Njoftimi për media

FAO në mbështetje të partnerëve për finalizimin e Planit të Veprimit për përdorimin e qëndrueshëm të produkteve për mbrojtjen e bimëve

27 qershor 2022

- Projekti kontribuon në zhvillimin e një plani veprimi për përdorimin e qëndrueshëm të produkteve të mbrojtjes së bimëve dhe në përmirësimin e kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm të përfshirë në sektorin e mbrojtjes së bimëve në Shqipëri.

FAO në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) përfunduan konsultimet me aktorët kryesorë të projektit për të mbështetur finalizimin e Planit të Veprimit për përdorimin e qëndrueshëm të produkteve për mbrojtjen e bimëve. Bazuar në konsultimet e mëparshme, një udhërrëfyes me rekomandime për fushat për ndërhyrje u prezantua në një takim me ministritë e linjës dhe aktorë të tjerë kryesorë.

E pranishme në takim, Zv. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, znj. Ermira Gjeçi, vlerësoi punën e bërë në bashkëpunim me FAO, si dhe theksoi rëndësinë e konsultimeve me palët e interesuara për të diskutuar udhërrëfyesin dhe fushat për përmirësimin e draft planit të veprimit.

Projekti synon të mbështesë MBZHR për zbatimin e planit të veprimit dhe trajnimit për stafin. Pjesë e ndërhyrjes është shkëmbimi i përvojave me vendet e BE-së që tashmë po zbatojnë planin e veprimit për pesticidet.

Duke folur për vlerën e shtuar të projektit për përmirësimin e kapaciteteve të Shqipërisë në fushën e mbrojtjes së bimëve, menaxheri i projektit të FAO-s në Shqipëri Agim Pepkolaj tha: “Ne në FAO po inkurajojmë qeverinë shqiptare të mbajë angazhimin e saj për të siguruar menaxhimin e integruar të dëmtuesve (IPM). është një nga aspektet kryesore të planit të veprimit dhe plani i trajnimit duhet të zbatohet dhe të promovohet tek institucionet, fermerët dhe kompanitë e mbrojtjes së bimëve”.

Plani i veprimit 2022-2032 për përdorimin e qëndrueshëm të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB) në Shqipëri dhe plani i trajnimit janë përgatitur në konsultim me ekspertët e FAO-s dhe grupin teknik të punës nga entet qeveritare përfituese si: Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, (Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit), Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. MBZHR planifikon të publikojë planin e veprimit për çdo sugjerim shtesë përpara se plani përfundimtar i veprimit të miratohet dhe publikohet zyrtarisht.

Objektivi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në zhvillimin e një plani veprimi për përdorimin e qëndrueshëm të produkteve për mbrojtjen e bimëve dhe në përmirësimin e kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm të përfshirë në sektorin e mbrojtjes së bimëve. Plani i veprimit përfshin aktivitete zbatimi në Shqipëri (ligjore, organizative, teknike) që synojnë reduktimin e rreziqeve për shëndetin e njerëzve ose kafshëve, si dhe mjedisin, që rrjedhin nga përdorimi i pesticideve.

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

FAO
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme