Fjalimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme
SEKRETARI I PËRGJITHSHËM ANTÓNIO GUTERRES
FJALA DREJTUAR ASAMBLESË SË PËRGJITHSHME
Zoti President i Asamblesë së Përgjithshme, Shkëlqesi, Zonja dhe Zotërinj,
Bota jonë është në telashe të mëdha.
Ndasitë po thellohen.
Pabarazitë po zgjerohen.
Sfidat po përhapen më tej.
Por ndërsa takohemi në një botë të mbushur me trazira, më vjen në mendje një imazh premtimi dhe shprese.
Kjo anije është Komandanti Guximtar. Ajo lundroi në Detin e Zi me flamurin e OKB-së që valëvitej lart dhe krenar.
Nga njëra anë, ajo që shihni është një anije si çdo tjetër që lundron nëpër dete.
Por shikojeni më afër.
Në thelb, kjo anije është simbol i asaj që ne mund të arrijmë kur veprojmë së bashku.
Është e ngarkuar me grurë ukrainas nisur drejt popujve të gadishullit të Somalisë në Afrikën Lindore, miliona prej të cilëve janë në prag të urisë.
Lundroi përmes një zonë lufte – e drejtuar nga vetë palët në konflikt – si pjesë e një nisme gjithëpërfshirëse të paprecedentë për të nxjerrë më shumë ushqime dhe plehra kimike nga Ukraina dhe Rusia.
Për të sjellë ndihmën aq dëshpërimisht të nevojshme për ata që kanë nevojë.
Për të qetësuar tregjet e mallrave, për të siguruar korrjet e të ardhmes dhe për të ulur çmimet për konsumatorët kudo.
Ukraina dhe Federata Ruse – me mbështetjen e Turqisë – u bënë bashkë për ta realizuar – pavarësisht ndërlikimeve të mëdha, zërave kundër dhe madje ferrit të luftës.
Disa mund ta quajnë një mrekulli mbi det.
Në të vërtetë, është diplomaci shumëpalëshe në veprim.
Nisma e Drithërave të Detit të Zi i ka hapur rrugën lundrimit të sigurt të dhjetëra anijeve të mbushura me furnizime ushqimore shumë të nevojshme.
Por çdo anije mban gjithashtu një nga mallrat më të rralla të ditëve të sotme: Shpresën.
Shkëlqesi,
Ne kemi nevojë për shpresë… dhe më shumë.
Ne kemi nevojë për veprim.
Për të lehtësuar krizën globale të ushqimit, tani duhet të zgjidhim urgjentisht krizën globale të tregut të plehrave kimike.
Këtë vit, bota ka mjaft ushqim; problem është shpërndarja.
Por nëse tregu i plehrave nuk stabilizohet, problemi i vitit të ardhshëm mund të jetë furnizimi me ushqime.
Ne tashmë kemi raporte për fermerët në Afrikën Perëndimore dhe më gjerë, që po kultivojnë më pak kultura për shkak të çmimit ose mungesës së plehrave.
Është thelbësore të vazhdohet me heqjen e të gjitha pengesave të mbetura për eksportin e plehrave ruse dhe përbërësve të tyre, duke përfshirë edhe amoniakun. Këto produkte nuk janë subjekt i sanksioneve – dhe ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të hequr pasojat e tërthorta.
Një shqetësim tjetër madhor është ndikimi i çmimeve të larta të naftës tek prodhimi i plehrave kimike. Kjo gjithashtu duhet trajtuar seriozisht.
Nëse nuk do të veprojmë tani, mungesa globale e plehrave kimike do të shndërrohet shpejt në një mungesë globale ushqimore.
Shkëlqesi,
Ne kemi nevojë për veprim në shkallë të gjerë.
Të mos kemi iluzione.
Jemi në det të trazuar.
Dimri i pakënaqësisë globale është në horizont.
Po ndihet një krizë e kostos së jetesës.
Besimi po thyhet.
Pabarazitë po shpërthejnë.
Planeti ynë po digjet.
Njerëzit po lëndohen – ata më në nevojë po vuajnë më shumë.
Karta e Kombeve të Bashkuara dhe idealet që ajo përfaqëson janë në rrezik.
