Reportazh
08 mars 2026
Dita Ndërkombëtare e Grave: Tetë Veprime për një Botë më të Barabartë
Gjatë pothuajse një dekade në drejtimin e Kombeve të Bashkuara, kam parë botën tonë të vihet vazhdimisht në provë – nga tronditjet klimatike, varfëria në rritje, konfliktet e dhunshme dhe ngushtimi i hapësirës civile.Por kam parë gjithashtu që shumë zgjidhje kanë hedhur rrënjë, dhe ato ndanin një emërues të përbashkët: gratë.Ndërsa bota shënon Ditën Ndërkombëtare të Grave, është koha të pranojmë se pabarazia gjinore është sfida më e madhe e të drejtave të njeriut e kohës sonë – dhe përparimi drejt barazisë është një nga shtytësit më të fortë të zhvillimit të qëndrueshëm dhe paqes.Këtu janë tetë veprime të nxjerra nga përvoja ime, dhe të frymëzuara nga puna e sistemit të OKB-së dhe lëvizjeve të shoqërisë civile në mbarë globin, për të avancuar të drejtat e grave dhe për të sjellë rezultate.1. Të Mbyllet Hendeku i PushtetitBarazia gjinore është një çështje pushteti. Por institucionet e dominuara nga meshkujt vazhdojnë të formësojnë botën tonë. Një valë në rritje autoritarizmi po thellon këto pabarazi, duke zhbërë mbrojtjet e fituara me vështirësi – nga praktikat e drejta të punës te të drejtat riprodhuese – dhe duke ngulitur paragjykime racore dhe gjinore që i mbajnë gratë pas. Barazia gjinore i ngrit shoqëritë. Kur pushteti ndahet, liria zgjerohet.2. Të Bëhet Prioritet BaraziaGratë janë tepër të nën-përfaqësuara në qeveri dhe në bordet drejtuese në mbarë botën. Në Kombet e Bashkuara, ne u zotuam ta vendosnim barazinë gjinore si prioritet, duke filluar me udhëheqjen e lartë. Ne e arritëm këtë duke zgjeruar kërkimin për kandidate të kualifikuara, jo duke ulur standardet. OKB-ja është më e fortë falë kësaj, me një kulturë pune të përmirësuar dhe vendimmarrje më gjithëpërfshirëse. Mësimi është i qartë: kur institucionet zgjedhin barazinë, rezultatet vijnë.3. Të Investohet në Asetin me Kthimin më të LartëInvestimi te gratë sjell përfitime të jashtëzakonshme. Çdo dollar i shpenzuar për arsimimin e vajzave sjell pothuajse trefish përfitime, ndërsa shëndeti maternal dhe planifikimi familjar gjenerojnë më shumë se tetëfish përfitime. Politikat që mbështesin familjet, si kujdesi për fëmijët dhe të moshuarit, forcojnë komunitetet dhe çlirojnë potencial rritjeje. Së bashku, këto hapa vendosin themelin për të mbyllur hendekun gjinor – që mund të rrisë të ardhurat kombëtare deri në 20%.4. Të Lihet Vend për Gratë në Tryezën e PaqesMarrëveshjet e paqes janë më të qëndrueshme kur gratë marrin pjesë në negociimin dhe zbatimin e tyre. Megjithatë në shumë konflikte – përfshirë Gazën, Ukrainën dhe Sudanin – gratë janë lënë kryesisht jashtë dhomës, edhe pse ato mbajnë peshën më të rëndë të luftës. Në një kohë pasigurie në rritje, përfshirja nuk është simbolike – është rruga më e shkurtër për të stabilizuar botën tonë të thyer.5. Ti Jepet Fund Diskriminimit LigjorNë nivel global, gratë gëzojnë vetëm 64 për qind të të drejtave ligjore që gëzojnë burrat. Në shumë vende, ato nuk mund të zotërojnë pasuri, të punojnë lirisht ose të kërkojnë divorc. Edhe aty ku ekzistojnë mbrojtjet, gratë përballen me barriera më të larta për të hyrë në ndihmë juridike ose në gjykata. Çdo vend duhet të angazhohet për të shfuqizuar ligjet diskriminuese dhe për të zbatuar të drejtat në praktikë.6. Zero Tolerancë për Dhunën me Bazë Gjinore – dhe Zero JustifikimeDhuna ndaj grave është një emergjencë globale, e rrënjosur në pabarazi dhe e mbajtur gjallë nga heshtja. Çdo grua dhe vajzë ka të drejtën të jetojë pa frikë. Megjithatë dhuna me bazë gjinore – përfshirë shfrytëzimin dhe abuzimin seksual – mbetet një shkelje e tmerrshme e besimit dhe humanizmit. Duhet ta luftojmë kudo, me zero tolerancë, llogaridhënie të plotë dhe mbështetje të palëkundur për të mbijetuarat.7. Të Eliminohet Paragjykimi në TeknologjiMe vetëm një në katër punonjës të teknologjisë që është grua, paragjykimet po nguliten në sistemet që formësojnë jetën e përditshme. Ndërkohë, mizogjinia po shpërthen online. Kompanitë teknologjike dhe qeveritë duhet të veprojnë së bashku për të ndërtuar hapësira digjitale të sigurta dhe gjithëpërfshirëse – dhe bota duhet të bëjë më shumë për të hequr barrierat për vajzat në shkencë dhe teknologji.8. Të Vendoset Perspektiva Gjinore në Planet KlimatikeNdryshimet klimatike janë seksiste. Në krizat ushqimore gratë janë shpesh të fundit për të marrë ushqim dhe përballen me rrezik më të madh në emergjenca. Vajzat përballen me rrezik më të lartë martese të hershme kur mjetet e jetesës shemben. Por gratë po udhëheqin gjithashtu zgjidhjet klimatike – duke avancuar ligje të gjelbra, duke fuqizuar lëvizje globale dhe duke sjellë ndryshim në terren. Një planet i banueshëm kërkon politika klimatike të ndjeshme ndaj dimensionit gjinor, përfshirë qasje të barabartë në punët e gjelbra, mbrojtje më të mirë në emergjenca dhe pjesëmarrje të plotë në vendimmarrjen mjedisore.Në mbarë botën, kam parë këto tetë zgjidhje në veprim – në zona lufte dhe në përpjekje rimëkëmbjeje, në parlamente dhe klasa shkollore, në organizata dhe komunitete.Nëse udhëheqësit e marrin seriozisht barazinë gjinore dhe angazhohen për këto masa tani, ne do ta ndryshojmë botën – për gratë dhe vajzat, dhe për të gjithë ne.