Fjalim nga Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara, Fiona McCluney, në Konferencën Kombëtare “Sfidat e përbashkëta dhe rrugët e reja në luftën kundër korrupsionit: digjitalizimi si një instrument antikorrupsion”
Sesioni IV: “Është pushteti i njerëzve të zakonshëm ai, që do të mbajë përgjegjësinë”. Roli i medias dhe shoqërisë civile në perceptimin e korrupsionit.
Të nderuar shkëlqesi, ambasadorë, kolegë dhe miq,
Së pari, më lejoni të falënderoj ministren Milva Ikonomi që më ftoi të jem folëse kryesore në këtë sesion dhe për rolin e saj si ministre përgjegjëse në organizimin e kësaj konference kaq të rëndësishme.
Jam shumë e lumtur të jem sot këtu me ju, në këtë event tejet domethënës, për të diskutuar rreth rezultateve dhe nevojës për punë dhe partneritete të përbashkëta në luftën kundër korrupsionit në shoqërinë shqiptare.
Pikë së pari, do të dëshiroja të përgëzoja Qeverinë e Shqipërisë për prezantimin e një panorame të plotë dhe inkurajuese të progresit të shënuar gjatë vitit 2021, dhe të situatës së ndershme dhe realiste të sfidave që na presin.
OKB-ja është e lumtur dhe krenare që ka kontribuar për realizimin e masave kyç lidhur me luftën dhe parandalimin e korrupsionit, duke nënvizuar se ky kontribut është mundësuar nëpërmjet partneritetit me disa partnerë zhvillimi dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet e qeverisjes qendrore dhe vendore.
Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) bëjnë një lidhje të qartë të korrupsionit dhe shoqërive paqësore, të drejta dhe gjithëpërfshirëse.
OZHQ 16 dhe synimet e saj të reduktimit të mitëmarrjes/mitëdhënies, forcimit të institucioneve, dhe aksesit në informacion nuk janë vetëm aspirata të vyera në vetvete, por edhe kushte të nevojshme për arritjen e të 17 objektivave.
Nga pikëpamja njerëzore, liritë, zgjedhjet dhe mundësitë e njerëzve vazhdojnë të cenohen nga praktikat korruptive që shtrembërojnë shpërndarjen e të ardhurave dhe vendimet për shpenzimet publike.
Korrupsioni gërryen besimin e njerëzve tek institucionet publike, cenon shtetin e së drejtës, dëmton sistemet e kontrollit dhe balancës, dhe sjell dhunë dhe pasiguri.
Për Shqipërinë, lufta kundër korrupsionit është një çështje e ngutshme për të forcuar shtetin e së drejtës. Megjithatë, është një prioritet kyç edhe në kuadër të integrimit të vendit në BE. Gjithashtu, ruajtja e integritetit dhe zbatimi i masave sistematike kundër korrupsionit janë jetike në kontekstin e reformave në administratën publike.
Jam e kënaqur që në këtë sesion kemi mundësinë të shohim rolin specifik të medias dhe shoqërisë civile në luftën kundër korrupsionit.
Duke qenë një dukuri komplekse dhe shumështresore, është thelbësore që të merren në konsideratë aktorë dhe pikëpamje të ndryshme.
Promovimi i një mjedisi mundësues është thelbi i mirëqeverisjes dhe shtetit të së drejtës. Siç dëgjuam edhe këtë mëngjes nga Nick Thus nga SIGMA mbi rëndësinë e sistemeve rritëse dhe zbritëse të llogaridhënies dhe transparencës së ndërsjellë.
Dhe me mjedis mundësues unë nënkuptoj media të pavarura, të lira dhe pluraliste, si dhe shoqëri civile aktive dhe të angazhuar.
Media dhe shoqëria civile mund të kontribuojnë për të siguruar transparencë dhe llogaridhënie, për të promovuar pjesëmarrje në diskutime publike dhe politike, dhe për të nxitur procese demokratike.
Ato mund të luajnë një rol kyç në luftën kundër korrupsionit, nëpërmjet monitorimit dhe raportimit.
Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se kërkimi i transparencës dhe llogaridhënies mund të sjellë edhe risk personal.
Në 3 majin e shkuar, me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, unë bëra një deklaratë të përbashkët me Shefin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Vincenzo Del Monaco.
Në veçanti, ne theksuam mënyrat e shumta sipas të cilave gazetaria rrezikohet nga mbikëqyrja dhe sulmet me ndërmjetësim digjital mbi gazetarët, dhe pasojat e besimit të publikut te komunikimet digjitale.
Epoka digjitale ka krijuar një mjedis të vrullshëm zhvillimi, i cili megjithëse nga njëra anë ka demokratizuar aksesin në informacion dhe ka rritur shkëmbimet ndërkufitare, nga ana tjetër ka ndikuar tek e drejta për privatësi, dhe në shumë rrethana i vendos punonjësit e medias dhe burimet e tyre në rrezik të madh për t’u shënjestruar, për t’u ngacmuar dhe për t’u sulmuar.
Prandaj, profesionistët e medias dhe gazetarët duhet të mbrohen për të kryer punën e tyre thelbësore të lirshëm dhe të sigurt.
Duke qenë se digjitalizimi, si një instrument antikorrupsion, është një nga temat kryesore të kësaj konference, unë besoj se kjo është një vërejtje e rëndësishme për t’u bërë.
Tani, më lejoni t’u kthehem disa pikave konkrete lidhur me atë çfarë bëjmë ne si OKB në Shqipëri për antikorrupsionin.
UNODC-ja, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin, me seli në Vjenë, qershorin e shkuar mbështeti Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë edhe Shqipërinë, në hartimin dhe miratimin e një Udhërrëfyesi Rajonal me temë “Antikorrupsioni dhe Financimet e Paligjshme” (qershor 2021). Ky dokument strategjik përqendrohet te tri qëllime kryesore/fusha prioritare për rajonin:
1) parandalimi dhe luftimi i korrupsionit në prokurimin publik, diçka që u trajtua më herët gjatë paradites.
2) forcimi i të kuptuarit të konfliktit të interesit dhe i sistemeve të deklarimit të pasurisë, dhe krijimi i një rrjeti rajonal të prokurorëve të specializuar, zbatimi i ligjit, dhe së fundi
3) agjencitë e inteligjencës financiare, si përgjigje ndaj korrupsionit dhe krimit ekonomik.
Udhërrëfyesi përcakton kuadrin e monitorimit dhe vendosjes së qëllimeve, dhe veprime specifike e trajnim për t’i çuar përpara këto qëllime.
Mbështetja e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, në luftën kundër korrupsionit është mjaft e dukshme në dy nisma: e para lidhur me promovimin e Planeve të Integritetit, dhe e dyta lidhur me kryerjen e sondazhit vjetor të opinionit “Besimi në Qeverisje”. Kjo punë lidhet drejtpërdrejt me rolin e shoqërisë civile, si dhe të medias, ose siç po diskutojmë në këtë panel, pushtetin e njerëzve të zakonshëm për llogaridhënien nëpërmjet rolit të shoqërisë civile dhe medias, i cili konsiderohet një faktor i rëndësishëm.
Planet e integritetit përfshijnë një set masash parandaluese kundër korrupsionit, të cilat trajtojnë rreziqet e identifikuara që mund të favorizojnë sjelljen korruptive të nëpunësve civilë. Planet e integritetit kanë si synim të krijojnë një kulturë të menaxhimit publik që përcakton etikën dhe integritetin si gurë themeli të mirëqeverisjes.
• Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim nga shoqëria civile dhe Ministria e Drejtësisë, në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Antikorrupsion, ishin partnerët kryesorë gjatë pilotimit të gjashtë Planeve të Integritetit dhe miratimit të metodologjisë së vlerësimit të riskut.
• Kjo përvojë u zhvillua në vitin 2020 me miratimin e metodologjisë për institucionet publike qendrore dhe me zhvillimin e planifikimit të integritetit për Ministrinë e Drejtësisë, duke përfaqësuar institucionin e parë qendror që zbaton këtë standard.
• UNDP-ja ka mbështetur shtrirjen e mëtejshme të kësaj praktike gjatë vitit 2022 në ministritë e linjës, duke përfshirë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, të Kulturës, të Punëve të Jashtme, dhe Integrimit në BE, të Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe të Turizmit dhe Mjedisit, dhe vazhdon të punojë në nivelin vendor për të zgjeruar përvojën e planifikimit të integritetit në 14 bashki të tjera, duke krijuar një masë kritike për një standard kombëtar dhe përputhshmëri.
• Deri më sot, 14 bashki kanë një Plan Integriteti të miratuar nga këshillat bashkiakë përkatës, dhe 6 bashki të tjera janë në fazën e finalizimit të planeve të tyre.
Gjithashtu, UNDP-ja dhe IDM-ja po punojnë për zhvillimin e Indeksit të Integritetit, i cili me gjasë do të shërbejë si një instrument për monitorimin e nivelit të integritetit institucional dhe të performancës antikorrupsion.
Produkti tjetër përkatës i UNDP-së është Sondazhi vjetor i Opinionit “Besimi në Qeverisje”. Sondazhi i Opinionit “Besimi në Qeverisje”, i cili kryhet që prej vitit 2013, është një instrument që i jep zë asaj që mendojnë njerëzit, duke mundësuar monitorimin e përvitshëm të besimit dhe perceptimeve të publikut për qeverisjen dhe angazhimin qytetar në Shqipëri.
Nëpërmjet një metodologjie të mirëprovuar, ai eksploron perceptimet dhe qëndrimet e publikut lidhur me besueshmërinë e institucioneve publike, transparencën institucionale dhe llogaridhënien, korrupsionin, ndikimin politik, nivelin e angazhimit qytetar në politikëbërje dhe vendimmarrje, kënaqshmërinë me ofrimin e shërbimit publik, gjininë dhe përfshirjen sociale. Informimi i rregullt i publikut duhet të ofrojë evidenca për të parë ndryshimet në qëndrimet dhe perceptimet lidhur me korrupsionin.
Përpara se të përfundoja këtë fjalim, u hodha një sy të shpejtë sondazheve, të cilat janë online, dhe është interesant fakti që media dhe shoqëria civile perceptoheshin si institucionet kryesore që i kërkojnë llogari qeverisë. Sondazhi i vitit 2021 do të publikohet së shpejti, dhe unë nxis këdo që ta shohë këtë burim informacioni që evidenton se si ndryshojnë prirjet në perceptimet e performancës nga institucione të ndryshme. Forma e analizës së prirjeve, që mundëson Sondazhi i Opinionit “Besimi në Qeverisje”, ofron një burim të dobishëm për raportim nga media ose një referencë për shoqërinë civile për rishikimin e politikave, planifikimin e ndërhyrjeve, dhe zbatimin e vlerësimin e rezultateve në terren.
Faleminderit për vëmendjen që iu kushtuat këtyre pikave të përgjithshme! Përpara se të kthehem te bashkëfolësit, do të dëshiroja të nënvizoja edhe një herë rolin kyç që kanë media dhe shoqëria civile për të çuar përpara agjendën antikorrupsion, që theksohet tek OZHQ 16, si dhe për punën e hollësishme lidhur me rrugën e aderimit të Shqipërisë në BE. Në fakt, njësoj si tema e këtij sesioni: “Është pushteti që kanë njerëzit e zakonshëm ai që i mban drejtuesit dhe institucionet të përgjegjshëm”, do të thosha se “zëri i njeriut të zakonshëm” dhe roli investigativ i medias janë dhe do të vazhdojnë të jenë faktorë kyç edhe në të ardhmen.
Faleminderit për mundësinë për të dhënë kontributin tim në këtë takim dhe pres me padurim të dëgjoj diskutime të tjera të pasura gjatë kësaj konference.