Ne kemi për detyrë të veprojmë.
E megjithatë ne jemi të bllokuar në mosfunksionim me përmasa gjigande globale.
Komuniteti ndërkombëtar nuk është gati apo i gatshëm të merret me sfidat e mëdha dramatike të epokës sonë.
Këto kriza kërcënojnë vetë të ardhmen e njerëzimit dhe fatin e planetit tonë.
Kriza të tilla si lufta në Ukrainë dhe shumëfishimi i konflikteve në mbarë globin.
Krizat si urgjenca klimatike dhe humbja e biodiversitetit.
Krizat si gjendja e rëndë financiare e vendeve në zhvillim dhe fati i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Dhe kriza të tilla si mungesa e mbrojtjes ndaj teknologjive të reja shpresëdhënëse për shërimin e sëmundjeve, për të lidhur njerëzit dhe për të zgjeruar mundësitë.
Vetëm gjatë kohës qëkur u bëra Sekretar i Përgjithshëm, është zhvilluar një mekanizëm për modifikimin gjenetik.
Neuroteknologjia – dija që lidh teknologjinë me sistemin nervor të njeriut – ka përparuar nga ideja tek vërtetimi i konceptit.
Kriptovalutat dhe teknologjitë e tjera të zinxhirëve numerikë janë të përhapura.
Por në një mori teknologjish të reja, ka një pyll mbushur me flamuj të kuq.
Platformat e mediave sociale, të bazuara në një model biznesi që fiton para nga zemërimi, mërzia dhe negativiteti, po shkaktojnë dëme të pallogaritshme për komunitetet dhe shoqëritë.
Po shtohet gjuha e urrejtjes, keqinformimi dhe abuzimi, të drejtuara veçanërisht ndaj grave dhe grupeve në nevojë.
Të dhënat tona po blihen dhe shiten për të ndikuar në sjelljen tonë – ndërkohë që aplikacionet për vjedhjen e të dhënave dhe vëzhgimi janë jashtë kontrollit – të gjitha, pa marrë parasysh privatësinë.
Inteligjenca artificiale mund të rrezikojë integritetin e sistemeve të informacionit, medias dhe në të vërtetë vetë demokracinë.
Sistemet kompjuterike kuantike mund të shkatërrojnë sigurinë kibernetike dhe të rrisin rrezikun e keqfunksionimeve të sistemeve komplekse.
Ne nuk kemi as bazën e një arkitekture globale për t'u marrë me ndonjë nga këto rreziqe.
Shkëlqesi,
Përparimi në të gjitha këto çështje dhe më gjerë, po mbahet peng nga tensionet gjeopolitike.
Bota jonë është në rrezik - dhe e paralizuar.
Ndarjet gjeopolitike:
Po minojnë punën e Këshillit të Sigurimit.
Po shkatërrojnë ligjin ndërkombëtar.
Po gërryejnë besimin e njerëzve tek institucionet demokratike.
Po minojnë të gjitha format e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Nuk mund të vazhdojmë kështu.
Edhe grupimet e ndryshme të ngritura jashtë sistemit shumëpalësh nga disa anëtarë të komunitetit ndërkombëtar kanë rënë në grackën e ndarjeve gjeopolitike, si në G-20.
Në një moment, marrëdhëniet ndërkombëtare dukej se po lëviznin drejt një bote G-2; tani rrezikojmë të përfundojmë me G-asgjë.
Asnjë bashkëpunim. Asnjë dialog. Nuk ka zgjidhje kolektive të problemeve.
Por realiteti është se ne jetojmë në një botë ku logjika e bashkëpunimit dhe dialogut është e vetmja rrugë përpara.
Asnjë pushtet apo grup i vetëm nuk mund të marrë vendim.
Asnjë sfidë e madhe globale nuk mund të zgjidhet nga një koalicion njerëzish thjesht me vullnet të mirë.
Ne kemi nevojë për një koalicion botëror.
Shkëlqesi,
Sot, unë dua të përshkruaj tre fusha ku koalicioni botëror duhet të kapërcejë urgjentisht ndasitë dhe të veprojë së bashku.
Fillon me misionin themelor të Kombeve të Bashkuara – vendosjen dhe ruajtjen e paqes.
Pjesa më e madhe e vëmendjes së botës mbetet e përqendruar në pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
Lufta ka shkaktuar shkatërrim në shkallë të gjerë me shkelje masive të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar humanitar. Raportet e fundit mbi vendvarrimet në Izyum janë jashtëzakonisht shqetësuese.
Luftimet kanë marrë mijëra jetë. Miliona janë zhvendosur. Miliarda në të gjithë botën janë prekur.
Ne po shohim kërcënimin e ndarjeve të rrezikshme midis Perëndimit dhe Jugut.
Rreziqet për paqen dhe sigurinë globale janë të mëdha.
Ne duhet të vazhdojmë të punojmë për paqen në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe ligjin ndërkombëtar.
Në të njëjtën kohë, konfliktet dhe krizat humanitare po përhapen – shpesh larg vëmendjes.
Hendeku në financimin e Thirrjes tonë Globale Humanitare është 32 miliardë dollarë - më i madhi ndonjëherë.
Trazira me shumicë.
Në Afganistan, ekonomia është e rrënuar, mbi gjysma e të gjithë afganëve përballen me nivele ekstreme të urisë, ndërsa të drejtat e njeriut – veçanërisht të drejtat e grave dhe vajzave – po nëpërkëmben.
Në Republikën Demokratike të Kongos, grupet e armatosura në lindje të vendit, po terrorizojnë civilët dhe po ndezin tensionet rajonale.
Në Etiopi, kanë rifilluar luftimet, duke theksuar nevojën që palët të ndërpresin menjëherë armiqësitë dhe të kthehen në tryezën e paqes.
Në Haiti, bandat po shkatërrojnë vetë themelet mbi të cilat ngrihet shoqëria.
Në Gadishullin e Somalisë (Afrika Lindore), një thatësirë e paprecedentë po kërcënon jetën dhe jetesën e 22 milionë njerëzve.
Në Libi, ndasitë vazhdojnë të rrezikojnë vendin.
Në Irak, tensionet e vazhdueshme kërcënojnë stabilitetin.
Në Izrael dhe Palestinë, ciklet e dhunës nën pushtim vazhdojnë ndërsa perspektivat për paqen e bazuar në një zgjidhje për dy shtete bëhen gjithnjë e më të largëta.
Në Mianmar, situata e tmerrshme humanitare, e të drejtave të njeriut dhe e sigurisë po përkeqësohet çdo ditë.
Në Sahel, nivelet alarmante të pasigurisë dhe aktivitetit terrorist mes nevojave humanitare në rritje vazhdojnë të ngrihen.
Në Siri, dhuna dhe vështirësitë mbizotërojnë ende.
Lista vazhdon.
Ndërkohë kërcënimet për sulme bërthamore dhe kërcënimet për sigurinë e centraleve bërthamore po rrisin paqëndrueshmërinë globale.
Konferenca për shqyrtimin e Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore, dështoi në gjetjen e konsensusit dhe një marrëveshje bërthamore me Iranin mbetet e paarritshme.
Por ka disa rreze shprese.
Në Jemen, armëpushimi mbarëkombëtar është i brishtë, por vazhdon. Në Kolumbi, procesi i paqes po zë rrënjë.
Ne kemi nevojë për veprime shumë më të bashkërenduara kudo, që zenë fill në respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Në një botë të copëtuar, ne duhet të krijojmë mekanizma dialogu për të shëruar përçarjet.
Kjo është arsyeja pse unë rradhita elemente të një Axhende të re për Paqe në raportin tim mbi Axhendën Tonë të Përbashkët.
Ne jemi të përkushtuar të shfrytëzojmë sa më shumë çdo mjet diplomatik për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve, siç përcaktohet në Kartën e Kombeve të Bashkuara: negociata, hetimi, ndërmjetësimi, pajtimi, arbitrazhi dhe zgjidhja gjyqësore.
Udhëheqja dhe pjesëmarrja e grave duhet të jenë parësore dhe në qendër.
