Reportazh
16 shtator 2026
Bota vjen në Nju-Jork: Çfarë pritet gjatë Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së
Çdo shtator, Nju-Jorku bëhet qendra e diplomacisë globale, ndërsa presidentë, kryeministra, ministra dhe diplomatë nga e gjithë bota mblidhen në selinë e Kombeve të Bashkuara.Në një kohë tensionesh gjeopolitike në rritje dhe krizash globale që ndërthuren me njëra-tjetrën, udhëheqësit do të trajtojnë një agjendë të ngjeshur, që përfshin konfliktet dhe sigurinë ndërkombëtare, ndryshimet klimatike, gatishmërinë ndaj pandemive, rritjen e nivelit të detit, luftën kundër racizmit dhe përparimin drejt Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG-ve).Java e Nivelit të Lartë e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së zhvillohet në një kontekst përçarjesh në rritje ndërmjet vendeve dhe trysnie mbi sistemin shumëpalësh. Sesioni do të kryesohet nga Presidenti i sapozgjedhur i Asamblesë, Khalilur Rahman, nga Bangladeshi, nën temën: “Rikthimi i besimit, menaxhimi i transformimit: Një Organizatë e Kombeve të Bashkuara që sjell rezultate për të gjithë.”Takimi më i madh diplomatik në botëNë qendër të Javës së Nivelit të Lartë është Debati i Përgjithshëm, i cili nis më 22 shtator. Për disa ditë me radhë, presidentë, kryeministra dhe përfaqësues të lartë të të gjitha 193 shteteve anëtare të OKB-së do t’i drejtohen Asamblesë së Përgjithshme nga foltorja e saj emblematike prej mermeri të gjelbër.Fjalimet ofrojnë një panoramë globale të përparësive dhe shqetësimeve kombëtare, ku pritet të zënë vend të rëndësishëm konfliktet, sfidat ekonomike, krizat humanitare, ndryshimet klimatike, zhvillimi dhe teknologjitë e reja.Megjithatë, një pjesë e madhe e diplomacisë zhvillohet pas dyerve të mbyllura, ku qindra takime dypalëshe dhe shumëpalëshe u ofrojnë udhëheqësve një mundësi të rrallë për t’u takuar me aleatë, partnerë dhe rivalë në të njëjtin vend. A mund ta përmbushë ende bota afatin e vitit 2030?Përpara nisjes së Debatit të Përgjithshëm, udhëheqësit do të mblidhen më 18 shtator për aktivitetin e përvitshëm Momenti i SDG-ve.Në vitin 2015, vendet miratuan 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm, me synimin për të trajtuar deri në vitin 2030 sfida që shtrihen nga varfëria dhe uria te arsimi, uji i pastër dhe aksesi në energji.Me më pak se pesë vjet të mbetura, takimi do të përqendrohet jo vetëm në vlerësimin e përparimit, por edhe në evidentimin e zgjidhjeve praktike që mund të zgjerohen dhe të zbatohen edhe në vende të tjera.Veprimi për klimën në një botë që po ngrohetMë 23 shtator, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, do të mbledhë udhëheqësit botërorë në një aktivitet të nivelit të lartë për Veprimin për Klimën dhe Tranzicionin e Drejtë.Ndërsa temperaturat globale vazhdojnë të rriten, diskutimet do të përqendrohen në përshpejtimin e kalimit drejt energjisë së rinovueshme, shtimin e financimit për klimën për vendet në zhvillim dhe forcimin e mbështetjes për komunitetet që tashmë po përjetojnë pasojat e ndryshimeve klimatike.Ditën pasuese, udhëheqësit do ta drejtojnë vëmendjen te rritja e nivelit të detit, një nga pasojat më të dukshme të ngrohjes globale. Për shumë shtete të vogla ishullore në zhvillim dhe komunitete bregdetare në zona të ulëta, rritja e nivelit të detit po kërcënon tashmë banesat, infrastrukturën dhe furnizimin me ujë të pastër.Takimi synon të forcojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të mobilizojë mbështetje për vendet më të rrezikuara. Përgatitja për pandeminë e ardhshmeMë 25 shtator, krerët e shteteve dhe të qeverive do t’u rikthehen mësimeve të nxjerra nga COVID-19.Pandemia tregoi se sa shpejt një shpërthim lokal mund të shndërrohet në një emergjencë globale dhe nxori në pah pabarazi të mëdha në aksesin ndaj vaksinave, barnave dhe burimeve të tjera thelbësore.Udhëheqësit që do të mblidhen për të diskutuar parandalimin, gatishmërinë dhe përgjigjen ndaj pandemive do të shqyrtojnë mënyrat për të forcuar sistemet shëndetësore, për të përmirësuar gatishmërinë dhe për të siguruar një përgjigje ndërkombëtare më të barabartë ndaj krizave të ardhshme shëndetësore.Të drejtat, barazia dhe përfshirjaNjë tjetër takim i rëndësishëm më 23 shtator do të shënojë 40-vjetorin e Deklaratës për të Drejtën për Zhvillim, të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme në vitin 1986. Deklarata përcaktoi se zhvillimi shkon përtej rritjes ekonomike, duke theksuar pjesëmarrjen, mundësitë dhe drejtësinë në shpërndarjen e përfitimeve.Më 28 shtator, OKB-ja do të shënojë gjithashtu 25-vjetorin e Deklaratës dhe Programit të Veprimit të Durbanit, një nga kuadrot kryesore ndërkombëtare për luftën kundër racizmit, diskriminimit racial, ksenofobisë dhe intolerancës së lidhur me to.Ky përvjetor ofron një mundësi për të vlerësuar përparimin dhe për të shqyrtuar arsyet pse diskriminimi mbetet një sfidë e vazhdueshme në shumë pjesë të botës. Mbajtja e çarmatimit bërthamor në agjendëSeria e takimeve të rëndësishme përmbyllet më 29 shtator me një mbledhje plenare të nivelit të lartë, që shënon Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Plotë të Armëve Bërthamore.Çarmatimi bërthamor ishte ndër çështjet e para të trajtuara nga Kombet e Bashkuara. Megjithatë, pothuajse tetë dekada më vonë, armët bërthamore mbeten pjesë e realitetit të sigurisë globale. OKB-ja vazhdon ta konsiderojë eliminimin e tyre të plotë si përparësinë e saj më të lartë në fushën e çarmatimit.“Ne, popujt”Java e Nivelit të Lartë e këtij viti zhvillohet në një moment kur bashkëpunimi ndërkombëtar është nën trysni. Nga konfliktet e armatosura dhe ndryshimet klimatike te thellimi i pabarazive, vendet përballen me një numër në rritje sfidash që asnjë komb nuk mund t’i zgjidhë i vetëm.Duke reflektuar mbi fjalët hyrëse të Kartës së OKB-së, Sekretari i Përgjithshëm António Guterres rikujtoi së fundmi qëllimin themelues të Organizatës:“Jo ne, të fuqishmit. Jo ne, fitimtarët. Ne, popujt – të gjithë ne – të bashkuar nga një bindje e vetme: se jemi më të sigurt, më të fortë dhe më njerëzorë kur qëndrojmë së bashku.”Përgjatë disa ditëve të shtatorit, udhëheqësit botërorë do të kenë mundësinë të tregojnë se deri ku janë të gatshëm të shkojnë për ta kthyer këtë parim në veprim.Një ndryshim në drejtimSesioni i 81-të do të jetë gjithashtu sesioni i fundit i Asamblesë së Përgjithshme që nis me António Guterres në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm. Mandati i tij i dytë dhe i fundit përfundon më 31 dhjetor 2026, duke mbyllur një dekadë në krye të Organizatës.Procesi i përzgjedhjes së pasardhësit të tij tashmë ka nisur. Sekretari i ardhshëm i Përgjithshëm i OKB-së do të marrë detyrën më 1 janar 2027, duke trashëguar një Organizatë që përballet me shumë prej të njëjtave sfida që pritet të mbizotërojnë gjatë Javës së Nivelit të Lartë të këtij viti. ***Ky artikull është botuar fillimisht në UN News.