Kombet e Bashkuara miratojnë ‘Paktin për të Ardhmen’ që transformon qeverisjen globale
22 shtator 2024
New York, 22 Shtator 2024 – Liderët botërorë miratuan sot një Pakt për të Ardhmen që përfshin një Kompakt Digjital Global dhe një Deklaratë për Brezat e Ardhshëm.
Ky Pakt është kulmi i një procesi gjithëpërfshirës, që zgjati disa vite, për të përshtatur bashkëpunimin ndërkombëtar me realitetet e sotme dhe sfidat e së ardhmes. Është marrëveshja më e gjerë ndërkombëtare në shumë vite, që mbulon fusha krejtësisht të reja si dhe çështje mbi të cilat nuk ka pasur marrëveshje për dekada. Pakti ka si qëllim kryesor të sigurojë që institucionet ndërkombëtare të mund të veprojnë përballë një bote që ka ndryshuar ndjeshëm që nga krijimi i tyre. Ashtu siç ka thënë Sekretari i Përgjithshëm, “ne nuk mund të krijojmë një të ardhme të përshtatshme për nipërit tanë me një sistem të ndërtuar nga gjyshërit tanë.”
Pakti është një deklaratë e fortë e angazhimit të vendeve ndaj Kombet e Bashkuara, sistemit ndërkombëtar dhe së drejtës ndërkombëtare. Liderët paraqitën një vizion të qartë të një sistemi ndërkombëtar që mund të përmbushë premtimet e tij, që është më përfaqësues i botës së sotme dhe që bazohet mbi energjinë dhe ekspertizën e qeverive, shoqërisë civile dhe partnerëve të tjerë kyç.
“Pakti për të Ardhmen, Kompakti Digjital Global dhe Deklarata për Brezat e Ardhshëm hapin derën për mundësi të reja dhe shanse të pa shfrytëzuara më parë,” tha Sekretari i Përgjithshëm gjatë fjalimit të tij në hapjen e Samitit të së Ardhmes. Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme vuri në dukje se Pakti do të “vendosë bazat për një rend global të qëndrueshëm, të drejtë dhe paqësor – për të gjithë popujt dhe kombet.”
Pakti mbulon një gamë të gjerë çështjesh, duke përfshirë paqen dhe sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm, ndryshimin e klimës, bashkëpunimin digjital, të drejtat e njeriut, gjininë, rininë dhe brezat e ardhshëm, si dhe transformimin e qeverisjes globale. Disa rezultate kyçe të Paktit përfshijnë:
Në fushën e paqes dhe sigurisë
- Angazhimi më progresiv dhe konkret për reformën e Këshillit të Sigurimit që nga vitet 1960, me plane për të përmirësuar efektivitetin dhe përfaqësueshmërinë e Këshillit, duke përfshirë rregullimin e nënpërfaqësimit historik të Afrikës si prioritet.
- Riangazhimi i parë shumëpalësh për çarmatimin bërthamor pas më shumë se një dekade, me një angazhim të qartë me qëllim eliminimin total të armëve bërthamore.
- Marrëveshje për forcimin e strukturave ndërkombëtare që rregullojnë hapësirën kozmike, duke përfshirë një angazhim të qartë për të parandaluar një garë armësh në hapësirë dhe nevojën për të siguruar që të gjitha vendet të mund të përfitojnë nga eksplorimi i sigurt dhe të qëndrueshëm i hapësirës.
- Hapat për të shmangur armët dhe keqpërdorimin e teknologjive të reja, si armët autonome vdekjeprurëse, dhe pohimi se ligjet e luftës duhet të aplikohen për shumë nga këto teknologji të reja.
Mbi zhvillimin e qëndrueshëm, klimën dhe financimin për zhvillimin
- I gjithë Pakti është projektuar për të përshpejtuar zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
- Marrëveshja më e detajuar ndonjëherë në Kombet e Bashkuara mbi nevojën e reformës së arkitekturës financiare ndërkombëtare që të përfaqësojë dhe t'u shërbejë më mirë vendeve në zhvillim, duke përfshirë:
- Dhënien e një zëri më të fortë vendeve në zhvillim në mënyrën se si merren vendimet në institucionet financiare ndërkombëtare;
- Mobilizimi i më shumë financimeve nga bankat ndërkombëtare të zhvillimit për të ndihmuar vendet në zhvillim që të përmbushin nevojat e tyre për zhvillim;
- Rishikimi i arkitekturës së borxhit sovran për të siguruar që vendet në zhvillim të mund të marrin hua në mënyrë të qëndrueshme për të investuar në të ardhmen e tyre, me FMN-në, OKB-në, G20 dhe lojtarë të tjerë kyç që punojnë së bashku;
- Forcimi i rrjetit global financiar për të mbrojtur të varfrit në rast të goditjeve financiare dhe ekonomike, përmes veprimeve konkrete nga FMN-ja dhe Shtetet Anëtare;
- Përshpejtimi i masave për të adresuar sfidën e ndryshimit të klimës, duke përfshirë ofrimin e më shumë financimeve për të ndihmuar vendet të adaptohen ndaj ndryshimeve klimatike dhe të investojnë në energjinë e rinovueshme.
- Përmirësimi i mënyrës se si masim përparimin njerëzor, duke shkuar përtej PBB-së, për të matur mirëqenien dhe qëndrueshmërinë njerëzore dhe planetare.
- Një angazhim për të shqyrtuar mënyrat për të vendosur një nivel minimal global të tatimit për individët me pasuri të lartë.
- Për ndryshimin e klimës, konfirmimi i nevojës për të mbajtur rritjen e temperaturës globale në 1.5 °C mbi nivelet para-industriale dhe për të kaluar nga karburantet fosile drejt sistemesh energjetike që mund të sjellin arritjen e emetimeve neto zero deri në vitin 2050.
Mbi bashkëpunimin digjital
- Kompakti Digjital Global, i aneksuar në Pakt, është struktura e parë globale gjithëpërfshirëse për bashkëpunimin digjital dhe qeverisjen e IA-së.
- Në qendër të Kompaktit është një angazhim për të dizenjuar, përdorur dhe qeverisur teknologjinë për dobinë e të gjithëve. Kjo përfshin angazhime nga liderët botërorë për të:
- Lidhur të gjithë njerëzit, shkollat dhe spitalet me Internetin;
- Ankoruar bashkëpunimin digjital në të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare;
- Bërë hapësirën online të sigurt për të gjithë, veçanërisht për fëmijët, përmes veprimeve nga qeveritë, kompanitë teknologjike dhe mediat sociale;
- Qeverisur Inteligjencën Artificiale, me një plan të veprimi që përfshin një Panel Shkencor Ndërkombëtar dhe një Dialog Global Politik mbi IA-në;
- Bërë të dhënat më të hapura dhe të aksesueshme, me marrëveshje mbi të dhënat, modelet dhe standardet e burimit të hapur;
- Ky gjithashtu është angazhimi i parë global për qeverisjen e të dhënave, duke e vendosur atë në agjendën e OKB-së dhe duke kërkuar që vendet të marrin veprime konkrete deri në vitin 2030.
Rinia dhe brezat e ardhshëm
- Deklarata e parë e bërë ndonjëherë për Brezat e Ardhshëm, me hapa konkrete për të marrë parasysh brezat e ardhshëm në vendimmarrjen tonë, duke përfshirë një mundësi për [të vendosur] një Përfaqësues të mundshëm (Envoy) për brezat e ardhshëm.
- Një angazhim për mundësi më domethënëse për të rinjtë për të marrë pjesë në vendimet që ndikojnë jetën e tyre, veçanërisht në nivel global.
Të drejtat e njeriut dhe gjinia
- Një fuqizim i punës sonë mbi të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave.
- Një thirrje e qartë për nevojën për të mbrojtur ata që mbrojnë të drejtat e njeriut.
Dhënie e sinjaleve të forta mbi rëndësinë e angazhimit të palëve të tjera në qeverisjen globale, duke përfshirë qeveritë lokale dhe rajonale, shoqërinë civile, sektorin privat dhe të tjerë.
Ka dispozita në të gjithë Paktin dhe anekset e tij për veprime pasuese, për të siguruar që angazhimet e bëra të zbatohen.
Procesi i Samitit
Procesi i Samitit dhe Pakti janë pasuruar thellësisht nga kontributet e miliona zërave dhe mijëra palëve të interesuara nga e gjithë bota.
Samiti bashkoi më shumë se 4000 individë, që nga Krerë të Shteteve dhe Qeverive, vëzhgues, OJQ, Sistemi i OKB-së, shoqëria civile dhe organizatat joqeveritare. Në një nxitje më të gjerë për të rritur angazhimin e aktorëve të ndryshëm, Samiti formal u parapri nga Ditët e Veprimit më 20-21 Shtator, e cila tërhoqi më shumë se 7,000 individë që përfaqësonin të gjitha segmentet e shoqërisë. Ditët e Veprimit paraqitën angazhime të forta për veprim nga të gjitha palët e interesuara, si dhe premtime prej 1.05 miliard dollarësh për të avancuar përfshirjen digjitale.
###
Për më shumë informacion vizitoni: https://www.un.org/en/summit-of-the-future
Kontakt për Mediat:
Francyne Harrigan, United Nations Department of Global Communications | harriganf@un.org
Stefania Piffanelli, Executive Office of the Secretary-General, United Nations | piffanelli@un.org
Jackquelyn Kay Topacio, Executive Office of the Secretary-General, United Nations | jackquelyn.topacio@un.org