Njoftimi për media

Op-ed: 8 Miliardë Njerëz - Një Njerëzim

10 nëntor 2022

Nga António Guterres, Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara

Popullsia e botës do të arrijë në 8 miliardë në mes të nëntorit – një dëshmi e përparimeve shkencore dhe përmirësimit të të ushqyerit, shëndetit publik dhe higjienës. Por, ndërsa familja jonë njerëzore rritet, po rriten dhe ndasitë.

Miliarda njerëz po vuajnë; qindra milionë njerëz po përballen me mungesën e ushqimeve e madje edhe me urinë. Shifra rekord njerëzish në lëvizje për të kërkuar mundësi dhe lehtësim nga borxhet dhe vështirësitë, luftërat dhe katastrofat klimaterike.

Nëse nuk e mbushim hendekun midis të pasurve globalë dhe atyre që nuk kanë, ne po e vendosim veten në kurthin e një bote 8 miliardëshe të mbushur me tensione dhe mosbesim, kriza dhe konflikte.

Faktet flasin vetë. Një grusht miliarderësh kontrollojnë aq shumë pasuri sa zotëron gjysma më e varfër e botës. Një përqindëshi më i lartë në botë zotëron një të pestën e të ardhurave të botës, ndërsa njerëzit në vendet më të pasura mund të presin të jetojnë deri në 30 vjet më gjatë se ata në më të varfrit. Ndërsa bota është bërë më e pasur dhe më e shëndetshme në dekadat e fundit, këto pabarazi janë rritur po ashtu.

Në krye të këtyre prirjeve afatgjata, kriza e përshpejtuar e klimës dhe rikuperimi i pabarabartë nga pandemia COVID-19 po ushqejnë me ritme marramendëse pabarazitë. Po shkojmë drejt katastrofës klimatike, ndërkohë që emetimet dhe temperaturat vazhdojnë të rriten. Përmbytjet, stuhitë dhe thatësirat janë po shkatërrojnë vendet që nuk kontribuuan pothuajse fare për ngrohjen globale.

Lufta në Ukrainë po shton krizat e vazhdueshme të ushqimit, energjisë dhe financave, duke goditur më së shumti ekonomitë në zhvillim. Këto pabarazi shkaktojnë dëmin e tyre më të madh tek gratë dhe vajzat, dhe tek grupet e marxhinalizuara që tashmë vuajnë nga diskriminimi.

Shumë vende në pjesën jugore të globit përballen me borxhe të mëdha, varfëri dhe uri në rritje, si dhe me ndikimet në rritje të krizës klimatike. Ata kanë pak gjasa që të investojnë në një rikuperim të qëndrueshëm prej pandemisë, kalimin në energjinë e rinovueshme, ose edukimin dhe trajnimin për epokën dixhitale.

Zemërimi dhe pakënaqësia ndaj vendeve të zhvilluara po arrijnë pikat kulmore.

Ndarjet toksike dhe mungesa e besimit po shkaktojnë vonesa dhe bllokime në një mori çështjesh, duke filluar nga çarmatimi bërthamor tek terrorizmi e deri te shëndeti global. Ne duhet t'i ulim këto prirje të dëmshme, të riparojmë marrëdhëniet dhe të gjejmë zgjidhje të përbashkëta për sfidat tona të përbashkëta.

Hapi i parë është të pranojmë se kjo pabarazi e çartur është një zgjedhje, dhe një zgjedhje që vendet e zhvilluara kanë përgjegjësinë ta ndryshojnë – duke filluar këtë muaj në konferencën e OKB-së për klimën në Egjipt (COP27) dhe samitin e G20-ës në Bali.

Shpresoj se COP27-ta do të shohë një Pakt historik të Solidaritetit për Klimën, përmes të cilit ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim do të bashkohen rreth një strategjie të përbashkët dhe do të kombinojnë kapacitetet dhe burimet e tyre për të mirën e njerëzimit. Vendet më të pasura duhet t'u ofrojnë ekonomive kryesore në zhvillim, mbështetje financiare dhe teknike për t'u larguar nga karburantet fosile. Kjo është shpresa jonë e vetme për të përmbushur objektivat tona klimatike.

Unë gjithashtu u bëj thirrje udhëheqësve në COP27, të bien dakord për një udhërrëfyes dhe kornizë institucionale për të kompensuar vendet në pjesën jugore të globit për humbjet dhe dëmet e lidhura me klimën që tashmë po shkaktojnë vuajtje të pamatshme.

Samiti i G20-ës në Bali, do të jetë një mundësi për të trajtuar gjendjen e vështirë të vendeve në zhvillim. Unë u kam kërkuar ekonomive të G20-ës të miratojnë një paketë nxitëse që do t'u sigurojë qeverive të pjesës jugore të globit investime dhe likuiditet, si dhe do të zgjidhë lehtësimin dhe ristrukturimin e borxhit.

Ndërsa ne nxisim që të ketë veprim për këto masa afatmesme, ne po punojmë pa ndërprerje me të gjitha palët e interesuara për të zbutur krizën globale të ushqimit.

Nisma e Detit të Zi për Grurin e është një pjesë thelbësore e këtyre përpjekjeve. Ajo ka ndihmuar në stabilizimin e tregjeve dhe uljen e çmimeve të ushqimeve. Çdo pjesë e përqindjes ka potencialin për të zbutur urinë dhe për të shpëtuar jetë.

Ne po punojmë gjithashtu për të siguruar që plehrat kimike ruse të mund të qarkullojnë në tregjet globale, të cilat janë ndërprerë ashpërsisht nga lufta. Çmimet e plehrave janë deri në tre herë më të larta se para pandemisë. Orizi, produkti më i konsumuar në botë, është kultura që do të vuajë më shumë.

Heqja e pengesave të mbetura për eksportet e plehrave kimike ruse është një hap thelbësor drejt sigurisë globale të ushqimit.

Por mes gjithë këtyre sfidave serioze, ka disa lajme të mira.

Bota jonë me forcë tetë miliardëshe mund të ofrojë mundësi të mëdha për disa nga vendet më të varfra, ku rritja e popullsisë është më e larta.

Investimet relativisht të pakta në shëndetësi, arsim, barazi gjinore dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik mund të krijojnë një rreth virtuoz zhvillimi dhe rritjeje, duke transformuar ekonomitë dhe jetët.

Brenda pak dekadash, vendet e sotme më të varfra mund të bëhen motorë të rritjes së qëndrueshme, të gjelbër dhe prosperitetit në të gjithë rajonet.

Unë kurrë nuk kam vënë bast kundër zgjuarsisë njerëzore dhe kam besim të madh tek solidariteti njerëzor. Në këto kohë të vështira, do të bënim mirë të kujtonim fjalët e një prej vëzhguesve më të mençur të njerëzimit, Mahatma Gandhi: "Bota ka mjaftueshëm për nevojat e të gjithëve - por jo sa duhet për të shuar lakminë e të gjithëve".

Takimet e mëdha globale të këtij muaji duhet të jenë një mundësi për të filluar kapërcimin e ndasive dhe rivendosjen e besimit, bazuar në të drejtat dhe liritë e barabarta të secilit anëtar të familjes tetë miliardëshe të njerëzimit.

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

UN
United Nations

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme