UNOPS - Një tjetër arritje historike në përmirësimin e sistemit të kujdesit shëndetësor të Shqipërisë!
16 nëntor 2022
Si rezultat i gjashtë muajve punë, Klinika e Sëmundjeve Infektive në Spitalin Nënë Tereza, e cila i shërben më shumë se 10,000 pacientëve në vit, është shndërruar në një ambient modern për kujdesin mjekësor dhe shërbimet diagnostikuese. Spitali me një sipërfaqe prej 6,200m2, i ndërtuar në 1973 duhet të rinovohej tërësisht, duke e zhveshur ndërtesën nga tullat dhe duke e transformuar në një spital model.
Ceremonia e inagurimit mblodhi së bashku Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, Menaxherin e zyrës për Bankën Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas, Menaxherja e Zyrës për UNOPS në Shqipëri Pamela Lama, Ekipin e Projektit të UNOPS, mjekë të dalluar, profesorë të Universitetit të Mjekësisë dhe profesionist të kujdesit shëndetësor. Ne shpresojmë se kjo klinikë do të shërbejë si një shembull që do të rritet dhe replikohet në spitale të tjera në vend, duke përmirësuar qasjen e qytetarëve shqiptarë ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor cilësor.
Gjatë ceremonisë së inaugurimit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Manastirliu theksoi se: "Sot duhet të ndihemi krenarë në shumë aspekte, por veçanërisht për kohën e shkurtër që u nevojit për të realizuar këtë projekt. Si asnjëherë më parë me një punë të këtij kalibri dhe cilësie, ne transformuam rrënjësisht Klinikën e Sëmundjeve Infektive, duke nisur në pranverë dhe duke përfunduar punimet në vjeshtë. Ne e vlerësojmë Bankën Botërore për mbështetjen dhe lehtësimin e procedurave komplekse, si dhe stafin e UNOPS Shqipëri, dizajnerat, arkitektët, inxhinierët, supervizorët dhe punëtorët e ndërtimit për profesionalizmin, dedikimin dhe vëmendjen e tyre ndaj detajeve. Falë prej jush, edhe pse afatet kohore ishin të ngushta, arritëm të ishim të shpejtë dhe rindërtuam këtë spital në përputhje me standardet më të larta evropiane. Angazhimi i të gjithëve ju rezultoi në një qendër kombëtare referimi të vërtetë për sëmundjet infektive, në përputhje me standardet më të larta" “Unë mendoj se ky investim është mënyra më e mirë për të falenderuar të gjithë stafin mjekësor, të cilët u kthyen në heronj përgjatë pandemisë. Nëpërmjet këtij investimi ne i japim mundësinë mjekëve të punojnë në kushte optimale me standardet më të larta ndërkombëtare, pajisjet, logjistikën dhe infrastrukturën e nevojshme, në mënyrë që çfarë u bë një histori e madhe përgjatë luftës me armikun e padukshëm, të trashëgohet te brezi i ri si një frymë e patjetërsueshme e punës së mjekëve. Unë besoj se ky investim do të shërbejë për të krijuar një sinergji më të madhe dhe një sens fisnikërie për një ekip i cili e tregoi veten në një nga momentet më të këqija të historisë së mjekësisë shqiptare që nga themelimi i shtetit shqiptar" nënvizoi Edi Rama, Kryeministri i Shqipërisë.
“Sot është një ditë shumë e gëzuar për të gjithë ne. Ky objekt është një nga pjesët e infrastrukturës më të rëndësishme që nevojitet për të përballuar pandemitë. Shumë investime u bënë në këtë objekt, i cili tashmë është në krye të standardeve të shërbimeve evropiane. Ky projekt vjen si kërkesë e Qeverisë së Shqipërisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, por ne e bëmë në bashkëpunim me UNOPS dhe ky ka qënë një bashkëpunim shumë i mirë, një aftësi për të dhënë rezultate shumë shpejt në një mjedis shumë sfidues. Ky është një nga tetë spitalet mbi të cilët do të punojmë. Në total ne besojmë se më shumë se 350 000 njerëz në Shqipëri do të përfitojnë nga ky fakt. Edhe pse u bë në mes të një pandemie, kjo tregon se kurdo që ne dedikohemi, ne mund të arrijmë rezultate shumë domethënëse në një kohë shumë të shkurtër" tha Menaxheri i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri Emanuel Salinas.
Punët e rinovimit u zhvilluan si pjesë e projektit të reagimit emergjent ndaj COVID-19, i implementuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nëpërmjet një kredie të Bankës Botërore ndaj Qeverisë së Shqipërisë.