Oficeri i policisë hapi derën nxitimthi dhe diçka foli me punonjësen e zyrës, Ermandën, e cila sakaq u afrua për të na njoftuar se kishte një rast urgjent për të marrë në shqyrtim.
Takimi ynë i saponisur u ndërpre.
Azemi, më kërkoi ndjesë dhe menjëherë u drejtua tek “salla” e improvizuar e mbledhjeve, që në fakt ishte zyra e vogël “paradhomë”, ku tre punonjëset e zyrës kishin këndet e tyre të punës, ndanë rafteve të kërrusur nga dosjet.
Në Zyrën e Shërbimit të Kujdesit Social të Bashkisë Maliq, ekranet e vegjël të kompjuterëve rrekeshin të mposhtnin reflektimin e dritës së diellit që hynte përmes dritareve duke bërë më të dukshme kutizat e tabelave që me gjasë i përkisnin morisë së banorëve të Maliqit nën ndihmë sociale. Mësova se 2,487-të familje janë aktualisht në listën e ndihmës sociale në Bashkinë Maliq.
Qyteza e vogël në juglindje të Shqipërisë, pak kilometra nga Korça të habit me kontrastet. Arkeologët vlerësojnë se qyteti ka qenë i banuar për të paktën 4 mijë vjet dhe përbënte një qendër të rëndësishme ekonomike dhe kulturore përgjatë disa epokave. Një pjesë e dëshmive arkeologjike u zbuluan gjatë tharjes së kënetës së Maliqit (1946) – që përbën një ngjarje të debatueshme në historinë shqiptare të pas-luftës së II-të botërore dhe ‘fillim-luftës’ së brendshme shqiptare për të çimentuar diktaturën komuniste. Në 1951, në Maliq u ngrit e famshmja ‘Fabrika e Sheqerit’ (tashmë jashtë funksionit), e cila e vendosi qytetin e vogël në hartën industriale të vendit. Banorë nga shume vise të Shqipërisë – vullnetarë të tharjes së kënetës dhe
punëtorë të fabrikës u vendosën në Maliq pas këtyre dy ngjarjeve.
Bashkia Maliq përmbledh shtatë njësi administrative përfshirë qytetin e Maliqit dhe njësitë administrative
Gorë, Libonik, Moglicë, Pirg, Pojan dhe Vreshtas, me një popullsi të përgjithshme prej rreth 66 mijë banorësh.
***
Kisha kërkuar të takohesha me Azem Nuhun, Drejtorin e Shërbimit të Kujdesit Social të Bashkisë Maliq pasi kisha lexuar që në fushën e kujdesit social Maliqi përbën një rast suksesi. Kjo Bashki ka zhvilluar dhe vënë në zbatim Planin Social qysh në vitin 2019. Fillimisht falë mbështetjes së UNICEF-it dhe World Vision-it për zhvillimin e planit dhe më tej për të zbatuar planin mbështetur nga programi “Askush të mos mbetet pas” (njohur si programi LNB – Leave No One Behind) – një përpjekje e përbashkët e katër agjencive të Kombeve të Bashkuara në Shqipëri – UNDP-së, UNICEF-it, UNFPA-së dhe UN Women-it – me mbështetjen e qeverisë së Zvicrës.
Biseda me Azemin rinisi pak më vonë në Qendën Komunitare për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara pasi emergjenca e mëngjesit duket se mori rrugën e zgjidhjes. Rasti emergjent kishte qenë një vajzë e re që ishte në proces divorci e që duhet të ndihmohej për të marrë kujdesin e duhur të shëndetit mendor për vete,ndërkohë që fëmijët e saj të mitur të lënë nën kujdesin e gjyshërve që sërish ishin familje në nevojë duhet që të ndihmoheshin për të kapërcyer këtë situatë. Takimi i mëngjesit me oficerin e policisë është pjesë e mekanizmit të referimit kundër dhunës në familje në nivel lokal mbështetur nga UNDP dhe UN Women.
“Kjo është rutina e ditës time” – më shpjegon Azemi. “Ne jemi një zyrë e vogël por punojmë me pasion dhe kemi bashkëpunim me hallkat e tjera të pushtetit vendor e qendror. Plani jonë social jo vetëm që është udhërrëfyes i punës tonë, por është garanci që sfidat tona të mund të marrin zgjidhje të qëndrueshme.
Sfida e bashkisë Maliq për të zgjidhur problemin e kujdesit ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara mori rrugën e zgjidhjes në vitin 2020-të kur UNDP përmes programit LNB rehabilitoi dhe vendosi në funksion kapacitetet e Qendrës Komunitare për Fëmijët me Aftësi të Kufizuara.1
Azemi më flet me shumë pasion për Qendrën dhe për mbështetjen e programit LNB për të mundësuar mbarëvajtjen e punëve dhe krijuar qëndrueshmëri. “Kjo është një qendër model më të cilën ne krenohemi. Mbështetja ka qenë e jashtëzakonshme në çdo hallkë të ndërtimit dhe zhvillimit të qendrës dhe shërbimeve të saj. Më e rëndësishmja është që ne kemi kuptuar të ndërtojmë procese të qëndrueshme”. – thotë ai.
Për funksionimin e qendrës shërbejnë pesë punonjës të specializuar: psikolog, punonjës social, mësues,
terapist i të folurit dhe fizioterapist. Personeli ka marrë trajnimet e duhura formale, trajnimet shkëmbyese
dhe trajnimet e praktikës në punë, falë mbështetjes së programit LNB.
Gjatë vizitës në qytetin e Maliqit takuam Endrin, një i ri që ishtë bërë pjesë e bashkisë Maliq si Përgjegjës i Sektorit të Rekreacionit, Turizmit dhe Rinisë, dhe Aldën një aktiviste e të rinjve të Maliqit. Ndërsa flisnim për problematikat e qytetit, ata na treguan për një numër nismash që rrjeti i të rinjve të qytetit kishte ndërmarrë duke patur mbështejen dhe këshillimin e UNFPA-së dhe UNICEF-it duke përfshirë: rijetëzimin e këndit sportiv dhe rimodelimin e pasurimin e bibliotekës në gjimnazin e qytetit; ndërtimin e “Fari-t”, një pikë orientuese simbolike e të rinjve të qytetit; vendosja e sinjalistikës informuese dhe orientuese në atraksionin turistik të “Pyllit të Fazanëve”, etj.
Mposhtja e varfërisë, sigurimi i ushqimit, shkollimit, shëndetit, ndalja e dhunës ndaj grave, zvogëlimi i pabarazive e shumë sfida të tjera që do të kuptoheshin si lexim i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (ose OZHQ-ve) janë në fakt pjesë e punës së përditshme të ekipit të përkushtuar të shërbimeve sociale në Bashkinë e Maliqit dhe një foto e ekipit pranë një posteri me OZHQ-të, në hyrjen e Qendrës Sociale do të ishte përshëndetja më e bukur e një ekipi të përkushtuar, ndërsa përmbyllim këtë vizitë kaq frytdhënëse në Bashkinë e Maliqit.
[1] Bashkia Maliq numëron një total prej 868-të personash me aftësi të kufizuara nga të cilët 30-të fëmijë të moshës 0-3 vjec dhe 153 të moshës 4-16 vjeç (të dhëna nga viti 2021). Qendra Komunitare për Fëmijet me Aftësi të Kufizuara në kushte ideale ka kapacitetin maksimal për t’u shërbyer 25-30-të fëmijëve në një moment të caktuar të ditës.