Dhe në të njëjtë kohë, ne duhet t'i japim përparësi parandalimit dhe ndërtimit të paqes.
Kjo do të thotë të forcohet largpamësia strategjike, të parashikohen pikat e rrezikut që mund të shpërthejnë në dhunë dhe të trajtohen kërcënimet e reja që vijnë nga lufta kibernetike dhe armët autonome vdekjeprurëse.
Do të thotë zgjerimi i rolit të grupeve rajonale, forcimi i paqeruajtjes, intensifikimi i çarmatimit dhe mospërhapjes, parandalimi dhe luftimi i terrorizmit dhe sigurimi i llogaridhënies.
Dhe kjo do të thotë njohje e të drejtave të njeriut si thelbësore për të parandaluar.
Thirrja ime për Veprim për të Drejtat e Njeriut thekson rëndësinë e të drejtave të njeriut, refugjatët dhe të drejtës humanitare.
Në gjithçka që bëjmë, duhet të pranojmë se të drejtat e njeriut janë rruga drejt zgjidhjes së tensioneve, përfundimit të konfliktit dhe krijimit të paqes së qëndrueshme.
Shkëlqesi,
Ekziston një betejë tjetër që duhet t'i japim fund – lufta jonë vetëvrasëse kundër natyrës.
Kriza klimatike është çështja përcaktuese e kohës sonë.
Ajo duhet të jetë prioriteti i parë i çdo qeverie dhe organizate shumëpalëshe.
E megjithatë veprimi për klimën po vihet në plan të dytë – pavarësisht mbështetjes dërrmuese të publikut në mbarë botën.
Emetimet globale të gazeve serrë duhet të ulen me 45 përqind deri në vitin 2030 që të kemi ndonjë shpresë për të arritur emetimet zero neto deri në vitin 2050.
E megjithatë emetimet po rriten në nivele rekord – me një rritje prej 14 përqind këtë dekadë.
Ne do takojmë katastrofën klimatike.
Kohët e fundit e pashë me sytë e mi në Pakistan – ku një e treta e vendit është zhytur nën ujërat e një musoni steroidal.
E shohim kudo.
Planeti tokë është viktimë e politikave të tokës së djegur.
Viti i kaluar na ka sjellë valën më të keqe të të nxehtit në Evropë që nga koha e Mesjetës.
Thatësirë ekstreme në Kinë, Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë.
Zija e bukës përndjek Gadishullin e Somalisë në Afrikën lindore.
Një milion specie në rrezik zhdukjeje.
Asnjë rajon nuk është i paprekur.
Dhe ende nuk kemi parë asgjë.
Verat më të nxehta të së sotmes mund të jenë verat më të freskëta të së nesërmes.
Goditjet klimatike që ndodhin një herë në jetë, së shpejti mund të ndodhin një herë në vit.
Dhe me çdo fatkeqësi klimatike, ne e dimë se gratë dhe vajzat janë më të prekurat.
Kriza klimatike është një rast studimor në padrejtësinë morale dhe ekonomike.
Vendet e G20-ës shkaktojnë 80 përqind të të gjitha emetimeve të gazrave serrë.
Por më të varfërit dhe më të prekurit – ata që kontribuan më pak në këtë krizë – po vuajnë ndikimet e saj më brutale.
Ndërkohë, industria e karburanteve fosile po shijon qindra miliarda dollarë subvencione dhe fitime të papritura, ndërkohë që buxhetet e familjeve tkurren dhe planeti ynë digjet.
Shkëlqesi,
Le ta themi ashtu siç është.
Bota jonë është e varur nga lëndët djegëse fosile. Është koha për një ndërhyrje.
Ne duhet të kërkojmë llogari nga kompanitë e karburanteve fosile dhe siguruesit e tyre.
Kjo përfshin bankat, kapitalin privat, menaxherët e aseteve dhe institucione të tjera financiare që vazhdojnë të investojnë dhe të sigurojnë ndotjen prej karbonit.
Dhe përfshin makinën masive të marrëdhënieve me publikun që grumbullon miliarda për të mbrojtur industrinë e karburanteve fosile nga hetimi.
Ashtu siç bënë për industrinë e duhanit dekada më parë, lobistët dhe tru-larësit kanë përhapur dezinformata të dëmshme.
Interesat e karburanteve fosile duhet të shpenzojnë më pak kohë për të shmangur një fatkeqësi komunikimi publik - dhe më shumë kohë për të shmangur një fatkeqësi planetare.
Natyrisht, karburantet fosile nuk mund të mbyllen brenda natës.
Një tranzicion i drejtë do të thotë të mos lëmë asnjë person apo vend prapa.
Por është koha e duhur për të vënë në dijeni prodhuesit, investitorët dhe siguruesit e karburanteve fosile.
Ndotësit duhet të paguajnë.
Sot, po u bëj thirrje të gjitha ekonomive të zhvilluara që të tatojnë fitimet e papritura të kompanive të karburanteve fosile.
Këto fonde duhet të ridrejtohen në dy mënyra: drejt vendeve që vuajnë humbje dhe dëme të shkaktuara nga kriza klimatike; dhe për njerëzit që luftojnë me rritjen e çmimeve të ushqimit dhe energjisë.
Ndërsa po shkojmë në Konferencën e OKB-së për Klimën COP 27 në Egjipt, u bëj thirrje të gjithë liderëve që të përmbushin qëllimet e Marrëveshjes së Parisit.
Rrisni ambicien tuaj për klimën. Dëgjoni thirrjet e njerëzve tuaj për ndryshim. Investoni në zgjidhje që çojnë në rritje të qëndrueshme ekonomike.
Më lejoni të veçoj tre.
Së pari, energjia e rinovueshme.
Ajo gjeneron tre herë më shumë vende pune, është tashmë më e lirë se karburantet fosile dhe është rruga drejt sigurisë së energjisë, çmimeve të qëndrueshme dhe industrive të reja.
Por vendet në zhvillim kanë nevojë për ndihmë për të bërë këtë ndryshim, duke përfshirë koalicionet ndërkombëtare për të mbështetur tranzicionet e drejta të energjisë në ekonomitë kryesore në zhvillim.
Së dyti, duke ndihmuar vendet të përshtaten ndaj përkeqësimit të goditjeve klimatike.
Ngritja e qëndrueshmërisë në vendet në zhvillim është një investim i zgjuar – në zinxhirë furnizimi të besueshëm, stabilitet rajonal dhe migrim të rregullt.
Vitin e kaluar në Glasgou, vendet e zhvilluara ranë dakord të dyfishojnë fondet e përshtatjes deri në vitin 2025. Kjo, si pikënisje, duhet të përmbushet plotësisht.
Të paktën, përshtatja duhet të zërë gjysmën e të gjithë financimeve për klimën.
Bankat Shumëpalëshe për Zhvillim duhet të rriten dhe të japin rezultate. Ekonomitë e mëdha janë aksionerët e tyre dhe duhet ta realizojnë atë.
Së treti, adresimi i humbjeve dhe dëmeve nga fatkeqësitë.
Është koha për të kaluar përtej diskutimeve pambarim. Vendeve në nevojë u duhen veprime kuptimplotë.
Humbjet dhe dëmet po ndodhin tani, duke dëmtuar njerëzit dhe ekonomitë tani, dhe duhet të zgjidhen tani -- duke filluar nga COP 27.
Kjo është një çështje themelore e drejtësisë klimatike, solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit.
Në të njëjtën kohë, ne duhet të sigurohemi që çdo person, komunitet dhe komb të ketë akses në sisteme efektive të paralajmërimit të hershëm brenda pesë viteve të ardhshme.
Dhe ne duhet të zgjidhim krizën e biodiversitetit duke e kthyer në sukses Konferencën e Dhjetorit të OKB-së për Biodiversitetin.
Bota duhet të bjerë dakord për një kornizë globale të biodiversitetit pas vitit 2020 – e cila vendos objektiva ambicioze për të ndaluar dhe rikthyer humbjen e biodiversitetit, siguron financimin e duhur dhe eliminon subvencionet e dëmshme që shkatërrojnë ekosistemet nga të cilat varemi të gjithë ne.
Unë gjithashtu ju bëj thirrje që të shtoni përpjekjet për të finalizuar një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të detyrueshme për të ruajtur dhe përdorur në mënyrë të qëndrueshme diversitetin biologjik detar. Ne duhet të mbrojmë oqeanin tani dhe për të ardhmen.
Shkëlqesi,
Kriza klimatike po vjen mbi përkeqësimin e motit.
Nxitur nga lufta në Ukrainë, po shpaloset një krizë globale e kostos së jetesës, që ndodh një herë gjatë një brezi.
Rreth 94 vende – shtëpia e 1.6 miliardë njerëzve, shumë prej të cilëve në Afrikë – përballen me një stuhi perfekte: pasoja ekonomike dhe sociale nga pandemia, rritje e çmimeve të ushqimit dhe energjisë, dërrmimi i barrës së borxhit, luhatjet e inflacionit dhe mungesa e aksesit në financa.
Këto kriza si kaskada po ushqehen te njëra-tjetra, duke vështirësuar pabarazitë, duke krijuar vështirësi shkatërruese, duke vonuar tranzicionin e energjisë dhe duke kërcënuar me shkatërrim financiar globale.
Trazirat sociale janë të pashmangshme – me konflikt jo shumë prapa.
Nuk duhet të jetë kështu.
Një botë pa varfëri ekstreme, mungesa apo uri, nuk është një ëndërr e pamundur. Është brenda mundësive.
Kjo është bota e parashikuar nga Axhenda 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Por nuk është bota që ne duket se kemi zgjedhur.
Për shkak të vendimeve tona, zhvillimi i qëndrueshëm kudo është në rrezik.
OZHQ-të po lëshojnë një SOS.
Edhe synimet më themelore – mbi varfërinë, urinë dhe arsimin – po kthehen mbrapa.
Më shumë njerëz janë të varfër. Më shumë njerëz janë të uritur. Më shumë njerëzve u mohohet kujdesi shëndetësor dhe arsimi.
Barazia gjinore po shkon prapa dhe jeta e grave po përkeqësohet, nga varfëria, te zgjedhjet rreth shëndetit seksual dhe riprodhues, te siguria e tyre personale.
Shkëlqesi,
Vendet në zhvillim po goditen nga të gjitha anët.
Ne kemi nevojë për veprim të përbashkët.
Sot, unë po bëj thirrje për nisjen e një Nxitësi OZHQ - të udhëhequr nga G-20 – për të nxitur masivisht zhvillimin e qëndrueshëm për vendet në zhvillim.
Samiti i ardhshëm i G20 në Bali është vendi për të filluar.
Ky nxitës OZHQ SDG ka katër përbërës:
Së pari, Bankat Shumëpalëshe të Zhvillimit – Banka Botërore dhe homologët rajonalë – duhet të rrisin fondet koncesionare për vendet në zhvillim të lidhura me investimet në Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Vetë bankat kanë nevojë për më shumë financa, menjëherë.
At më pas duhet të heqin kushtet e tyre të huamarrjes dhe të rrisin oreksin e tyre për rrezik, në mënyrë që fondet të arrijnë të gjitha vendet në nevojë.
Vendet në zhvillim, veçanërisht Shtetet e Ishujve të Vegjël në Zhvillim, përballen me shumë pengesa në aksesin e financave që u nevojiten për të investuar tek njerëzit dhe e ardhmja e tyre.
Së dyti, lehtësimi i borxhit.
Iniciativa për Pezullimin e Shërbimit të Borxhit duhet të zgjatet – dhe të përmirësohet.
Ne gjithashtu kemi nevojë për një mekanizëm efektiv të lehtësimit të borxhit për vendet në zhvillim në vështirësi borxhi – duke përfshirë vendet me të ardhura mesatare.
Kreditorët duhet të marrin në konsideratë mekanizmat e uljes së borxhit, siç janë shkëmbimet e përshtatjes së borxhit dhe klimës.
Këto mund të kishin shpëtuar jetë dhe vendbanime në Pakistan, i cili po mbytet jo vetëm në ujërat e përmbytjeve, por edhe në borxhe.
Kriteret e huadhënies duhet të shkojnë përtej Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe të përfshijnë të gjitha dimensionet e prekshmërisë që prekin vendet në zhvillim.
Së treti, një zgjerim i likuiditetit.
I bëj thirrje Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe bankave të mëdha qendrore që të zgjerojnë likuiditetin dhe linjat monetare menjëherë dhe në mënyrë të konsiderueshme.
Të Drejtat e Veçanta të Tërheqjes luajnë një rol të rëndësishëm për t'u mundësuar vendeve në zhvillim të investojnë tek rimëkëmbja dhe OZHQ-të.
Por ato u shpërndanë tek ata që kanë më pak nevojë, sipas kuotave ekzistuese. Kemi 19 muaj që presim rishpërndarjen; shumat për të cilat dëgjojmë janë minimale.
Një ndarje e re e të Drejtave të Veçanta të Tërheqjes duhet të trajtohet ndryshe bazuar në drejtësinë dhe solidaritetin me vendet në zhvillim.
Së katërti, u bëj thirrje qeverive të fuqizojnë fondet e specializuara si Gavi, Fondi Global dhe Fondi i Gjelbër për Klimën.
Ekonomitë e G20 duhet të garantojnë një zgjerim të këtyre fondeve si financim shtesë për OZHQ-të.
Shkëlqesi,
Më lejoni të jem i qartë: Nxitësi i OZHQ-së që unë po propozoj është thelbësor, por është vetëm një masë e përkohshme.
Sistemi financiar i sotëm global u krijua nga vendet e pasura për t'u shërbyer interesave të tyre shumë dekada më parë. Ai zgjeron dhe rrënjos pabarazitë. Kërkon reforma të thella strukturore.
Raporti im mbi Axhendën Tonë të Përbashkët propozon një Marrëveshje të Re Globale për të ribalancuar fuqinë dhe burimet midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim.
Vendet afrikane, në veçanti, janë relativisht të nën-përfaqësuara në institucionet globale.
Shpresoj që shtetet anëtare të shfrytëzojnë mundësinë për t'i kthyer këto ide në zgjidhje konkrete, duke përfshirë edhe Samitin e së Ardhmes në 2024.
Shkëlqesi,
Mosmarrëveshjet midis vendeve të zhvilluara dhe atyre në zhvillim – midis Veriut dhe Jugut – midis të privilegjuarve dhe pjesës tjetër – po bëhet më e rrezikshme dita ditës.
Është themeli i tensioneve gjeopolitike dhe mungesës së besimit, që helmojnë çdo fushë të bashkëpunimit global, nga vaksinat te sanksionet e deri te tregtia.
Por duke vepruar si një, ne mund të ushqejmë filiza të brishta shprese.
Shpresa gjendet tek aktivistët për klimën dhe paqen në mbarë botën, që bëjnë thirrje për ndryshim dhe kërkojnë më të mirën prej udhëheqësve të tyre.
Shpresa gjendet tek të rinjtë që punojnë çdo ditë për një të ardhme më të mirë, më paqësore.
Shpresa gjendet tek gratë dhe vajzat, që drejtojnë dhe luftojnë për ata të cilëve ende u mohohen të drejtat e tyre themelore njerëzore.
Shpresa gjendet tek shoqëria civile që kërkon mënyra për të ndërtuar komunitete dhe vende më të drejta dhe të barabarta.
Shpresa gjendet tek shkenca dhe trupat akademike, që garojnë për t’u paraprirë sëmundjeve vdekjeprurëse dhe për t'i dhënë fund pandemisë së COVID-19.
Shpresa gjendet tek heronjtë humanitarë që nxitojnë për të ofruar ndihma që shpëtojnë jetë në mbarë botën.
Kombet e Bashkuara janë përkrah të gjithëve.
Ne e dimë se idealet e larta duhet të bëhen realitet në jetën e njerëzve.
Pra, le të zhvillojmë zgjidhje të përbashkëta për problemet e përbashkëta – të bazuara në vullnetin e mirë, besimin dhe të drejtat e përbashkëta të çdo qenieje njerëzore.
Le të punojmë si një, një koalicion i botës, si kombe të bashkuara.
Faleminderit.