Shqipëria: Eksperti i Kombeve të Bashkuara mirëpret përfshirjen e grave në qeverisje, bën thirrje për veprim lidhur me personat me aftësi të kufizuara
24 nëntor 2022
TIRANË/GJENEVË (24 Nëntor 2022)
Përpjekjet e Shqipërisë për përfshirjen e
grave në qeverisje meritojnë të njihen, por vendi mund të bëjë më shumë për të nxitur pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara dhe të komuniteteve rurale në zhvillimin politik, ekonomik dhe shoqëror, tha sot eksperti i Kombeve të Bashkuara.
Në fund të vizitës 10-ditore në vend, Raportuesi i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Zhvillimit Saad Alfarargi, lavdëroi përpjekjet e Qeverisë Shqiptare për të siguruar pjesëmarrjen e grave në qeverisje dhe në organet vendimmarrëse, përfshirë qeverisjen qendrore dhe shërbimin civil.
“Shqipëria ka bërë një përparim mbresëlënës në rritjen e rolit të grave në organet vendimmarrëse”, tha Alfarargi. “Vendi gjithashtu po punon për të arritur një shkallë të lartë përfaqësimi të grave në nivelet drejtuese në sektorin e biznesit,” shtoi ai.
Raportuesi i Posaçëm tha se u kënaq kur mësoi nga organizatat e shoqërisë civile se ishin përfshirë në diskutime që kontribuojnë në hartimin e politikave dhe ligjeve për zhvillimin e vendit.
“U kënaqa akoma më shumë kur mësova se pjesëmarrja e shoqërisë civile në proceset e konsultimit të lidhura me përpunimin e strategjive kombëtare dhe lokale dhe planet e veprimit, si edhe me buxhetimin, është detyrim i parashikuar në shumë ligje,” tha eksperti.
Alfarargi vuri theksin tek sfidat e mbetura lidhur me përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në zhvillimin ekonomik, social dhe kulturor, përfshirë në përgjithësi mungesën e mundësive për qasje në shërbime publike dhe përfaqësimin e pakët në qeverisje.
“Jam i shqetësuar gjithashtu se, pavarësisht nga përpjekjet e Qeverisë, zhvillimi i komuniteteve rurale ka mbetur prapa, duke çuar në përhapjen e varfërisë, papunësi dhe lënien pas dorë të njerëzve që jetojnë në zonat e thella dhe zonat rurale,” tha eksperti i Kombeve të Bashkuara.
Raporti i hollësishëm i Raportuesit të Posaçëm për vizitën dhe rekomandimet e tij do të paraqiten përpara Këshillit për të Drejtat e Njeriut në shtator 2023.