Agjencitë e OKB-së në Shqipëri nisin 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe bëjnë thirrje për investime të guximshme për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave.
24 nëntor 2023
Institucionet qeveritare, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe qytetarët bëjnë thirrje për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave nën temën "BASHKOHU! Investo për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave".
Në prag të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave më 25 Nëntor, Agjencitë e Kombeve të Bashkuara kërkojnë investime afatgjata e të qëndrueshme nga qeveria, sektori privat, fondacionet dhe dhuruesit e tjerë për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave.
Pothuajse një në dy gra në Shqipëri kanë përjetuar një formë dhune të paktën një herë gjatë jetës së tyre. Eliminimi i të gjitha formave të dhunës ndaj të gjitha grave dhe vajzave në hapësirat publike dhe private deri në vitin 2030 është një synim specifik dhe një angazhim i ‘Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm’ (Sustainable Development Goals). Investimet në parandalimin e dhunës janë të rëndësishme për të arritur atë qëllim dhe për të arritur barazinë gjinore.
Vetëm 27 shtete monitorojnë dhe kanë buxhete të dedikuara për barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave në botë. Shqipëria është një prej tyre: vendi ka angazhime buxhetore për të zbatuar ligje që adresojnë dhunën ndaj grave. Për shembull, 27 milionë lekë do të shpenzohen për t’u shërbyer me ndihmë ligjore falas 3700 grave dhe vajzave, ndër të cilat edhe viktima të dhunës në familje. 155 milionë lekë janë planifikuar të shkojnë për ekzekutimin e urdhërave të mbrojtjes në favor të grave dhe fëmijëve. Megjithatë, qeveria duhet të japë financime nga sektorë të ndryshëm dhe të përdorë buxhetimin e përgjigjshëm gjinor për të mbështetur më shumë ndërhyrje për të parandaluar dhunën ndaj grave.
Një lëvizje feministe e fortë dhe autonome është gjithashtu një pjesë kritike e zgjidhjes. Organizatat për të drejtat e grave luajnë një rol të rëndësishëm në parandalimin e dhunës, në advokimin për ndryshime politikash dhe që të mbajnë para përgjegjësisë qeveritë.
16 Ditët e Aktivizmit në Shqipëri
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Agjencitë e OKB-së në Shqipëri nisën "16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Bazë Gjinore" në një ceremoni duke nderuar punën e vështirë dhe angazhimin e grave dhe burrave, të cilët punojnë çdo ditë për të ndihmuar të mbijetuarat e dhunës të rindërtojnë jetën e tyre. Aktivistët dhe aktivistet e shoqërisë civile, burrat dhe gratë në institucionet e drejtësisë, shërbimet lokale dhe partnerët ndërkombëtarë u nderuan për kontributin dhe mbështetjen e tyre për të parandaluar dhe eliminuar dhunën ndaj grave dhe vajzave.
“Nuk ka asnjë justifikim për dhunën ndaj grave dhe vajzave! Nuk kishte dje, nuk ka as sot dhe nuk do të ketë kurrë ndonjëherë”, theksoi Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu gjatë hapjes së fushatës.
“Ndërsa themi me zë të lartë ‘Asnjë Justifikim!’ ndaj dhunës me bazë gjinore, ne duam gjithashtu të njohim përpjekjet e qindra aktivistëve dhe profesionistëve që punojnë shumë, çdo ditë, për të shpëtuar jetë, për t'u kthyer dinjitetin dhe shpresën të mbijetuarave dhe për ta bërë parandalimin e dhunës me bazë gjinore një prioritet. Së bashku mund t'i japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave”- tha Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së, duke njohur punën e institucioneve të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit.
16 Ditët e Aktivizmit është një fushatë vjetore që fillon më 25 Nëntor, Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe vazhdon deri në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut që shënohet më 10 dhjetor.
Gjatë 16 Ditëve, qindra evente do të tërheqin vëmendjen e publikut në të gjithë Shqipërinë, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund kulturës së dhunës ndaj grave. Nga podkast-et tek aktivitetet sportive, dhe tubimet e ndërgjegjësimit në komunitetet lokale nga veriu në jug, fushata synon të mobilizojë veprime kolektive për të siguruar që gratë dhe vajzat të jetojnë një jetë pa frikë, simbolizuar nga ngjyra portokalli. Aktivitetet do të organizohen nga shoqëria civile, si dhe nga institucionet qendrore dhe lokale të qeverisë, me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.
Agjencitë e OKB-së janë pjesë e fushatës nën ombrellën e Programit të Përbashkët për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave në Shqipëri, zbatuar nga UN Women, UNDP dhe UNFPA me mbështetjen e Suedisë. OKB-ja do të udhëheqë një fushatë në mediat sociale për të nxitur diskutimin për dhunën me bazë gjinore duke përdorur #AsnjëJustifikim dhe #16Ditët. Më 29 nëntor, UN Women do të publikojë studimin “Ana e errët e dixhitalizimit: Dhuna ndaj grave e nxitur nga teknologjia, në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, ku do të paraqiten të dhëna edhe nga Shqipëria.