E Ardhmja e Bujqësisë së Qëndrueshme në Sera, në Qendër të Vëmendjes së FAO dhe Partnerëve në Lushnje
23 prill 2025
Lajme nga FAO
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO), në bashkëpunim të ngushtë me ekspertë kombëtarë dhe partnerë rajonalë, organizoi një panel të nivelit të lartë në Lushnje për të diskutuar se si bujqësia e qëndrueshme mund të nxisë më tej produktivitetin në sektorit të perimeve në Shqipëri — me një vëmendje të veçantë në bujqësinë në sera në rajonin e Lushnjes.
Me temën “Si Mund ta Nxisë Bujqësia e Qëndrueshme Produktivitetin në Shqipëri?”, aktiviteti mblodhi së bashku përfaqësues nga Zyra e FAO-s në Shqipëri, Zyra Rajonale e FAO-s për Evropën dhe Azinë Qendrore, institucione kombëtare dhe ekspertë të bujqësisë. Dialogu u përqendrua në praktikat miqësore me klimën, zhvillimin e zinxhirit të vlerës dhe bashkëpunimin rajonal si shtylla kyçe të transformimit në këtë sektor.
“Qëndrueshmëria nuk është thjesht një prirje e kohës, por është mënyra se si fermerët mbrojnë tokën dhe mjetet e tyre të jetesës,” tha Lorena Pullumbi, Asistente Përfaqësuese e FAO-s në Shqipëri. “FAO po mbështet tranzicionin e Shqipërisë drejt sistemeve ushqimore më të gjelbra dhe më gjithëpërfshirëse, në përputhje me prioritetet kombëtare të zhvillimit dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.”
Pjesëmarrësit diskutuan rreth qasjeve inovative për të forcuar zinxhirin e vlerës në serat bujqësore, përmirësimin e qasjes në treg dhe rritjen e njohurive të fermerëve. Valbona Ylli, Eksperte për Analizën e Zinxhirit të Vlerës, prezantoi një pasqyrë me të dhëna kyçe mbi sektorin e perimeve në Lushnje, duke nxjerrë në pah mundësitë dhe sfidat — nga mungesa e fuqisë punëtore te rreziqet klimatike.
Agronomi Astrit Balliu prezantoi nisma trajnuese që synojnë pajisjen e fermerëve me teknologji të reja dhe praktika të qëndrueshme. Këto përfshijnë një model të përshtatur të Edukimit në Fermë për fermerët, duke u përqëndruar në menaxhimin e kulturave në sera dhe qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike.
Pedro Marcelo Arias, Ekonomist në Zyrën Rajonale të FAO-s për Evropën dhe Azinë Qendrore, theksoi rolin e integrimit rajonal dhe investimeve të përgjegjshme. “Vetë-mjaftueshmëria ushqimore, jo izolimi, është rruga përpara. Tregtia dhe bashkëpunimi janë thelbësorë për të garantuar sigurinë ushqimore dhe ushqyerjen,” tha ai.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit më të gjerë të FAO-s në Shqipëri për të promovuar bujqësinë e qëndrueshme, për të forcuar jetesën rurale dhe për të mbështetur aspiratat e vendit për integrim në BE përmes politikave, inovacionit dhe partneriteteve gjithëpërfshirëse.