Konferenca Business #2030: Udhëheqim rrugën drejt një të ardhmeje të qëndrueshme për kompanitë shqiptare.
30 maj 2023
Ambasada e Suedisë në Shqipëri dhe Kombet e Bashkuara do të organizojnë Konferencën Business #2030. Ky aktivitet do t’i prezantojë kompanive shqiptare praktika të qëndrueshme tradicionale dhe inovative në një ambient dinamik, duke ndërtuar kështu rrugën drejt një të ardhmeje të qëndrueshme dhe rezistente. Kompani të mirënjohura suedeze do të ndajnë praktikat më të mira mbi bizneset dhe prodhimin e qëndrueshëm jeshil, duke përfshirë modën dhe aktivizmin e qëndrueshëm.
Ndërsa kompanitë shqiptare përballen me një mori sfidash në vitet që do të vijnë, duke përfshirë qëndrueshmërinë, dixhitalizimin, standarde më të larta sigurie dhe cilësie, dhe integrimin në Bashkimin Evropian, konferenca #Business2030 do të ofrojë mjetet dhe njohuritë e nevojshme për t’u përballur me këto çështje.
“Të gjithë duhet të angazhohemi për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme! Me më pak se një dekadë të mbetur deri në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, puna e bizneseve për t’u bërë të qëndrueshme është më e rëndësishme se kurrë më parë. Shqipëria dhe bizneset shqiptare janë pjesë e Evropës dhe e zinxhirit të vlerave evropiane, dhe ne duam të forcojmë zhvillimin e qëndrueshëm. Përgjatë
konferencës do të dëgjoni dhe do të frymëzoheni biznese të qëndrueshme suedeze dhe prodhimin e tyre të qëndrueshëm, nga kompanitë e vogla e deri te ato të mëdha. Ne duam të mbështesim kompanitë shqiptare në procesin e anëtarësimit në BE duke arritur standardet e saj dhe duke kontribuar në një kalim të qetë dhe të drejtë drejt një ekonomie neutrale ndaj klimës, e cila përmirëson cilësinë e jetës, krijon kushte më të mira për zhvillim demokratik dhe gjithëpërfshirës dhe që nuk lë askënd pas” – tha Elsa Håstad, Ambasadore e Suedisë në Shqipëri.
Duke folur mbi konteksin në të cilin po mbahet kjo konferencë, Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri tha:
“Bota tani e kupton se emetimet e karbonit nuk po ngadalësohen, dhe ne mund të mos jemi në gjendje të kufizojmë rritjen e temperaturës në 1.5 gradë celsius. Ndërsa rritja e temperaturës së tokës vijon, ne do të shohim të pasojat në rendimentet e të korrave, humbjet e përhapura të specieve dhe rreth 40 për qind e popullsisë globale do të ekspozohet ndaj temperaturave ekstreme. Ne gjithashtu do të arrijmë nivelet skajore në
shkëputjet e shtresës së akullit të Groenlandës, ndryshimin e rrymave në Atlantikun verior, duke çuar në mot më ekstrem dhe ndryshime të mëdha të temperaturave. Nevoja për veprim po rritet dhe fushat që kërkojnë ndryshim zgjerohen. Jo vetëm nga marrëveshjet globale – si Parisi – apo rregulloret, por edhe nga investitorët, fondet e investimeve që duan të ndihmojnë në ndërtimin e “bizneseve të gjelbra” në vetë sektorin
privat dhe nga shoqëria civile dhe veçanërisht të rinjtë, ata që do të preken më shumë. Konferenca e Biznesit #2030 është projektuar, përmes punës së përbashkët të OKB-së, (përfshirë UNDP, UNIDO, ILO, FAO) dhe me një lidhje të veçantë me avokimin, biznesin dhe teknologjinë suedeze, për të dëgjuar dhe për t"u lidhur me ekspertë në qëndrueshmërinë e biznesit, për të çuar përpara Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëmit, dhe për të hedhur themelet për një të ardhme të qëndrueshme për të gjithë.
Konferenca do të ketë një numër folësish, të njohur për ekspertizën dhe kontributin e tyre në fushat e tyre përkatëse, duke përfshirë përfaqësues nga kompani të njohura suedeze dhe liderë biznesi. Konferenca do të presë stilisten e famshme të modës së qëndrueshme, Louise Xin, e cila do të ndajë ekspertizën dhe njohuritë e saj mbi praktikat e qëndrueshme brenda industrisë së modës.
Të pranishmit do të kenë mundësinë të mësojnë nga këta ekspertë të industrisë dhe të përfshihen në diskutime që provokojnë mendime. Konferenca do të fokusohet në një sërë temash thelbësore që vendosin themelet për një të ardhme më elastike për bizneset shqiptare. Temat që do të diskutohen përfshijnë:
- Balancimi i përfitimit dhe përgjegjësisë drejt një të ardhmeje të qëndrueshme
Ky sesion do të zbulojë ndërveprimin e rëndësishëm mes praktikave të qëndrueshme, balancimit të kostove dhe përfitimeve të biznesit, dhe krijimin e themeleve për një të ardhme më rezistente për bizneset shqiptare. Tematika kryesore përfshijnë qëndrueshmërinë e biznesit, analizën e kostove, rezistencën, standardet e BE-së, dhe qëndrueshmërinë në sektorët kyc si tekstili/këpucë dhe industritë e agroprocesimit.
- Nxitja e praktikave të qëndrueshme të biznesit në Shqipëri roli i CSR, ESG dhe SDGs
Ky sesion do të nxjerrë në pah rolin e përgjegjësisë sociale të korporatës (CSR), parimet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG) dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara (SDGs) në drejtimin e bizneseve drejt praktikave të qëndrueshme. Temat kryesore përfshijnë CSR-në si një nxitës i përfitimit, qëllimet e zhvillimit social, avantazhin konkurrues, klimën e biznesit, investimet e përgjegjshme dhe vlerat e korporatës.
- Ekonomia rrethore: Një model biznesi i qëndrueshëm dhe konkurrues?
Ky sesion në formën e një paneli do të eksplorojë mundësitë dhe sfidat e zbatimit të praktikave të qëndrueshme në suazën e biznesit shqiptar, me fokus në ekonominë rrethore. Temat kryesore përfshijnë praktikat e qëndrueshme të biznesit, përdorimin efikas të burimeve, etikën dhe shmangien e “maskimit të gjelbër”.
- Ndryshuesit për një botë më të mirë: Shpallja e ‘SDG Pioneers’ në Shqipëri
Ky sesion do të shënojë shpalljen zyrtare të Çmimit ‘SDG Pioneers’ në Shqipëri. Çmimi vlerëson individët dhe kompanitë që japin kontribut të rëndësishëm në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).
- Inovacioni – Biznes i qëndrueshëm në epokën e revolucionit digjital
Ky sesion do të eksplorojë se si inovacioni dhe revolucioni dixhital do të ndikojnë dhe formësojnë qëndrueshmërinë e biznesit në Shqipëri në vitet e ardhshme. Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të dëgjojnë nga kompanitë vendase dhe ndërkombëtare, shoqëria civile dhe sipërmarrësit e rinj shqiptarë që kanë arritur sukses në produkte të qëndrueshme dhe inovative.
Përveç këtyre sesioneve të detajuara, konferenca do të ofrojë mundësi bashkëpunimi dhe njohuri nga bizneset suedeze që janë liderë në praktikat e qëndrueshmërisë. Pjesëmarrësit do të angazhohen në biseda dinamike të sinqerta për zhvillimin e biznesit në mënyrë të qëndrueshme në Shqipëri.