Njoftimi për media

Promovimi i rolit udhëheqës dhe i pjesëmarrjes së grave në zgjedhjet vendore është me shumë rëndësi për Shqipërinë

02 maj 2023

Zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 14 majit janë një mundësi kyçe për forcimin e demokracisë vendore në Shqipëri, si dhe për forcimin e mëtejshëm të arritjeve të mëparshme për promovimin e pjesëmarrjes së grave në politikë e vendimmarrje. Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm sa i përket promovimit të pjesëmarrjes së grave në politikë.

Sipas hartës globale të vitit 2023 për “Gratë në politikë”, të hartuar nga UN Women dhe Unioni Ndërparlamentar, Shqipëria renditet në vendin e parë për përqindjen e grave ministre në kabinetin qeveritar dhe në vendin e 42-të për përqindjen e grave deputete në Kuvend, që shënon një përmirësim me 12 vende krahasuar me renditjen në vitin 2021, kur Shqipëria renditej e 54-ta në botë.[1] Megjithatë, përfaqësimi i grave në nivel vendor vazhdon të jetë më i ulët krahasuar me burrat: në zgjedhjet vendore të vitit 2019, gratë fituan 44% të vendeve në këshillat bashkiakë dhe në vetëm 8 nga 61 bashkitë (13%) u zgjodhën gra si kryetare bashkie – shifër kjo edhe më e ulët se sa mesatarja e BE-së.[2]

 

Para fillimit të fushatës për zgjedhjet e 14 majit 2023, agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri iu bënë thirrje kryetarëvetë partive politike, duke advokuar për rëndësinë e pjesëmarrjes së plotë dhe kuptimplotë të grave në zgjedhjet vendore dhe iu paraqitën atyre një sërë rekomandimesh në tri fusha kryesore.



Së pari, të vazhdohet me promovimin e përfaqësimit të grave në nivel vendor: OKB-ja u bëri thirrje partive politike që të zbatojnë me rigorozitet kuotat gjinore prej 50% për listat e kandidatëve/kandidateve për anëtarë/anëtare të këshillave bashkiake, sikurse parashikohet në Kodin Zgjedhor, si edhe që të promovojnë pjesëmarrjen aktive të të gjitha grave dhe vajzave në zgjedhje, si votuese dhe si kandidate, përfshirë gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, gratë rome dhe egjiptiane, vajzat e reja dhe gratë dhe vajzat nga zonat rurale. Në veçanti, OKB-ja bëri thirrje për rritjen e numrit të grave kandidate për postet e kryetarit të bashkisë. Megjithatë, vetëm 15 nga 144 kandidatët për postin e kryetarit të bashkisë (10.4%) janë gra[3], shifër më e ulët krahasuar me përqindjen e kandidateve gra në zgjedhjet vendore të vitit 2019[4].



Së dyti, të trajtohen problemet e paragjykimeve gjinore dhe të ngacmimit që ushtrohet ndaj grave kandidate: partitë politike pjesëmarrëse në garën zgjedhore duhet të bashkëpunojnë aktivisht me organet e mediave dhe Autoritetin e Mediave Audiovizive, për të siguruar mbulimin e duhur të fushatës së grave kandidate dhe për mospërdorimin e gjuhës poshtëruese, stereotipave gjinorë, ose formave të tjera të dhunës me bazë gjinore. Një raport i monitorimit të medias i kryer nga UN Women gjatë zgjedhjeve kombëtare të vitit 2021 në Shqipëri, tregoi se mediat tradicionale dhe ato sociale cënonin vazhdimisht kandidatet gra. Gjithashtu, një studim i kryer nga UNDP konfirmoi se gratë politikane, në krahasim me burrat, kanë më shumë gjasa të përjetojnë dhunë. Krahas kësaj, partitë politike duhet të marrin masa që të parandalojnë dhe të luftojnë me efektivitet ngacmimin dhe dhunën ndaj grave kandidate, votuese, dhe zyrtare të zgjedhura. Gjithashtu duhet të mbrohet edhe vota e lirë e grave dhe vajzave, përmes luftimit të praktikës të votimit familjar, apo shtrëngimit dhe frikësimit të grave votuese.



Së treti, të forcohen rezultatet e barazisë gjinore në nivel vendor: zgjedhjet e 14 majit janë një mundësi unike për t’i vënë mundësitë e barabarta dhe pjesëmarrjen në qendër të agjendës politike vendore për zhvillim të qëndrueshëm. Këtu përfshihen investimet në arsimimin e vajzave dhe fuqizimi ekonomik i grave, si dhe forcimi i shërbimeve financiare dhe shoqërore, si për shembull në fushën e kujdesit për fëmijët dhe përmirësimi i aksesit në kopshte dhe çerdhe. Në këto shërbime duhet t’u mundësohet akses të gjitha grave dhe vajzave, përfshirë edhe atyre më të margjinalizuara. Po kështu, drejtuesit e zgjedhur duhet të vazhdojnë t’i japin përparësi funksionimit efektiv dhe burimeve për mekanizmat vendore të referimit, për organizimin e veprimeve të bashkërenduara reaguese ndaj dhunës në familje, si një instrument kyç për mbrojtjen dhe riintegrimin në vijimësi të grave dhe vajzave që i kanë mbijetuar dhunës ose rrezikohen nga dhuna.



Agjendat dhe propozimet politike të kandidatëve për anëtarë të këshillave bashkiakë dhe kryetarë/e bashkie duhet të mbështeten në Kartën Evropiane për Barazi të Grave dhe Burrave në Jetën Vendore. Në qoftë se do të zgjidhen, ata dhe ato mund të zotohen që ta nënshkruajnë Kartën brenda vitit të parë të mandatit të tyre, si dhe të harmonizojnë planet e veprimit të bashkive përkatëse me dispozitat e kësaj karte. Tetëmbëdhjetë bashki në Shqipëri tashmë e kanë nënshkruar Kartën Evropiane.



Promovimi i pjesëmarrjes së grave do ta ndihmojë Shqipërinë të bëjë përparim të mëtejshëm drejt përmbushjes së Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm. Si gratë, ashtu edhe burrat, nuk duhet të pranojnë që gratë të kenë rolin e spektatoreve pasive. Ato dhe ata duhet të punojnë së bashku për të krijuar një mjedis që ofron mundësi të barabarta për të gjithë. Duke i përfshirë gratë në vendimmarrje, ne kontribuojmë aktivisht në krijimin e një shoqërie më të barabartë për të gjithë.

 

[1] UN Women and IPU (Unioni Ndërparlamentar), 2023 (në anglisht): https://www.unwomen.org/en/digital-library/publications/2023/03/women-in-politics-map-2023

[2]Sipas UN Women, në vitin 2019, në Evropë, gratë përbënin 15% të kryetarëve të bashkisë në Evropë, shifër që është dy herë më e ulët se përqindja e grave anëtare të këshillave bashkiake (30%). Shih faqen 17 në këtë botim (në anglisht): https://www.unwomen.org/sites/default/files/2022-01/Womens-representation-in-local-government-en.pdf

[3] https://kqz.gov.al/2023/04/13/2023-local-government-elections-ranking-of-electoral-subjects-and-candidates-for-mayor-in-ballot-determined/?lang=en

[4] Sipas OSBE-së, në vitin 2019 kishte 11 gra nga 97 kandidatë (11.3%).

Fiona McCluney_web

Fiona McCluney

UN
Koordinatore e Përhershme
Fiona McCluney është Koordinatore e Përhershme e OKB-së për Shqipërinë.
Zj. McCluney sjell mbi 30 vjet përvojë si zbatuese zhvillimi dhe planifikuese urbane, duke përfshirë 12 vjet shërbim në sistemin e OKB-së.
Nga viti 2015 deri në 2020-n, ajo shërbeu si Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Mal të Zi, duke punuar njëkohësisht si Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së deri në fund të vitit 2018. Përpara emërimit të saj në Mal të Zi, znj. McCluney punoi me UN-Habitat në Palestinë (2012-2015), dhe në Irak (2011-2012). Nga viti 2008 deri në vitin 2011, ajo shërbeu me UN-Habitat në Irak si Shefe e Qeverisjes Urbane, Tokës dhe Strehimit.
Përpara se t'i bashkohej OKB-së, znj. McCluney ishte Këshilltare Kryesore për GHK Consulting Ltd, në pronësi të punonjësve, në Mbretërinë e Bashkuar (tani ICF International Ltd) ku ndërmori detyra për qeverinë qendrore dhe lokale në Mbretërinë e Bashkuar (Zyra e Kabinetit të Kryeministrit, DEFRA, DFID), mbajti pozicione afatgjata në programe urbane dhe mjedisore në Indi financuar nga DFID (Andhra Pradesh, Kalkuta) dhe për hartimin e kredive urbane për ADB-ë dhe Bankën Botërore (Pakistan, Kinë). Znj. McCluney ka mbajtur pozicione të politikave të planifikimit për qeverisjen lokale (Këshilli i Qytetit të Southampton-it, Bashkia e Lewisham-it Londër), për qeverinë e Hong Kong-ut (Departamenti i Planifikimit Territorial) dhe në zhvillimin e ishujve të vegjël (Anguilla, Shën Helena).
Zj. McCluney ka një diplomë Master në Dizajn Urban dhe Planifikim Rajonal nga Universiteti i Edinburgut.
photo

Michele Ribotta

UN Women
Përfaqësues dhe Drejtues i Grupit Gjinor të OKB Shqipëri
Z. Ribotta iu bashkua UN Women Shqipëri në shtator 2019. Përpara kësaj detyre, ai ishte këshilltar i Drejtorit të Divizionit të Koordinimit të Sistemit të OKB-së në Nju Jork. Me cilësitë e tij, ai ka drejtuar përpjekjet e UN Women për të integruar çështjet gjinore në punën e Sistemit të Zhvillimit të OKB-së në nivel global, rajonal dhe vendor. Përpara se t'i bashkohej UN Women-it, z. Ribotta drejtoi ekipin e të mësuarit të Koherencës së OKB-së në Kolegjin e Stafit të Sistemit të OKB-së, duke ofruar shërbime trajnimi dhe lehtësimi për ekipet e vendeve të OKB-së rreth udhëheqjes dhe planifikimit strategjik. Para kësaj, ai shërbeu me UNDP-në në Egjipt si Shef i Zyrës së Koordinatorit të Përhershëm të OKB-së. Z. Ribotta ka një diplomë master në drejtësi të marrë nga Universiteti i Romës, La Sapienza.

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

RCO
United Nations Resident Coordinator Office
UN Women
United Nations Entity for Gender Equality and the Empowerment of Women

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme