashkimi Evropian në kuadër të IPA III me një buxhet prej 7.5 milionë eurosh, synon të transformojë sistemin e drejtësisë së Shqipërisë përmes inovacionit dixhital. Gjatë 48 muajve, projekti do të krijojë një Sistem Modern të Menaxhimit të Çështjeve për Zyrën e Prokurorit, do të përmirësojë kapacitetin e Qendrës së Teknologjisë së Informacionit për Sistemin e Drejtësisë dhe do të zbatojë mjete të Inteligjencës së Biznesit për vendimmarrje të bazuara në të dhëna. Kjo iniciativë synon të forcojë sundimin e ligjit, të përmirësojë efikasitetin institucional dhe të ofrojë shërbime drejtësie më të shpejta dhe më transparente, në përputhje me standardet e BE-së.

Rreth UNOPS

Misioni i UNOPS është të ndihmojë njerëzit të ndërtojnë jetë më të mira dhe vendet të arrijnë paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ne ndihmojmë Kombet e Bashkuara, qeveritë dhe partnerë të tjerë të menaxhojnë projektet dhe të ofrojnë infrastrukturë dhe prokurim të qëndrueshëm në një mënyrë efikase. Lexoni më shumë: www.unops.org

Rreth Bashkimit Evropian në Shqipëri

Bashkimi Evropian është partneri më i fortë i zhvillimit i Shqipërisë, duke ofruar mbi 100 milionë euro çdo vit në ndihmë me grante për të mbështetur popullin shqiptar dhe për të ndihmuar Shqipërinë të miratojë dhe zbatojë reforma kyçe politike, institucionale, sociale dhe ekonomike për t'u përputhur me vlerat e BE-së dhe për t'u përshtatur në mënyrë progresive me rregullat e saj.

Informacione të mëtejshme mbi projektet e financuara nga BE në Shqipëri dhe bashkëpunimin BE-Shqipëri mund të gjenden në: 

https://www.eeas.europa.eu/delegations/albania_sq?s=214 

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

UNOPS
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme