65 vitet e Shqipërisë në OKB dhe 100 vjet anëtarësim në Lidhjen e Kombeve
18 dhjetor 2020
- Fjalimi i Znj. Fiona Mccluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, gjatë aktivitetit të organizuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Është nder për mua të marr pjesë në këtë aktivitet që shënon 100 vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve dhe 65 vjetorin e anëtarësimit në Kombet e Bashkuara.
Ky ka qenë një vit i paprecedentë. Teksa ndihemi të shkurajuar këto ditë që dëshmojmë se si pandemia Covid-19 e ka zhytur botën në një krizë të thellë shëndetësore dhe ekonomike, siguria ushqimore, ndryshimet klimatike dhe barazia gjinore janë në rrezik, dhe cenueshmëritë dhe pabarazitë ekzistuese janë përkeqësuar brenda dhe ndërmjet vendeve, është e rëndësishme t’i kujtojmë vetes arritjet tona.
Sot – ne kthejmë kokën pas dhe shohim se si bota ka ndryshuar dhe përparuar për të ruajtur idealet e Kombeve të Bashkuara – paqen, drejtësinë, barazinë dhe dinjitetin – pishtarët e një bote më të mirë. Më shumë se kurrë, mbështetemi te vlerat e multikulturalizmit gjithëpërfshirës për të cilin familja e Kombeve të Bashkuara, institucionet financiare ndërkombëtare, dhe të tjerë punojnë më ngushtë dhe më me efikasitet për të arritur progres për të gjithë.
Ka kaq shumë arritje për të përmendur: Kanë përfunduar ose janë shmangur luftëra, janë nënshkruar marrëveshje paqeje dhe është ruajtur dhe ndërtuar paqja, janë mbajtur gjallë miliona njerëz nëpërmjet përpjekjeve humanitare masive dhe janë nxjerrë nga varfëria shumë miliona të tjerë, janë mbrojtur të drejtat e tyre, është mundësuar arsimimi dhe janë krijuar mundësi ekonomike, janë nënshkruar pakte historike për të mbrojtur mjedisin dhe planetin tonë.
Një mbështetje kaq unanime për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike, të cilat ofrojnë një vizion frymëzues për shekullin XXI.
Ky është padyshim një vit i rëndësishëm për të shënuar arritje të tilla në 75 vjetorin e OKB-së, por edhe arritje kyç për rrugëtimin diplomatik ndërkombëtar të Shqipërisë. Anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (14 dhjetor 1955), partneriteti me OKB-në në Shqipëri dhe performanca e saj e përgjithshme në sistemin e OKB-së është zhvilluar dhe thelluar në mënyrë dramatike.
Shqipëria ka treguar lidership në promovimin e reformave brenda vetë Kombeve të Bashkuara kur doli vullnetare për të pilotuar iniciativën e OKB-së “Të zbatojmë si një i vetëm” në vitin 2007, duke kontribuar për më shumë përshtatshmëri, efektivitet dhe koherencë të aktiviteteve për zhvillim të OKB-së në terren. Për shumë vite, ne kemi vazhduar të zhvillojmë me krenari bashkëpunim në një larmi fushash, kemi forcuar institucionet demokratike, kemi përmirësuar klimën e biznesit, kemi mbyllur hendeqet gjinore, kemi përmirësuar standardet për shëndetin dhe punën, kemi shtuar aksesin në shërbime bazë të barabarta dhe cilësore, kemi rritur aksesin publik në informacion, mbrojtjen mjedisore dhe përgatitjen ndaj fatkeqësive, kemi reduktuar pabarazitë, kemi zgjeruar arsimimin dhe të drejtat e fëmijëve, kemi promovuar të drejtat e njeriut në përgjithësi, teksa kemi arritur personat që kanë mbetur shumë më pas.
Është e rëndësishme që në këtë ditë t’i kujtojmë vetes se Shqipëria ka shërbyer dhe/ose vazhdon të shërbejë në disa Komisione dhe Këshilla të OKB-së (si Këshilli Ekonomik dhe Social i Kombeve të Bashkuara, Këshilli për të Drejtat e Njeriut, Komisioni për Statusin e Grave) dhe organe qeverisëse të disa programeve dhe agjencive të specializuara (si UNESCO, UNICEF, UNDP, UNFPA, UNOPS, UNEP, WHO, UN Habitat). Kjo është një njohje e rëndësishme e progresit që ka shënuar Shqipëria në fushat e të drejtave të njeriut dhe shoqërisë demokratike, rolit të saj në fushën e çarmatimit, luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, kontributit të saj të spikatur për bashkëpunimin, sigurinë dhe stabilitetin në rajon, në sajë të traditës së saj të shkëlqyer të tolerancës fetare dhe kulturore.
Shqipëria u është bashkuar iniciativave të OKB-së që synojnë të luftojnë terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, duke përfshirë ratifikimin e të dymbëdhjetë konventave dhe protokolleve të Kombeve të Bashkuara kundër terrorizmit. Në një moment tensionesh të larta dhe polarizimi, Shqipëria mbështeti fuqimisht thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për armëpushim global. Këtë vit, në cilësinë e saj si Kryesuese e OSBE-së, Shqipëria ka treguar lidership aktiv dhe ka ofruar kontribut proaktiv për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare nëpërmjet përvojës rajonale të vendit në promovimin e paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Shqipëria ka paraqitur kandidaturën e saj për t’u zgjedhur anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për mandatin 2022-2023. Megjithëse një vend i vogël, Shqipëria ka zë të fuqishëm për demokracinë, barazinë, paqen dhe zhvillimin, dhe ne e mbështetim plotësisht kandidimin e saj.
Shqipëria ka nënshkruar Marrëveshjen e Parisit për Ndryshimet Klimatike dhe po punon për të arritur qëllimin global të Kombeve të Bashkuara për të reduktuar emetimet e gazeve me efekt serrë me 45% deri në dekadën e ardhshme, dhe për emetime neto zero deri në vitin 2050. Ajo ka miratuar edhe Strategjinë për Ndryshimet Klimatike dhe Planin e Veprimit për Zbutjen e Emetimeve të Gazeve me Efekt Serrë.
Le të kthehemi tek OZHQ-të. Vendi është i angazhuar për zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, pra të Axhendës 2030. Shqipëria ka harmonizuar prioritetet dhe objektivat e saj kombëtare me Axhendën 2030 për Zhvillimin e Qëndrueshëm dhe Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit dhe Integrimit, dhe raportoi me sukses në Forumin e Nivelit të Lartë Politik të vitit 2018. Duhet përshëndetur angazhimi i vendit për Axhendën 2030, si dhe kontributi fillestar i qeverisë për Fondin për Përshpejtimin e OZHQ-ve për Shqipërinë, i cili është një mjet financimi novator për të trajtuar nevojat prioritare dhe mangësitë në vend. Javën e shkuar, mora pjesë në një seancë me Kryetarin e Kuvendit dhe deputetët për të diskutuar angazhimin e Kuvendit dhe se çfarë mund të bëjmë më shumë. Dhe isha e kënaqur të shihja angazhimin e deputetëve për të çuar përpara Axhendën 2030. OKB-ja në Shqipëri është e angazhuar të ndihmojë të gjithë shqiptarët për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Ky vit dhe ai i ardhshëm janë të rëndësishëm për bashkëpunimin tonë të përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, teksa zhvillojmë së bashku Kuadrin tonë të radhës të Kombeve të Bashkuara për Bashkëpunimin për Zhvillim të Qëndrueshëm për periudhën 2022-2026. Do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë nevojave të grupeve më të cenueshme, sidomos atyre të të rinjve.
Në këtë aspekt, duke qenë se në këtë aktivitet kemi ftuar të rinj që përfaqësojnë të rinjtë shqiptarë në QSH, jam e lumtur të njoftoj se kemi ngritur Bordin Rinor Këshillimor, i cili do të mentorojë Ekipin për Vendin të OKB-së lidhur me çështjet e të rinjve në vend, duke përfshirë Kuadrin e Bashkëpunimit, teksa ndikon në hartimin e programeve më të mira të orientuara drejt të rinjve.
Realizimi i përpjekjeve të Axhendës 2030 lidhet në mënyrë të pandashme me axhendën për integrimin në BE. Aspiratat për integrimin në BE, me progresin që është shënuar në zbatimin e reformave ambicioze dhe gjithëpërfshirëse, mbeten në qendër të përpjekjeve të qeverisë që shërbejnë edhe si përshpejtues për arritjen e OZHQ-ve. Aktualisht, ne po punojmë fort së bashku me OKB-në në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për të përgatitur një paketë pranueshmërie për Fondin e Ndërtimit të Paqes, të parën të këtij lloji për rajonin, dhe në partneritet me qeveritë përkatëse do të aplikojë për financim, i cili do të përdoret për të mbështetur projekte të ndryshme rajonale, me qëllim çuarjen përpara të përpjekjeve për ndërtimin e paqes dhe pajtimin.
Dua ta shfrytëzoj këtë mundësi për të falënderuar Qeverinë e Shqipërisë për besimin që i ka dhënë Kombeve të Bashkuara në Shqipëri. Partneriteti ynë është dukshëm i shkëlqyer, pasi ne punojmë krah për krah me partnerët për të mbështetur prioritetet e vendit. Ekipi për Vendin i Kombeve të Bashkuara mbetet në gatishmëri për të ndihmuar Shqipërinë në rrugëtimin e saj për të përshpejtuar progresin lidhur me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Duke pasur parasysh sfidat me të cilat po përballemi aktualisht, multilateralizmi nuk është një opsion, por një domosdoshmëri, pasi ne rindërtojmë më mirë dhe në mënyrë më ekologjike për një botë më të barabartë, më rimëkëmbëse dhe më të qëndrueshme.
Përgëzime për këtë ditë dhe mezi pres të punoj ngushtësisht me ju dhe partnerët për të arritur angazhimet tona të përbashkëta dhe për t’i shërbyer më mirë qytetarëve shqiptarë.
Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme
Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë
FAO
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë
IAEA
International Atomic Energy Agency
ILO
Organizata Ndërkombëtare e Punës
IOM
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
UN Women
United Nations Entity for Gender Equality and the Empowerment of Women
UNDP
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara
UNDSS
Departamenti i Kombeve të Bashkuara për Sigurinë
UNECE
Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën
UNEP
Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin
UNESCO
Organizata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë
UNFPA
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë
UNHCR
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët
UNICEF
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët
UNIDO
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial
UNODC
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim
UNOPS
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit