Fushata “T’i japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave” nevojitet tani më shumë se kurrë!
10 dhjetor 2021
- 16 Ditët e Aktivizmit në Shqipëri
Nën kryesimin e UN Women Albania, të gjitha agjencitë e OKB-së në Shqipëri bashkuan forcat për ta bërë botën portokalli dhe për të përcjellë një mesazh të rëndësishëm: T’I JAPIM FUND DHUNËS NDAJ GRAVE TANI!
Gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, u organizuan mbi 300 aktivitete në të gjithë Shqipërinë, duke përfshirë organizata të shoqërisë civile, sektorin privat dhe institucione publike, për të sjellë në vëmendje “epideminë e vazhdueshme në hije” të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Me ngjyrë portokalli u ndriçuan edhe ndërtesa të tjera historike, si Muzeu Arkeologjik i Durrësit dhe Kisha e Manastirit të Rubikut, në shenjë solidariteti me fushatën globale.
Në pedonalen e Tiranës u krijua një ekspozitë mbi autonominë e trupit në partneritet me UNFPA-në, me punime krijuese nga artistë të rinj (më parë ishte paraqitur në Korçë dhe Shkodër), e cila qëndroi aty deri më 10 dhjetor. Këtij aktiviteti iu bashkuan të gjitha ambasadoret gra në Shqipëri për të inkurajuar të gjitha viktimat e dhunës dhe për të theksuar edhe një herë se dhuna ndaj grave dhe vajzave është një akt barbar, çnjerëzor, ndaj të cilit nuk duhet të heshtim.
Një tur me autobus përshkoi 12 bashkitë në mbarë vendin për të trajnuar vajzat e shkollave të mesme për vetëmbrojtjen dhe se si të menaxhojnë abuzimin verbal, fizik dhe emocional.
Së bashku me të gjithë stafin e OKB-së dhe familjarët e tyre, ne përcollëm mesazhin tonë gjatë ndeshjes së futbollit të ekipeve kombëtare Shqipëri-Norvegji për “Kualifikueset e Kupës së Botës FIFA 2023 për Femra”. Ndeshja u transmetua në disa platforma në mbarë Evropën për t’u ndjekur nga mbi 80 milionë njerëz.
Me iniciativën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj. Ogerta Manastirliu, një autobus i ngjyrosur me portokalli zhvilloi një tur në mbarë Shqipërinë për të shpërndarë mesazhin për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje. Turi me autobus, i cili filloi në qytetin e Kamzës, synonte të ndërgjegjësonte nxënësit e shkollave të mesme dhe komunitetet në mbarë Shqipërinë për të vepruar me qëllim eliminimin e të gjitha formave të dhunës, me fokus të veçantë te dhuna ndaj grave.
Nëpër bashki të ndryshme u zhvilluan aktivitete të tjera me anëtarë të komunitetit, të rinj, aktivistë dhe aktorë të tjerë për të diskutuar, ndarë ide dhe promovuar ndryshimin e sjelljes.
Qëllimi për t’i dhënë fund dhunës me bazë gjinore është përgjegjësia jonë e përbashkët, dhe të gjithë ne duhet të luajmë rolin tonë.
Kemi ende nevojë për ndryshim dhe do të mbetemi të angazhuar për të qëndruar të fortë dhe për të ndërmarrë veprime në kuadër të këtij ndryshimi. Nuk do të ndalemi derisa t’i japim fund dhunës me bazë gjinore dhe të gjitha gratë dhe vajzat të jenë të sigurta.
Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë
FAO
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë
ILO
Organizata Ndërkombëtare e Punës
IOM
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
ITU
Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit
UN Women
United Nations Entity for Gender Equality and the Empowerment of Women
UNCTAD
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin
UNDP
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara
UNDRR
Zyra e OKB-së për Zvogëlimin e Rrezikut nga Katastrofat
UNECE
Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën
UNEP
Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin
UNESCO
Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë
UNFPA
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë
UNHCR
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët
UNICEF
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët
UNIDO
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial
UNODC
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim
UNOPS
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit