Kombet e Bashkuara nisin një program ambicioz mbi transformimin digjital dhe të qëndrueshëm të bujqësisë në Shqipëri
Aktiviteti Prezantues i Programit u Mbajt sot në Tiranë
Shqipëria dhe Kombet e Bashkuara nisën sot një program të përbashkët risi që kontribuon në digjitalizimin e bujqësisë për të çuar përpara objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm me mbështetje dhe incentiva sistematike që synojnë veçanërisht fermerët e vegjël.
"Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural" (DART) është një program trevjeçar (2024-2027) i financuar nga Thirrja për Transformimin Digjital të Joint SDG Fund me një buxhet total prej 3.3 milionë USD, që synon të arrijë objektivat e tij duke zhvilluar një strategji kombëtare digjitale të bujqësisë dhe një plan veprimi në përputhje me kuadrin ligjor të Bashkimit Evropian. Programi ka si synim përmirësimin e ofrimit të shërbimeve publike digjitale përmes Portalit të Fermerëve Shqiptarë, duke zhvilluar kapacitete digjitale midis fermerëve të vegjël, studentëve, shkollave dhe qendrave të formimit tekniko-profesionale dhe kualifikimeve, si dhe punonjësve të sektorit publik.
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) udhëheq zbatimin e nismës në bashkëpunim me partnerët e saj, Organizatën Ndërkombëtare të Punës (ILO) dhe Unionin Ndërkombëtar të Telekomunikacionit (ITU), si dhe Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, theksoi se DART do të luajë një rol kritik në mbështetjen e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke përmirësuar përputhjen me standardet dhe rregulloret e BE-së, veçanërisht në bujqësi dhe zhvillimin rural. Ajo theksoi se DART është plotësisht në përputhje me strategjitë kombëtare të Shqipërisë, si Strategjia Kombëtare për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Peshkimin 2021-2027, Axhendën Digjitale 2022-2026 dhe Strategjinë Kombëtare për Barazinë Gjinore. Ministrja Denaj vuri në dukje se digjitalizimi në bujqësi nuk ka të bëjë vetëm me teknologjinë; ka të bëjë me ndryshimin sistematik.
“Përmes DART, ne synojmë të përdorim mjetet digjitale si katalizatorë për të rritur transparencën, për të përmirësuar efikasitetin e prodhimit, për të mbështetur pajtueshmërinë rregullatore dhe për të kursyer kostot në të gjithë sektorin bujqësor,” – tha ajo.
Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, theksoi se nisma ka një rëndësi të madhe për të ardhmen bujqësore të Shqipërisë dhe ambiciet më të gjera të Kombeve të Bashkuara.
“Ky bashkëpunim është pikërisht veprimi largpamës i synuar kur Shtetet Anëtare miratuan Paktin për të Ardhmen në shtator të këtij viti. Duke inkurajuar inovacionin dhe duke përdorur teknologjinë, programi DART do të demonstrojë se si përpjekjet e përbashkëta mund të japin rezultate në terren për njerëzit vulnerabël.”
McCluney vlerësoi bashkëpunimin konstruktiv midis agjencive të OKB-së në Shqipëri me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, BE-në, Suedinë dhe Spanjën si kontribues në Joint SDG Fund.
Hubert Perr, Drejtuesi i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, tha se BE është e lumtur të mbështesë këtë projekt, i cili përputhet në mënyrë të përkryer me objektivat e synimeve të OKB-së për zhvillimin e qëndrueshëm dhe me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE në sektorin e bujqësisë.
“BE e ka njohur shumë kohë më parë rëndësinë e digjitalizimit, duke pranuar se kërkimi, inovacioni dhe teknologjitë mund të ndihmojnë bujqësinë në adresimin e sfidave kryesore, si sigurimi i ushqimit të mjaftueshëm duke garantuar qëndrueshmërinë e prodhimit. Digjitalizimi gjithashtu i mundëson administratës të ofrojë mbështetje të shpejtë dhe efikase për sektorin e bujqësisë. Teknologjitë e reja të praktikave bujqësore rrisin produktivitetin dhe konkurrencën në tregjet botërore dhe u mundësojnë prodhuesve të bëhen më elastikë në kohën e ndryshimeve klimatike. Digjitalizimi është një mjet thelbësor për të kursyer burimet e pakta të forcës punëtore, dhe për të reduktuar gjurmën ekologjike, në përputhje me Axhendën e Gjelbër të BE-së për Ballkanin Perëndimor.”
Raimund Jehle, Përfaqësuesi i FAO në Shqipëri, theksoi rolin e FAO, së bashku me ILO dhe ITU, në këtë iniciativë duke u shprehur se DART është pjesë e një rrugëtimi të gjatë transformimi.
“Në rolin tonë të partnerit kryesor, ne kemi angazhimin për të përmbushur objektivat ambicioze të programit pa harruar kontekstin e bujqësisë shqiptare, e cila është kaq e pasur me fermerë në shkallë të vogël, produkte cilësore, por gjithashtu që kanë ndikim të madh ndaj ndryshimeve klimatike për të siguruar të ardhmen e gjeneratave,” theksoi Jehle.
"Aftësitë janë një katalizator i rëndësishëm për zhvillimin socio-ekonomik, që u nevojiten fermerëve dhe profesionistëve të bujqësisë për të përfituar nga transformimi digjital i sektorit bujqësor dhe, në veçanti, për të siguruar përfshirjen e fermerëve të vegjël dhe grupeve të pafavorizuara në transformim," tha Alessandra Molz, Specialiste e Lartë e Aftësive dhe Punësimit në Zyrës e ILO-s për Evropën Qendrore dhe Lindore.
"Infrastruktura e fuqishme e TIK-ut është thelbësore për të nxitur përparimin në të gjithë sektorët ekonomik, përfshirë bujqësinë. Nëpërmjet këtij projekti, ne synojmë të ofrojmë ekspertizën dhe burimet e nevojshme për të përmirësuar lidhjen rurale dhe për të mbështetur shtrirjen e një qasjeje 'tullë mbi tullë” për të zhvilluar dhe ofruar shërbime publike në mënyrë më efektive,” tha Dr Cosmas Luckyson Zavazava, Drejtor i Byrosë së Zhvillimit të Telekomunikacionit të ITU.
Ky programi i përbashkët është hartuar nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe Zyra e Koordinatores së Përhershme të OKB-së në Shqipëri.
Rreth programit
Në Shqipëri, rreth 41% e popullsisë jeton në zonat rurale, shumica e të cilëve janë të përfshirë në aktivitete bujqësore. Bujqësia mbetet një komponent i rëndësishëm i ekonomisë shqiptare, duke kontribuar 19% në produktin e brendshëm bruto dhe 36% në punësimin total në vitin 2020. Gati gjysma e vendeve të punës në ekonomi varen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga sistemi më i gjerë bujqësor dhe ushqimor, përfshirë shërbimet, përpunimin dhe prodhimin.
Shumë faktorë ndikojnë në qëndrueshmërinë afatgjatë të bujqësisë dhe zonave rurale, duke përfshirë ndryshimet klimatike, aksesin në tokë, qeverisjen, barazinë gjinore, infrastrukturën publike, tregjet, njohuritë dhe teknologjitë, si dhe faktorë të tjerë.
Shqipëria është në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërkohë që negociatat e para-anëtarësimit po zhvillohen në shumë fusha, përfshirë ushqimin, bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ky proces do të sjellë ngritjen e sistemeve të informacionit elektronik që janë në përputhje me ato të kërkuara nga BE, si sisteme dhe politika të modernizuara agroushqimore, si dhe mobilizimin e burimeve për të mbështetur zhvillimin e aftësive të fermerëve dhe përvetësimin e teknologjive digjitale.
Ndikimet e pritshme
Deri në vitin 2027, programi i Bujqësisë Digjitale dhe Transformimit Rural do të rrisë produktivitetin bujqësor dhe konkurrencën në sistemet ushqimore, do të çojë përpara rritjen socio-ekonomike, barazinë gjinore, të drejtat e njeriut dhe do të përmirësojë jetesën rurale nëpërmjet zhvillimit të politikave gjithëpërfshirëse me në qendër fermerët në Shqipëri.
Popullatat vulnerabël që do të trajtohen drejtpërdrejt nga programi janë: 7,500 gra që do të përfitojnë shërbime digjitale dhe 290 të tjera që do të fitojnë aftësi zhvilluese. Të rinjve të rikthyer nga emigrimi në zonat rurale, ku aksesi në arsim cilësor dhe punësim është i kufizuar, do t’u ofrohet trajnim për më shumë se 180 studentë dhe 120 fermerë të rinj.
Programi i përbashkët do të kontribuojë në arritjen e disa Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG), duke përfshirë: SDG 1 (Pa varfëri), SDG 2 (Zero uri), SDG 4 (Arsim cilësor), SDG 5 (Barazia Gjinore), SDG 8 (Punë e denjë dhe rritje ekonomike), SDG 9 (Industria, Inovacioni dhe Infrastruktura) dhe SDG 10 (Pabarazitë e Reduktuara). DART do të zbatojë veprime në fushat prioritare të Forumit të OKB-së mbi Standardet e Qëndrueshmërisë dhe Thirrjes për Veprime të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, duke investuar në inovacion dhe teknologji, duke thelluar zbatimin me pjesëmarrje përfshirëse të grave dhe të rinjve, dhe duke përfshirë strategjitë e sistemeve ushqimore në politikat kombëtare. Ajo lidh hendekun midis vizionit dhe ndikimit, duke e shtyrë sektorin bujqësor të Shqipërisë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme të drejtuar digjitalisht, duke kontribuar në arritjen e SDG-ve globalisht.
***
Të gjitha programet e Joint SDG Fund udhëhiqen nga Koordinatorët e Përhershëm të OKB-së dhe zbatohen nga agjencitë, fondet dhe programet e Sistemit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (UNSDG). Me mirënjohje për kontributet nga Bashkimi Evropian dhe qeveritë e Belgjikës, Danimarkës, Gjermanisë, Irlandës, Italisë, Luksemburgut, Monakos, Mbretërisë së Holandës, Norvegjisë, Polonisë, Portugalisë, Republikës së Koresë, Arabisë Saudite, Spanjës, Suedisë dhe Zvicrës, në një lëvizje transformuese për arritjen e SDG-ve deri në vitin 2030.