Njoftimi për media

OKB në Shqipëri bën thirrje për adresimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara

03 dhjetor 2024

DEKLARATË PËR SHTYP (English Version further below)

Kombet e Bashkuara në Shqipëri bëjnë thirrje për veprim për adresimin e dhunës me të cilën përballen gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara në vend. Me gjithë ekzistencën e një kuadri të konsiderueshëm ligjor dhe të politikave, gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me forma të shumëfishta të dhunës, që rëndohet edhe më tej nga stigma, diskriminimi, dhe aksesi i kufizuar në shërbime mbështetëse me rëndësi jetike.

Në përgjigje ndaj kësaj çështjeje kritike, sistemi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri u bën thirrje për veprim organeve legjislative, organeve të qeverisjes qendrore dhe vendore, gjyqësorit, institucioneve kombëtare të të drejtave të njeriut, ofruesve të shërbimeve, organizatave të shoqërisë civile (OSHC-ve), dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ndër rekomandimet kryesore (link me versionin e shkurtër) përfshihen forcimi i zbatimit të legjislacionit ekzistues dhe harmonizimi i mëtejshëm i tij me standardet ndërkombëtare si dhe sigurimi i aksesueshmërisë së shërbimeve dhe i fondeve për organizatat që mbështesin të mbijetuarat e dhunës. Trajnimi i ofruesve të shërbimeve në lidhje me aftësinë e kufizuar, rritja e ndërgjegjësimit të publikut dhe nxitja e përfshirjes në vendimmarrje, janë pjesë kritike të reagimit në këtë fushë. 

Në të gjithë botën, gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara kanë deri në katër herë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë nga partneri intim, ndërsa në rajone si Evropa Juglindore dhe Lindore këto shifra janë deri në dhjetë herë më të larta. Një studim i kohëve të fundit thekson se gratë me aftësi të kufizuara në këto zona përjetojnë shkallë më të lartë të dhunës fizike, seksuale dhe psikologjike, ku përfshihet dhuna nga partnerët dhe jopartnerët, si dhe ngacmimi seksual.

Në Shqipëri, dhuna ndaj grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara shpesh është e fshehur dhe përkeqësohet nga stigma dhe stereotipet shoqërore të rrënjosura thellë, të cilat i izolojnë ato. Kjo pakëson mundësitë e tyre për arsimim, punësim dhe ndërveprim social dhe kontribuon në thellimin e varësisë ekonomike dhe varfërisë së tyre. Krahas kësaj, gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara intelektuale ose me probleme të shëndetit mendor përballen me një rrezik edhe më të madh abuzimi, që shpesh ushtrohet nga anëtarët e familjes, kujdestarët dhe ofruesit e shërbimeve.

Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara përballen me mosdhënie të mjekimit, izolim të detyruar në shtëpi dhe me kërcënime për braktisje dhe institucionalizim, shpesh nga kujdestarët ose anëtarët e familjeve të tyre. Për fat të keq, shumë ofrues shërbimesh nuk kanë aftësitë dhe kapacitetet e nevojshme për t’i trajtuar me efektivitet këto probleme, që rezulton në ndërhyrje të pamjaftueshme dhe izolim të mëtejshëm.

Ndonëse kuadri ligjor dhe i politikave në Shqipëri u ofron disa mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore personave me aftësi të kufizuara, ende ka mangësi në zbatim dhe në marrjen në konsideratë posaçërisht të sfidave me të cilat përballen gratë me aftësi të kufizuara për shkak të përkatësisë së  shumëfishtë të tyre. GREVIO, Grupi i Ekspertëve që monitoron zbatimin e Konventës së Stambollit të Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, ka theksuar se shërbimet shpesh janë të paaksesueshme, sidomos për gratë me probleme të shëndetit mendor, dhe se nuk ka masa për të siguruar aksesueshmërinë në mjedise kyçe, siç janë gjykatat dhe stacionet e policisë.

Organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri po punojnë pa u lodhur për të mbrojtur të drejtat e grave me aftësi të kufizuara, duke u ofruar atyre mbështetje ligjore dhe duke bërë punë ndërgjegjësuese për nevojat e tyre. Megjithatë, barrierat burokratike dhe aksesi i kufizuar në fonde shtetërore kanë bërë që këto organizata të vuajnë nga financimi i pamjaftueshëm kronik, që kufizon kapacitetin e tyre për t’u ofruar shërbimet e nevojshme grave me aftësi të kufizuara, në veçanti të mbijetuarave të dhunës.

Sistemi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri bën thirrje për një reagim kolektiv dhe urgjent, për të siguruar që gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara të mos mbeten pas. Është me rëndësi kritike që të gjithë palët e interesit, që nga organet qeveritare deri tek shoqëria civile, të punojnë së bashku për të krijuar një shoqëri ku të drejtat dhe dinjiteti i grave me aftësi të kufizuara respektohen, mbrohen dhe promovohen.

Dokumenti: https://albania.un.org/sq/284900-t%E2%80%99i-jepet-fund-dhun%C3%ABs-ndaj-grave-dhe-vajzave-me-aft%C3%ABsi-t%C3%AB-kufizuara-n%C3%AB-shqip%C3%ABri-parashtrim-i

guri

Guri Daco

RCO
Communications and Advocacy Officer
photo

Yllka Parllaku

UN Women
Communications Officer

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

RCO
United Nations Resident Coordinator Office
UN Women
United Nations Entity for Gender Equality and the Empowerment of Women

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme