Delegacioni i BE-së dhe Ekipi për Vendin i OKB-së në Shqipëri rikonfirmojnë angazhimin e tyre për të punuar bashkërisht për të arritur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipëri
28 mars 2022
- Me një ceremoni lamtumire për Ambasadorin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri Luigi Soreca
Koordinatorja e Përhershme e OKB-së në Shqipëri, Fiona McCluney, së bashku me Ekipin për Vendin të OKB-së zhvilluan një takim me Delegacionin e BE-së në Shqipëri, të kryesuar nga Ambasadori Luigi Soreca.
Takimi kishte si synim të vlerësonte dhe festonte rezultatet e arritura deri më tani falë bashkëpunimit të qëndrueshëm BE-OKB. Ai krijoi mundësinë për të shqyrtuar fushat prioritare për periudhën 2022-2023, për të forcuar më tej sinergjitë dhe përpjekjet e përbashkëta, si dhe për të përgatitur strategji për angazhimin konstruktiv të OKB-së lidhur me IPA III të BE-së dhe Programin e Reformave Ekonomike.
Në fjalën hapëse, si Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, ashtu edhe Ambasadori i BE-së, nxorën në pah shtyllat e bashkëpunimit të ngushtë BE-OKB. Në Shqipëri, kjo lidhet ngushtësisht me objektivin bazë të shteteve për aderimin në BE, prioritetin gjithëpërfshirës dhe faktorin kyç të zhvillimit për vendin. Ky prioritet është plotësisht në përputhje me Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) të OKB-së, dhe gjatë punës për procesin e aderimit janë arritur edhe shumë synime dhe tregues të OZHQ-ve.
Bashkëpunimi BE-OKB në Shqipëri është një partneritet forcimi reciprok, i spikatur për standardet e tij të larta të transparencës dhe llogaridhënies. Ai ka sjellë rezultate të dukshme dhe shumë konkrete në vend, duke përfshirë përgjigjen e fortë të përbashkët ndaj tërmetit të 2019-ës (projektet EU4Schools dhe EU4Culture të zbatuara përkatësisht nga UNDP dhe UNOPS) dhe ndaj pandemisë Covid-19, si dhe ndërhyrjet e qëndrueshme të reformës në qeverisje në nivel vendor, nëpërmjet projekteve të ndryshme të financuara nga BE-ja.
Ndër vite, përpjekjet e OKB-së në Shqipëri janë përqendruar te avancimi i reformave sektoriale, dialogu për politikat, forcimi i sistemeve, koordinimi dhe advokimi. Gjatë takimit, disa aktivitete dhe projekte të financuara nga BE-ja u paraqitën si praktika të mira që e vendosin Shqipërinë në rrugën e duhur drejt zhvillimit të qëndrueshëm dhe aderimit në BE.
U nxorën në pah shumë shembuj të rezultateve kryesore. Këta shembuj përfshinin: pjesëmarrje më të madhe të organizatave të shoqërisë civile në fushat kyç të reformimit dhe zhvillimit; kapacitete më të forta të qeverive vendore; zbatim të standardeve të BE-së për të rindërtuar më mirë (Build Back Better) dhe për të rindërtuar së bashku (Build Back Together); përparime në ruajtjen e trashëgimisë kulturore; fuqizim të komuniteteve vendore; progres thelbësor për integrimin e perspektivës gjinore, dhe për të drejtat e grave dhe fëmijëve. Përpjekjet për të promovuar fuqizimin ekonomik të grave, ligji i ri për azilin që e afron më shumë Shqipërinë me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin e BE-së, dhe përpjekjet në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe rritjes së sigurisë dhe kontrollit në kufi në Shqipëri.
Ekipi për Vendin i OKB-së dhe Delegacioni i BE-së në Shqipëri rikonfirmuan angazhimin e tyre për partneritet të fortë lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm në përputhje me Kuadrin e Bashkëpunimit për Zhvillimin e Qëndrueshëm 2022-2026 të OKB-së dhe IPA 2023 të BE-së, në bashkëpunim me Qeverinë e Shqipërisë, partnerët për zhvillim dhe aktorë të tjerë përkatës në vend.
Në fund të takimit, Ekipi për Vendin i OKB-së në Shqipëri kishte përgatitur një ceremoni lamtumire surprizë për Ambasadorin e BE-së, i cili përfundon mandatin e tij në Shqipëri për t’iu bashkuar ekipit të Përfaqësuesit të Lartë Borel. Koordinatorja e Përhershme e OKB-së, Fiona McCluney, i dorëzoi Ambasadorit Luigi Soreca një pllakë përkujtimore për t’i shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe dedikimin e tij të dallueshëm për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm në Shqipëri.
Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë
FAO
Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë
ILO
Organizata Ndërkombëtare e Punës
IOM
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
UN Women
United Nations Entity for Gender Equality and the Empowerment of Women
UNCTAD
Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin
UNDP
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara
UNDRR
Zyra e OKB-së për Zvogëlimin e Rrezikut nga Katastrofat
UNECE
Komisioni Ekonomik i Kombeve të Bashkuara për Evropën
UNEP
Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin
UNHCR
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët
UNICEF
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët
UNIDO
Organizata e Kombeve të Bashkuara për Zhvillimin Industrial
UNODC
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogë dhe Krim
UNOPS
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit