UNHCR Shqipëri bashkohet me agjencitë e OKB-së për të festuar Javën e OKB-së

Java e OKB-së 202
Që nga 24 tetori, UNHCR Shqipëri u bashkua me agjencitë e tjera të OKB-së dhe Qeverinë shqiptare për të festuar Javën e Kombeve të Bashkuara, duke organizuar një sërë aktivitetesh pergjatë gjithë Shqipërisë. Në një kohë kur zhvendosja e detyruar rreth botës është në kulmin e saj, aktivitetet ofruan hapësirë për të nderuar forcën dhe kurajon e refugjatëve ndërkohë që inkurajonin ndërgjegjësimin publik.
Në 24 tetor, ekipi i UNHCR-së në Shqipëri vendosi një tend informacioni në Sheshin Skënderbej në Tiranë. Njerëz të ndryshëm ndaluan pranë tendës, duke pyetur ekipin mbi refugjatët dhe rolin e UNHCR-së, duke përfituar nga informacioni dhe nga materialet e vizibilitetit.
Në 28 tetor, UNHCR-ja vazhdoi me shfaqjen e filmit dokumentar "Torn" në sheshin kryesor të Durrësit. Filmi "Torn" tregon një eksperiencë personale të një refugjati sirian, i cili u largua nga shtëpia e tij në kërkim të sigurisë. Përgjatë rrugëtimit të tij, protagonisti ndeshet me Ambasadorin e Vullnetit të Mirë të UNHCR-së, Alessandro Gassman, si dhe me poetë, shkrimtarë, muzikantë, dramaturgë, aktorë, skulptorë, drejtues dhe piktorë si dhe punonjës humanitarë që punonin për agjencitë e OKB-së në Jordani dhe Liban. Pas thuajse dymbëdhjetë vitesh, Siria mbetet kriza më e madhe e refugjatëve, me më shumë se 6.8 milionë sirianë të detyruar të largohen nga vendi që prej vitit 2011.

Në 28 tetor, një ekspozitë fotografike "Ëndrrat Që Mbartim" e cila portretizon qëndresën dhe aspiratat e refugjatëve, u hap në Galerinë e Artit Vizual "Nikolet Vasia" në Durrës, në një event të organizuar nga Toshitsuki Kawauchi, Përfaqësuesi i UNHCR-së në Shqipëri, dhe Imzot Arjan Dodaj, Presidenti i Caritas Shqipëri.
Fotografitë e Renuar Locaj tregojnë njerëzit që qëndrojnë pas statistikave. Ato mbartin dëshmi të përjetimeve të refugjatëve, që kanë lënë pas gjithcka përvec shpresës dhe ëndrrave për një të ardhme më të sigurt. Toshitsuki Kawauchi, Përfaqësuesi i UNHCR-së në Shqipëri, tha në event, "Ata që janë detyruar të largohen sjellin me vete kulturën e tyre, përjetimet e tyre unike dhe shpresën e tyre - të gjitha këto mund ta bëjnë një komunitet më të fortë dhe të gjallë".
Pjesëmarrës në ceremoni ishin Andi Mahila, Zëvendës Ministër i Brendshëm; Silvana Banushi, Drejtoreshë e Përgjithshme e Zhvillimit për Migracionin dhe Azilin; Emiljan Jani, Prefekt i Durrësit; Emirjana Sako, Kryebashkiakja e Durrësit; Fiona McCluney, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, së bashku me qytetarë të Durrësit, përfaqësues të qeverisë lokale, pjesëtarë të shoqërisë civile duke përfshirë organizata fetare, staf të UNHCR-së dhe të Agjencive të OKB-së në Shqipëri.
