Njoftimi për media

Youth4Health: Duke hapur rrugën për rrjetin e parë rajonal të këtij lloji të OBSH/Europë

28 tetor 2022

Të sigurohemi që njerëzit e rinj të bashkëpunojnë me qeveritë dhe OBSH-në për të bashkë-projektuar politika dhe kuadre që ndikojnë në shëndetin dhe mirëqënien e tyre

Foto: © WHO Albania

Mbi gjysma e njerëzve në botë dhe mbi një e treta e Rajonit Evropian të OBSH-së - duke përfshirë 53 shtete në Evropë dhe Azinë Qëndrore - janë nën 30 vjeç. Për të ndihmuar në sigurimin që të rinjtë të kenë një peshë të vertetë në vendimmarrjen në politika që ndikojnë shëndetin dhe të ardhmen, Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën ka hedhur themelet për Youth4Health, me qëllimin për t'u bërë një pikë referimi për organizatat rinore dhe advokuesit që përfaqësojnë problematika të ndryshme, por të mbështetur në parimin e shëndetit si një e drejtë e njeriut që është e aksesueshme nga të gjithë.

Youth4Health u zhvillua këtë javë si forumi i parë i këtij lloji për OBSH/Evropë nga 25 deri në 27 tetor në Tiranë - Kryeqytetin Rinor Evropian për 2022 - në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Zyrën e Ministrit të Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bashkinë e Tiranës dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë(UNFPA).  Mbi 500 njerëz të rinj nga 30 shtete morën pjesë në forum, së bashku me 200 delegatë të tjerë që përfaqësonin qeveritë, OKB-në dhe partnerët e shoqërisë civile. 

“Është koha më e mirë që njerëzit e rinj të kenë peshë në vendimmarrje në vendimmarrjen e të gjitha niveleve, duke lëvizur përtej hipokrizisë drejt pjesëmarrjes së bashku me qeveritë dhe figurat e autoritetit", tha Dr Hans Henri P. Kluge, Drejtori Rajonal i OBSH-së për Evropën. “Njerëzit e rinj nuk janë vendimmarrësit e të nesërmes; ata janë vendimmarrësit e sotëm, ekspertët e realiteteve dhe përvojave të tyre. Për shumë kohë, ata janë injoruar ose janë përbuzur. Ne po bashkojmë fuqitë me ta për ta ndryshuar këtë gjë."

Edhe pse njerëzit e rinj përfaqësojnë kultura dhe vendndodhje gjeografike të ndryshme, ata përballen me të njëjtat sfida kur bëhet fjalë për shëndetin dhe mirëqënien e tyre. Nga pandemia e zgjatur e COVID-19 dhe ndikimi i saj në shëndetin mendor dhe fizik, te sfidat socioekonomike që ndikojnë mundësitë në jetë, te kriza klimatike që ndikon mbijetesën e të gjithë planetit tonë. Dhe, jo më pak, shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese – duke përfshirë dhe vecanërisht për popullsitë më të përjashtuara dhe të kornizuara. 

“Ne, rinia, shpeshherë etiketohemi si e ardhmja - por ne jemi pjesë e krijimit të saj këtu dhe tani ,” tha Jack Kavanagh nga Irlanda, një punonjës shëndetësie dhe advokues i rinisë i cili ka vuajtur një dëmtim të shtyllës kurrrizore që i ka ndryshuar jetën, kur ai ishte thuajse 20 vjeç. “Ne, të rinjtë jemi të ndryshëm në shumë mënyra, duke përfshirë gjininë, orientimin seksual, etnicitetin, shëndetin mendor, aftësitë e kufizuara. Është koha që ne të kemi një vend në tavolinë me politikëbërësit dhe vendimmarrësit për t'u siguruar që vendimet që merren për ne, të mos merren pa ne.” 

“Në Shqipëri, nga një popullsi e më pak se tre milionë njerëzish, thuajse 40 përqind janë njerëz të rinj nën 30 vjeç," nënvizoi Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë. “Në vitet e fundit, dhe veçanërisht gjatë pandemisë COVID-19, ne kemi përforcuar përpjekjet tona për të adresuar nevojat e tyre shëndetësore - duke përfshirë një përqëndrim në shëndetin mendor. Angazhimi i rinisë është thelbësor për të formuar, përmirësuar dhe arritur këtë gjë." 

“Bashkia e Tiranës ka kryer përparime domethënëse në krijimin e hapësirave në qytet më të përqëndruar drejt aktiviteteve për shëndetin dhe fitnesit, me një fokus në nevojat e fëmijëve dhe rinisë," tha Erion Veliaj, Kryebashkiaku i Tiranës. “Shumë gjëra janë kryer nëpërmjet komenteve nga njerëzit e rinj. Për më tepër, gjatë pandemisë ne punuam afër me autoritetet shëndetësore për të gjetur mënyra për të ulur ndikimin në shëndetin mendor të distancimit social dhe masave të tjera që po peshonin te rinia. Nëpërmjet këtij procesi, ne kemi kuptuar se sa e rëndësishme është që të bësh rininë pjesë të proceseve vendimmarrëse për të siguruar rezultate më të mira.” 

“Fuqizimi i rinisë nuk duhet të fillojë kur një person është në moshë të re, por që nga fëmijëria, nëpërmjet mundësive për të mësuar, rritur dhe drejtuar," tha Bora Muzhaqi, Ministre e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët. “Edukimi seksual gjithëpërfshirës, i cili përfshin mësime mbi barazinë gjinore, diversitetin dhe përfshirjen, hap rrugën që të rinjtë të flasin për veten e tyre me vetbesim më të madh që nga një moshë e re, duke gdhendur kështu hapësirën e tyre në një botë ku të rriturit shpeshherë zgjedhin t'i injorojnë."

Gjatë planfikimit të forumit Youth4Health, OBSH/Evropë dhe partnerët u kujdesën për të siguruar që të rinjtë të ndihmonin në përgatitjen e agjendës nëpërmjet konsultimeve të organizuara nga Zyrat e OBSH-së në shtete dhe partnerët nga Rajoni, duke rezultuar në një numër të problematikave prioritare të përfshira për diskutim përgjatë tre ditëve, duke përfshirë shëndetin mendor; shëndetin riprodhues dhe seksual; dizinformimin apo lajmet e rreme mbi COVID-19 dhe problematika të tjera shëndetësore; si dhe krizën klimatike dhe pasojat që dëmtojnë shëndetin.

“Rinia ka nevojë për qasje të plotë ndaj shërbimeve të sakta dhe konfidenciale, duke përfshirë shërbimet e shëndetit riprodhues dhe seksual, por në shumë vende kjo gjë ende nuk është një realitet, dhe në vende të tjera po vihet re një kundërshtim në rritje ndaj përparimeve të bëra më parë," nënvizoi Marta Diavolova, Këshilltarja e Partneriteteve Strategjike të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore. “Njerëzve të rinj duhet t'u jepet platforma për të cilën kanë nevojë për të advokuar për të drejtat dhe zgjedhjet e tyre, dhe UNFPA - agjencia e OKB-së për shëndetin seksual dhe riprodhues - ka si qëllim për të bërë këtë gjë, në bashkëpunim me OBSH-në dhe palët e tjera të përfshira.”  

Delegatët në Youth4Health e përmbyllën forumin duke nxjerrë një plan me pika konkrete për të vepruar.

“Për Youth4Health, rruga nga Tirana të çon drejt Almaty, Kazakistan, ku ne do të zhvillojmë Komitetin Rajonal të OBSH/Evropë 2023, trupin tonë më të lartë vendimmarrës, të përbërë nga ministrat e shëndetësisë të 53 Shteteve tona Anëtare," tha Dr. Kluge. "Aty, në shtatorin e vitit tjetër, ne do i kërkojmë shteteve të miratojnë Youth4Health, çka do të përforcojë përfshirjen e rinisë në nivel kombëtar dhe rajonal. Po ashtu, OBSH/Evropë do të ndihmojë në përfshirjen e Youth4Health në iniciativat rajonale ekzistuese, si Koalicioni Pan-Evropian i Shëndetit Mendor, për t'u dhënë anëtarëve të rrjetit ekspozimin ndaj mënyrës se si funksionojnë OBSH-ja dhe Shtetet Anëtare të saj. Ne jemi të vendosur të kalojmë nga hipokrizia në përfshirje të plotë për të rinjtë. Ftojmë anëtarësinë e Youth4Health të na ndihmojë të hartojmë udhërrëfyesin që do të na çojë atje. Siç na tha një delegat këtë javë, ‘Vetëm pyetni të rinjtë. Ata dinë gjithçka.” 

 

Kontakte Mediatike

 

Marie Wolf

Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën 

Email: mwolf@who.int

 

Ida Augustsson

Zyra e OBSH-së, Shqipëri

Email: augustssoni@who.int

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

UNFPA
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë
WHO
Organizata Botërore e Shëndetësisë

Subjekte të tjera të përfshira në këtë nismë

ALB MoHSP
Albania Ministry of Health and Social Protection

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme