SDG Business Pioneers Award Celebrates Sustainable Business Leaders
Tirana, November 18, 2024
Tiranë, 18 Nëntor 2024 – Në ceremoninë e Vlerësimit të OKB-së për Sipërmarrjet e Qëndrueshme, u shpallën fituesit mes kompanive shqiptare që kanë sjellë ndikim pozitiv përmes përkushtimit ndaj parimeve mjedisore, sociale dhe të qeverisjes së korporatës (ESG) dhe kontributit të tyre në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ceremonia vlerësoi praktikat inovatore dhe kontribuoi në promovimin e një ekonomie më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Shqipëri.
Gjashtëdhjetë e shtatë (67) biznese konkurruan për çmimet e këtij viti, të ndara në pesë kategori bazuar në numrin e punonjësve, pavarësisht industrisë:
• Sipërmarrje mikro: 25 aplikantë
• Sipërmarrje të vogla: 14 aplikantë
• Sipërmarrje të mesme: 11 aplikantë
• Sipërmarrje të madha: 5 aplikantë
• Sipërmarrje ndërkombëtare: 12 aplikantë
Secila kategori u vlerësua me tre çmime kryesore:
1. Fituesi i çmimit të madh.
2. Fituesi për aktivitetin kryesor të biznesit dhe veprimtarive (Core Business & Operations)
3. Fituesi për Politikat Sociale, Mjedisore dhe Qeverisja e Korporatave (ESG) dhe Përgjegjshmëria Sociale e Korporatës (CSR)
Këto çmime vlerësuan sipërmarrjet që tregojnë lidership në qëndrueshmëri si dhe përgjegjshmëri biznesi, duke vendosur standarde që frymëzojnë të tjerët drejt një ekonomie më gjithëpërfshirëse dhe miqësore ndaj mjedisit.
Trofetë e kësaj ceremonie, të ideuara nga studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës, nënvizuan përkushtimin e përbashkët të komunitetit akademik dhe të biznesit në Shqipëri për zhvillimin e qëndrueshëm.
Çmimet u ndoqën nga një vlerësim rigoroz me tre faza:
• Përzgjedhja e parë – Rishikim fillestar dhe kontroll i përshtatshmërisë.
• Vlerësimi i jashtëm – Një panel ekspertësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë në biznes vlerësuan sipërmarrjet e përzgjedhura bazuar në ndikimin e tyre ndaj koncepteve të qëndrueshmërisë.
• Vlerësimi i thelluar – Një vlerësim përfundimtar i rreziqeve për të siguruar integritet dhe përputhshmëri me kriteret.
Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, e pranishme në Ceremoni, theksoi:
“OKB-ja është e lumtur të vlerësojë sipërmarrjet në Shqipëri që po vendosin një shembull kuptimplotë duke krijuar vende pune cilësore, reduktuar ndikimin e tyre në mjedis dhe integruar qëndrueshmërinë në praktikat e tyre bazë të biznesit. Këto sipërmarrje vizionare jo vetëm që fokusohen në të tashmen, por po ndërtojnë aktivisht një të ardhme të qëndrueshme për bizneset dhe komunitetet që u shërbejnë.”
Vlerësimi për Sipërmarrjet e Qëndrueshme “SDG Business Pioneers” krijoi një hapësirë ku bizneset shqiptare mund të prezantojnë arritjet e tyre në ESG, të njihen me liderë nga sektorë të ndryshëm dhe të frymëzojnë arritje të mëtejshme në fushën e qëndrueshmërisë së biznesit. Ceremonia mblodhi së bashku drejtues, mbrojtës të mjedisit dhe novatorë të përkushtuar drejt përmirësimit të çështjeve sociale dhe mjedisore.
Vlerësimi për Sipërmarrjet e Qëndrueshme “SDG Business Pioneers” është një konkurs kombëtar i organizuar UNDP Albania, i frymëzuar nga UNDP në Bosnje dhe Hercegovinë. Ky vlerësim vjen në kuadër të projektit të përbashkët të OKB-së “Bashkëpunimi me Sipërmarrjen dhe Zgjidhjet për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm” i financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), dhe i zbatuar nga UNDP, FAO, ILO dhe UNIDO. Projekti fuqizon bizneset shqiptare të integrojnë Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) në punën e tyre. Ai mbështet përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian ndërsa Shqipëria përparon drejt anëtarësimit në BE. Projekti synon të amplifikojë ndikimin pozitiv të sektorit privat në mjedis dhe shoqëri, duke nxitur rritjen ekonomike gjithëpërfshirëse në të gjithë Shqipërinë.
Fituesit:
Kategoria mikro:
• Fituesi i çmimit të madh: RecycAl
• Fituesi për aktivitetin kryesor të biznesit dhe veprimtarive: Pastrim Kimik Lavanderi Batica
• Fituesi për Politikat Sociale, Mjedisore dhe Qeverisja e Korporatave (ESG) dhe Përgjegjshmëria Sociale e Korporatës (CSR): Silky Wet Cleaning
Kategoria e bizneseve të vogla:
• Fituesi i çmimit të madh: Albanian Trip Shpk
• Fituesi për aktivitetin kryesor të biznesit dhe veprimtarive: Arilta B New Generation
• Fituesi për Politikat Sociale, Mjedisore dhe Qeverisja e Korporatave (ESG) dhe Përgjegjshmëria Sociale e Korporatës (CSR): TCNdo
Kategoria e bizneseve të mesme:
• Fituesi i çmimit të madh: Ujësjellës Kanalizime Rajoni Korçë
• Fituesi për aktivitetin kryesor të biznesit dhe veprimtarive: Edipack Shpk
• Fituesi për Politikat Sociale, Mjedisore dhe Qeverisja e Korporatave (ESG) dhe Përgjegjshmëria Sociale e Korporatës (CSR): Elite Travel Group
Kategoria e bizneseve të mëdha:
• Fituesi i çmimit të madh: Everest shpk
• Fituesi për aktivitetin kryesor të biznesit dhe veprimtarive: Banka Amerikane e Investimeve SHA
• Fituesi për Politikat Sociale, Mjedisore dhe Qeverisja e Korporatave (ESG) dhe Përgjegjshmëria Sociale e Korporatës (CSR): Balfin Group
Kategoria e bizneseve ndërkombëtare:
• Fituesi i çmimit të madh: Intesa Sanpaolo Bank Albania
• Fituesi për aktivitetin kryesor të biznesit dhe veprimtarive: Vodafone Albania
• Fituesi për Politikat Sociale, Mjedisore dhe Qeverisja e Korporatave (ESG) dhe Përgjegjshmëria Sociale e Korporatës (CSR): NOA sha