Njoftimi për media

Shqipëria dhe OKB-ja ripërtërijnë angazhimin se do të punojnë së bashku për zhvillimin e qëndrueshëm në pesë vitet e ardhshme

25 tetor 2021

  • Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara Fiona McCluney, firmosin Kuadrin e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm 2022-2026 ndërsa OKB-ja shënon 76 -vjetorin e saj.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Shqipëri njoftuan këtë të hënë, ripërtëritjen e angazhimit të tyre ndaj një programi të përbashkët pune për pesë vitet e ardhshme, ndërsa Zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj dhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara Fiona McCluney firmosën Kuadrin e Bashkëpunimit për Zhvillim të Qëndrueshëm 2022-2026.

img
Titulli: Deputy Prime Minister Arben Ahmetaj and UN Resident Coordinator Fiona McCluney signing the Albania-UN Sustainable Development Cooperation Framework 2022-2026.
Foto: © UN Albania

Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua gjatë një aktiviteti dy-temësh që shënoi 76-vjetorin e OKB-së, mbajtur në Pallatin e Brigadave në Tiranë. Takimi u organizua nga Ministria e Evropës dhe Punëve të Jashtme, Zyra e Zëvendëskryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Zyra e OKB-së në Shqipëri, me pjesëmarrjen e partnerëve kyç të zhvillimit në vend.

Në frymën e Ditës së OKB-së dhe prezantimit të raportit të fundit të Sekretarit të Përgjithshëm për ‘Axhendën e Përbashkët’, me synim forcimin e qeverisjes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, Zëvendëskryeministri dhe Bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Ekzekutiv Shqipëri-OKB Arben Ahmetaj njoftoi se Qeveria dhe sistemi i OKB -së në Shqipëri kanë rënë dakord për një Kuadër të ri Bashkëpunimi (KB) i cili do të fillojë këtë janar dhe do të zgjasë deri në vitin 2026.

Foto: © UN Albania

Kuadri i ri i Bashkëpunimit bazohet në përparësitë kryesore të Shqipërisë, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e zotimit kombëtar ndaj Axhendës së OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm deri në vitin 2030 dhe objektivat e saj të nacionalizuara për OZHQ-të, me fokus tek shëndetësia dhe arsimi cilësor, mirëqeverisja dhe sundimi i ligjit, ofrimi i shërbimeve publike si dhe përgjigjja ndaj pandemisë COVID-19 dhe rimëkëmbja efektive. Kuadri i Bashkëpunimit synon angazhimin e një shumë prej 282 milionë USD për ciklin e plotë. Në fjalën e tij mbajtur në ceremoninë e nënshkrimit, z. Ahmetaj vlerësoi bashkëpunimin aktual midis Shqipërisë dhe OKB-së dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për bashkëpunimin me OKB-në: “Ndërsa përfundojmë një cikël të suksesshëm të punës së përbashkët me agjensitë e OKB-së në Shqipëri, jemi të gatshëm të ripërtërijmë angazhimin tonë drejt zhvillimit të qëndrueshëm” – tha ai. Në emër të nëntëmbëdhjetë agjensive dhe programeve të OKB-së me përfaqësi ose jo në Shqipëri, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së Fiona McCluney përsëriti fushat kryesore të punës së Kuadrit të ri të Bashkëpunimit dhe urgjencën për veprim në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm: “Në zemër të veprimit tonë të përbashkët është angazhimi ynë për të luftuar varfërinë, për të promovuar të drejtat e njeriut dhe barazinë gjinore, për të mbrojtur mjedisin dhe për të trajtuar ndryshimet klimatike e mbështetur reformat ekonomike dhe sociale”, vuri në dukje ajo (lexoni fjalimin e plotë këtu).

Titulli: UN Resident Coordinator in Albania, Fiona McCluney

Dita e OKB -së festohet në mbarë botën më 24 tetor të çdo viti për të shënuar përvjetorin e hyrjes në fuqi të Kartës së OKB-së në vitin 1945. Me ratifikimin e këtij dokumenti themeltar u krijua zyrtarisht Organizata e Kombeve të Bashkuara. Këtë vit festimet e ditës së OKB -së në Shqipëri mbahen ndërsa Shqipëria merr mandatin në Këshillin e Sigurimit të OKB -së për dy vitet e ardhshme.


Titulli: Members of the UN Country Team in Albania as they signed the Cooperation Framework document
Foto: © UN Albania

Sipas fjalëve të Ministres së Evropës dhe Punëve të Jashtme, Shkëlqesisë së Saj Olta Xhaçka, e cila mbajti fjalimin kryesor në këtë aktivitet, mandati në Këshillin e Sigurimit “është një arritje prestigjioze që tregon se çfarë pjekurie ka arritur diplomacia shqiptare dhe që njeh rolin konstruktiv të vendit tonë përsa i përket çështjeve të sigurisë, stabilitetit e zhvillimit”. Sh.S. Xhaçka vlerësoi rolin e sistemit të OKB-së në Shqipëri në çuarjen përpara të angazhimeve ndaj Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.

Titulli: Minister of Europe and Foreign Affairs HE Olta Xhaçka, delivering the keynote speech at the event
Foto: © UN Albania

Shikoni një video të shkurtër që tregon disa nga arritjet e bashkëpunimit Shqipëri-OKB dhe rrugën përpara:

***

Më shumë detaje teknike mbi Kuadrin e Bashkëpunimit Shqipëri-OKB për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2022-2026

 

Më 1 janar 2022, hyn në fuqi një Kuadër i ri Bashkëpunimi Shqipëri-OKB.

 

Ai ofron një mundësi të jashtëzakonshme për të arritur përmbushjen e Axhendës së vitit 2030 dhe treguar rezultate konkrete në terren për popullin shqiptar.

 

Ky Kuadër Bashkëpunimi për Zhvillim të Qëndrueshëm (KB) mes Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe sistemit të OKB-së, mbështetet nga përparësitë e vendit:

 

  • Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) me objektiva dhe synime të nacionalizuara për Objektiva të përzgjedhur të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ-të);
  • Gjashtë përparësitë e vizionit të ri të Qeverisë “Shqipëria 2030”;
  • Integrimi në Bashkimin Evropian (BE);
  • Angazhimet e Shqipërisë për të drejtat e njeriut dhe objektivat e tjera të miratuar të zhvillimit ndërkombëtar dhe rajonal dhe detyrimet ndaj traktateve.

 

Përparësia Strategjike A. Zhvillimi i kapitalit njerëzor dhe përfshirja sociale

Rezultati A: Deri në vitin 2026, ka investime të shtuara dhe më të drejta për njerëzit, duke larguar pengesat dhe krijuar mundësi për ata që rrezikojnë të mbeten të përjashtuar

 

Përparësia Strategjike B. Rritje ekonomike e gjelbër, e qëndrueshme dhe me përshtatshmëri ndaj ndryshimeve dhe menaxhim i burimeve

Rezultati B. Deri në vitin 2026, zgjidhje politikash novative dhe të integruara përshpejtojnë zhvillimin ekonomik, produktiv, dhe të qëndrueshëm, duke rritur nivelin e përshtatshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike dhe zbutjen e pasojave të tyre, si dhe kalimin në një ekonomi më të gjelbër dhe blu

 

Përparësia Strategjike C. Qeverisje efektive me fokus tek njerëzit, sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe barazia gjinore 

Rezultati C1. Deri në vitin 2026, qeverisja është më transparente dhe llogaridhënëse, duke mundësuar që njerëzit (gratë dhe vajzat, burrat dhe djemtë, dhe personat në rrezik përjashtimi) të gëzojnë shërbime gjithëpërfshirëse cilësore, sundim më të përmirësuar të ligjit dhe qasje në shërbimet e drejtësisë në përputhje me angazhimet që Shqipëria ka në fushën e të drejtave të njeriut

Rezultati C2.  Deri në vitin 2026, qeverisja me përgjegjshmëri gjinore, forcon barazinë dhe mos-diskriminimin, nxit fuqizimin e grave dhe të drejtat e njeriut, dhe ul dhunën ndaj grave dhe fëmijëve.

guri

Guri Daco

RCO
Communications and Advocacy Officer

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

FAO
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë
ILO
Organizata Ndërkombëtare e Punës
IOM
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
ITU
Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit
UN Women
United Nations Entity for Gender Equality and the Empowerment of Women
UNCTAD
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin
UNDP
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara
UNDRR
Zyra e OKB-së për Zvogëlimin e Rrezikut nga Katastrofat
UNECE
Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën
UNEP
Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin
UNESCO
Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë
UNFPA
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë
UNHCR
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët
UNICEF
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët
UNIDO
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial
UNODC
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim
UNOPS
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit
UNV
Vullnetarët e Kombeve të Bashkuara
WHO
Organizata Botërore e Shëndetësisë

Subjekte të tjera të përfshira në këtë nismë

ALB MEFA
Albania Ministry for Europe and Foreign Affairs

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme